Jose Mourinho dhe tifozët e Juventusit asnjëherë nuk bëjnë paqe. Në mbrëmjen e së dielës dy skuadrat e mëdha Juventus dhe Roma u përballën në Allianz Stadium ku Zonja e Vjetër fitoi me rezultat minimal 1-0.
Ishte një ndeshje e dominuar nga Roma, që krijuan shumë dhe mund të thuhet se u mposhtën pa meritë.
Por ajo që u bë virale pas ndeshjes ishte gjesti i Mourinhos kundrejt tifozëve bardhezi.
Curva Sud e Juventusit e fishkëllyen gjatë tërë ndeshjes, teksa Mourinho në fund të saj ua ngriti tre gishta, duke ia kujtuar ‘tripletën’ e fituar me Interin.
Të njëjtën gjë ‘Special One’ kundrejt tifozëve të Juventusit e kishte bërë edhe vite më parë sa ishte trajner i Manchester Unitedit dhe ku dy skuadrat u takuan në Ligën e Kampionëve.
Mourinho pas ndeshjes ka folur për DAZN duke shpjeguar gjestin e tij kundrejt tifozëve bardhezi.
“Natyrisht tifozët e Juventusit nuk janë të dashuruar me mua. Momenti më i vështirë për ta ishte kur fitova tripletën me Interin. Gjithsesi me lojtarët, stafin teknik dhe drejtuesit ka respekt reciprok”, ka deklaruar Mourinho. /Telegrafi/