Katër sfidat e mëdha të Messit për vitin 2022

    Viti 2022 nuk ka nisur aq mirë për Lionel Messin, i cili ndërrimin e motmoteve dhe ditët e para të vitit të ri u desh t’i kalonte në izolim për shkak të infeksionit me COVID-19.

    Mirëpo, superylli argjentinas tashmë është kthyer në Paris dhe është i gatshëm t’u bëjë ballë sfidave që janë përpara tij gjatë këtij viti dhe në rast të realizimit të objektivave, ky mund të jetë një vit i paharruar për karrierën e 34-vjeçarit.

    Dëshira e Messit për të dominuar në Ligue 1

    (Foto: Instagram/leomessi)

    Edhe pse në futboll mund të ndodhë gjithçka, tashmë është thuajse e sigurt se Paris Saint-Germaini do të shpallet kampion i Francës në sezonin 2021/2022, pasi veçmë janë larg rivalëve në tabelë.

    Kjo do të thotë se pas 10 triumfeve në La Liga, argjentinasi do ta shtojë edhe një titull të Ligue 1 në listën e tij të medaljeve. Porse qëllimi i tij është që të ketë rol kryesor në këtë triumf, gjë që nuk ka arritur ta bëjë deri më tani.

    Ai ka luajtur në 11 ndeshje kampionale deri më tani dhe ka shënuar vetëm një gol, ndërsa ka dhuruara pesë asistime. Qëllimi i tij është që të ndryshojnë statistikat në rrjedhën e sezonit.

    Trofeu i parë i PSG-së në Ligën e Kampionëve do ta bënte Messin një legjendë

    Derisa nuk ka pasur shumë dominim në kampionatin vendor, Messi ka luajtur në nivelin e zakonshëm në Ligën e Kampionëve, ku ka shënuar pesë gola deri më tani.

    Pasi zuri vendin e dytë në grup, PSG doli në short me Real Madridin në të tetën e finales, ashtu që argjentinasi duhet të jetë në formën maksimale për t’i eliminuar rivalët e tij të vjetër, sidomos në rast se Neymar nuk mund të kthehet nga lëndimi në kohë.

    Messi dhe bashkëlojtarët e tij, jo vetëm që duan t’i eliminojnë Los Blancos, por ata duan të shkojnë deri në fund dhe ta fitojnë trofeun e parë në Ligën e Kampionëve.

    Për 34-vjeçarin do të ishte trofeu i pestë në garën më të madhe evropiane për klube dhe në këtë mënyrë do të shndërrohej në legjendë të menjëhershme te tifozët e Parisit.

    Ëndrra e Messit për Kupën e Botës

    (Foto: Eurosport)

    Kampionati i sivjetmë Botëror zhvillohet në Katar gjatë muajit nëntor dhe dhjetor, ndërsa asokohe Messi do të jetë 35 vjeç e gjysmë dhe kjo do të jetë mundësia e fundit që superylli i futbollit ta fitojë Kupën e Botës – trofeun e vetëm që mungon në sirtarin e tij.

    Në vitin e kaluar, Leo arriti ta fitonte trofeun e parë të rëndësishëm – atë të Copa America dhe do të synojë që me skuadrën e fortë të përzgjedhësit Lionel Scaloni t’i shkojë deri në fund turneut të madh botëror dhe ta kërkojë Kupën e Botës.

    Topi i tetë i Artë

    (Foto: Screenshot/Twitter/Paris Saint-Germain)

    Në rast se Messi arrin ta fitojë Ligën e Kampionëve ose Kupën e Botës, në të njëjtën kohë do të jetë favoriti kryesor për ta fituar Topin e Artë – të tetin në karrierën e tij të jashtëzakonshme.

    Madje edhe nëse nuk e fiton asnjërin prej këtyre trofeve, ai sërish mbetet ndër favoritët kryesor për çmimin prestigjioz individual, ngjashëm siç e fitoi në vitin 2021 kur nuk kishte shkuar më tej se 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve.

    Rivali i tij më i madh, Cristiano Ronaldo, e ka fituar pesë herë Topin e Artë dhe në rast se Messi do ta fitonte të tetin, atëherë do të ishte një sukses ndoshta i paarritshëm në historinë e futbollit. /Telegrafi/

    Lajmi Paraprak

    Kraja: Abazoviqi po të ishte aq shqiptar, nuk do të bënte koalicion me partinë proserbe

    Lajmi i rradhës

    Dy truke për t’ua bërë më të lehtë pastrimin e perdeve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë