Ylli më i madh i futbollit polak, Robert Lewandowski, ka njoftuar tërheqjen e tij nga ekipi kombëtar, për aq kohë sa Michal Probierz mbetet në postin e trajnerit.
Lewandowski nuk mori pjesë në ciklin e qershorit të kualifikimeve, duke përmendur lodhjen fizike pas një sezoni të vështirë. Ai kishte deklaruar se ky vendim ishte marrë në konsultim me trajnerin aktual.
Megjithatë, tensionet mes tyre u bënë publike pasi Probierz ia hoqi shiritin e kapitenit dhe ia dha Piotr Zielinskit, veprim që duket se ndikoi në vendimin përfundimtar të sulmuesit të Barcelonës.
Në një njoftim të publikuar, Lewandowski deklaroi se në të ardhmen do të rikthehet të luaj për ekipin kombëtar të Polonisë.
“Duke pasur parasysh rrethanat dhe humbjen e besimit, kam vendosur të mos luaj më për Kombëtaren për sa kohë që ky trajner është në detyrë. Shpresoj që një ditë të mund të kthehem dhe të luaj përsëri për tifozët më të mirë në botë.”
Polonia do të përballet me Finlandën të martën (sot), në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës, por mungesa e Lewandowskit pritet të ndjehet ndjeshëm.
Lewandowski mban rekordet si golashënuesi dhe lojtari me më shumë paraqitje në historinë e Kombëtares së Polonisë, ndaj largimi i tij përbën një goditje të madhe për ekipin.
Edhe pse në moshën 35-vjeçare, Lewa mbetet një figurë kyçe, si në aspektin sportiv ashtu edhe atë motivues për skuadrën dhe tifozët.