Si ta lësh sheqerin për 31 ditë, për detoksikim dhe dobi në peshë e lëkurë

    Nëse keni lexuar modën e fundit të mbajtjes së trupit në formë, ndoshta keni menduar të mbani një dietë detoksikimi.

    Ndoshta keni lënë shumë ushqime pa ngrënë, me synimin për të rënë në peshë, por kjo metodë nuk është dobiprurëse në planin afatgjatë.

    Një mënyrë detoksikimi që ia vlen, sipas ekspertëve, është pakësimi i sheqerit. Jo vetëm që ndihmon të bini në peshë, por ndihmon edhe me përmirësimin e lëkurës.

    “Sheqeri na mban mbi peshë dhe është gjithashtu një nga shkaqet kryesore për sëmundje të zemrës e për mplakje të hershme të lëkurës”, thotë Brooke Alpert, një dietologe e regjistruar dhe shkrimtare e një libri për detoksikimin nga sheqeri.

    Lajmi i keq është që njerëzit kanë varësi të vërtetë nga sheqeri dhe është e vështirë të heqësh dorë. 10% e popullsisë në Amerikë, sipas Robert Lustig, (profesor Pediatrie në Institutin për Politika Shëndetësore te Universiteti i Kalifornisë, San Francisko), ka varësi të plotë ndaj sheqerit.

    Një tjetër shqetësim është sheqeri që i shtohet dietës pasi fshihet edhe në ushqime nuk njihen si të ëmbla, si salcat e domateve apo lloje të ndryshme bukësh.

    Lajmi i mirë është që edhe nëse s’ke vërtet varësi nga sheqeri, po ta heqësh fare nga dieta në mënyrë të menjëhershme, jo pak nga pak, mund të kesh përfitime po ashtu të menjëhershme.

    Një studim i bërë nga Lustig tregoi se kur fëmijët mbipeshë e lanë sheqerin për nëntë ditë, menjëherë, çdo aspekt i metabolizmit të tyre u përmirësua, edhe pse nuk ranë në peshë.

    Brooke Alpert thotë se për të lënë sheqerin në mënyrë të plotë, si pjesë e detoksikimit, nuk mjafton të lësh vetëm ëmbëlsirat, por edhe frutat dhe perimet me përmbajtje niseshteje, si misri, bizelet, patatet e ëmbla apo kungujt. Nuk duhen përdorur as bulmete apo alkool: “Praktikisht, ha vetëm proteina, perime të tjera dhe yndyra të shëndetshme”, thotë ajo.

    Mëngjesi mund të përfshijë tri vezë, dreka mund të ketë mish pule, peshk, tofu ose sallatë, ndërsa darka mund të përfshijë perime të ziera si brokoli apo spinaqi.

    Si ushqime të shpejta gjatë ditës mund të përdoren pak arra ose thjesht speca të prerë e me pak salcë perimesh, si salca “Hummus”. Për lëngje mund të merret ujë, çaj pa sheqer dhe kafe shqeto.

    Përdorimi i ëmbëlsuesve artificialë, sipas Lustig, jo vetëm që të shëndosh por të jep më shumë uri gjatë ditës, pasi trupi duhet të kompensojë energjinë.

    Pasi mbarojnë tri ditët e para të detoksikimit, duke mos përdorur as edhe një gram sheqer, dietës mund t’i shtosh një mollë dhe pak bulmet.

    “Në ditën e katërt, molla do të të shijojë si ëmbëlsirë”, thotë Alpet. “Edhe qepët duken të ëmbla. Edhe bajamet. Shqisat e shijimit nisin të rikalibrohen dhe ti shijon edhe sheqerin natyral”, thotë Alpert.

    Mund të shtosh edhe perime me përmbajtje sheqeri, si karotat e bizelet e ëmbla, si dhe tre gota verë të kuqe gjatë javës së parë.

    Në javën e dytë mund të shtosh mana të ndryshme, pak bulmet si dhe kungull.

    Në javën e tretë mund t’i shtosh dietës drithëra, si tërshëra apo elbi. Mund të shtosh edhe verën e kuqe, deri në pesë gota në javë.

    “Në javën e katërt mund të shtosh një sanduiç, që i lehtëson gjërat shumë”, thotë Alpert. “Pasi ke hequr varësinë, të hash akullore një herë ose dy herë në javë nuk të kthen prapë ku ishe. Por frutat nuk duhen përdorur deri sa të bëhen 31 ditë”.

    Lënia e sheqerit bën që të biesh më shpejt nga pesha. Për këtë, Alpert thotë se ata morën 80 testues nga i gjithë vendi dhe ata që lanë sheqerin humbën nga 2 deri në 9 kg për 31 ditë.

    Lënia e sheqerit në mënyrë të plotë është e vështirë sidomos për tri ditët e para, të cilat duhen zgjedhur me kujdes, kur të mos kesh shumë ngarkesë nga puna.

    “Sidomos ata që kanë varësi të madhe ndaj sheqerit, në tri ditët e para mund të ndiejnë edhe plogështi dhe lodhje”, thotë Alpert.

    Lustig vuri re se fëmijët shfaqën shenja ankthi gjatë pesë ditëve të para dhe acaroheshin shumë lehtë.

    “Nëse ndihesh vërtet keq mund të hash një copëz fruti, por rëndësi ka ta vazhdosh dietë dhe të jesh i hidratuar. Kështu mund ta heqësh varësinë nga sheqeri”, thotë Alpert.

    Kjo dietë detoksikimi nuk është për personat me diabet, atletët që merren me shumë stërvitje, persona që marrin mjekime për të kontrolluar sheqerin në gjak apo gra shtatzëna.

    Lisa Drayer, CNN

    Lajmi Paraprak

    Keqpërdorimi i bektashinjve

    Lajmi i rradhës

    Provoni këto mënyra për lënien e duhanit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë