197 ditë pa humbje, ja si Milani po përgatit titullin

    Kanë kaluar 197 ditë nga humb ja e fundit e Milanit në kampionat. Ishte 26 prill kur kuqezinjtë u gjunjëzuan në Romë. Që nga ajo kohë ecuria ka qenë për kornizë dhe “La Gazzetta dello Sport” ka analizuar aspektet pozitive dhe negative të kuqezinjve.

    ÇFARË SHKON?
    Ta nisim nga individët. Disa janë transformuar. I pari në listë është Tonali që së fundmi është grumbulluar edhe në kombëtare. Një sezon më parë nuk dukej i sigurt, s’ishte i orientuar dhe po vuante transferimin milioner në një klub të madh. Sot 21-vjeçari është lider i mesfushës dhe deri tani ka shënuar dy herë e dhuruar një asist në 12 ndeshje.

    Metamorfoza pozitive është e dukshme, siç e dëshmojnë edhe statistikat. Me 64 duele të fituara është i pari në skuadër ashtu siç është për pasimet e ndërprera të rivalit (20). Diskutim identik për Leaon që sivjet është më solid dhe më konkret. Një vit më parë shënonte 7 gola, ndërsa aktualisht ka shënuar pesë dhe dhuruar dy asiste.

    Në listën e të përmirësuarve janë Brahim Diaz që deri kur e ndali COVID-i kishte shënuar 3 gola. Edhe Kalulu po ecën mirë, siç u pa në derbi ku tregoi me fakte se di të përshtatet kudo që Pioli ka nevojë.

    SOLIDITET
    Katër ndeshje në total pa pësuar. Milani është mbrojtja e dytë më e mirë në kampionat pas Napolit, me 11 gola të pësuar në 12 ndeshje. Çifti KjaerTomori i ka mekanizmat e vajisur tashmë, por edhe kapiteni Romanjoli u mbrojt mirë. Kur u vu në provë nuk zhgënjeu, edhe pse nuk është më titullar. Kontrata skadon në qershor (si e Kesit), por kjo është një histori tjetër.

    Një tjetër meritë e Piolit është se ia doli të gjejë formën e ekipit, pavarësisht ndalesave të shumta në fillim të sezonit. Midis rasteve të COVID-it (Teo, Diaz, Zhiru) dhe lëndimeve (Ibra, Menja, Mesias, Bakajoko, Rebiç, Kesi), Milani ka qëndruar gjithmonë në këmbë. Ndoshta disi më pak në Champions, duke pasur parasysh renditjen. Tatarushanu nuk ka bërë që ekipi të vajtojë për Menjanë, teksa Zhiru dhe Ibra po alternohen shumë mirë (7 gola së bashku).

    Ndërkohë, Leao mori krahun. Pioli prej kohësh mbart famën e atij që di të gjejë zgjidhje dhe ta përshtatë ekipin. Një cilësi që është kthyer në tipar dallues.

    ÇFARË NUK SHKON?
    Piolit i mungon Kesi më i mirë. Ndoshta çështja e rinovimit e shpërqendron, por afrikani është krejt ndryshe nga ai i parë vitin e kaluar. Në verë, nga Tokio foli për “Milanin e përjetshëm”, “Do të firmos kur të kthehem”, por palët janë ende larg. Rendimenti e vuan: Dy gola nga penallti në 9 ndeshje, me disa gabime më shumë se zakonisht.

    Mirë me Romën, karton i kuq me Atletikon dhe keq me Interin: Pavarësisht kontaktit me Çalhanoglunë, ishte ai që ndërlikoi gjithçka duke u futur me top në zonën e tij. Rrezik shumë i lartë. Pioli ka nevojë për “komandantin” e vitit të kaluar.

    Njollat e fundit të sezonit janë fytyrat e reja të merkatos: Përveç Zhirusë dhe Menjasë, asnjë nga nënshkrimet nuk po arrin të ndikojë. Arsyet e ndryshme: lëndime, konkurrencë, gabime. Mesiasi luajti vetëm 16 minuta kundër Atalantës, Pelegri 60′ në tri ndeshje, Florenci e nisi mirë dhe më pas u lëndua, teksa Ture tregoi limite (shiko faullin e penalltisë në derbi). Problem përbën edhe Bakajoko që nuk e nis kurrë si titullar (probleme fizike edhe për të).

    Sezoni është ende i gjatë, por shumë prej tyre nuk ka filluar ende. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Në mbrojtje të parlamentarizmit shqiptar

    Lajmi i rradhës

    Zjarri në spitalin modular të Tetovës | Prokuroria ende nuk ka konstatuar përgjegjësi penale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë