“Skuadrën e Guardiolas e presin suspendime të rënda”

    Manchester City është akuzuar nga Liga Premier për shkelje financiare më shumë se 100 herë në hapësirën e nëntë sezoneve.

    Akuzat kundër kampionëve në fuqi kanë të bëjnë me informacionin financiar në lidhje me të ardhurat, detajet e shpërblimit të trajnerit dhe lojtarëve, rregulloret e UEFA-s, përfitimin dhe qëndrueshmërinë me hetimet e Ligës Premier.

    Një deklaratë nga liga tha se shkeljet e supozuara janë kryer nga shtatori 2009 deri në sezonin 2017-18 dhe tani do t’i referohen një komisioni të pavarur.

    Nëse Manchester City shpallet fajtor, ata përballen me një sërë sanksionesh të mundshme duke përfshirë një zbritje pikësh dhe përjashtim.

    Midis datave të përmendura, Man City fitoi tre tituj të Ligës Premier, një Kupë FA dhe tre Kupa Carabao.

    Në deklaratën e Ligës Premier thuhet: “Në përputhje me Rregullën W.82.1 të Ligës Premier, liga konfirmon se ka referuar sot një numër shkeljesh të supozuara të Rregullave të Ligës Premier nga klubi i futbollit Manchester City në një komision”.

    Hetimi filloi në dhjetor 2018 pasi uebsajti investigativ gjerman Der Spiegel publikoi dokumente nga Football Leaks që e kishte origjinën nga hakeri portugez Rui Pinto.

    Ai pretendoi se City kishte: të ardhura të mbivlerësuara nga sponsorizimi, me paratë që paguheshin nga pronarët e klubit në Abu Dabi në vend të sponsorëve të lidhur me shtetin e Gjirit; efektivisht dyfishoi pagat e ish-trajnerit Roberto Mancini nëpërmjet një kontakti të fshehtë me një klub nga Abu Dabi dhe theu rregullat mbi qasjet ndaj lojtarëve të rinj.

    Në shkurt të vitit 2020, klubi u përjashtua nga Liga e Kampionëve dhe u gjobit me 30 milionë euro pasi u zbulua se ata kishin mashtruar seriozisht organin qeverisës të futbollit evropian UEFA dhe kishin thyer rregullat e Fair Play-it financiar.

    Kjo më pas u hoq nga gjykata e arbitrazhit sportiv, e cila gjithashtu uli gjobën e klubit në 12 milionë euro.

    Paneli në atë kohë tha se City kishte treguar një “mospërfillje” për parimin se klubet duhet të bashkëpunojnë me hetimet e një organi drejtues dhe kreu një “pengim të hetimeve”.

    Megjithatë, në konstatimin qendror të dhomës gjyqësore të CFCB-së se klubi që është në pronësi të personave nga Abu Dabi, kishte maskuar fondet e veta si sponsorizim të pavarur nga kompanitë tregtare të shtetit, CAS zbuloi: “Shumica e shkeljeve të supozuara ose nuk ishin vërtetuar ose ishin të parashkruara”.

    Sipas rregullave të Ligës Premier, nuk ka asnjë kufizim të ngjashëm për kohëzgjatjen që nga një shkelje e supozuar.

    Dy vjet pas nisjes së hetimit të Ligës Premier, një gjykatë arbitrazhi urdhëroi Cityn që t’i ofrojë “dokumente dhe informacione të caktuara Ligës Premier dhe të bëjë hetime ndaj palëve të treta”.

    Në korrik 2021, një vendim i Gjykatës së Apelit zbuloi se City kishte kundërshtuar juridiksionin e një paneli arbitrazhi të ngritur nga Liga Premier dhe kishte sfiduar ligjërisht kërkesat për dorëzimin e dokumenteve dhe informacionit.

    Në mars 2019, Liga Premier fillimisht konfirmoi se një hetim ishte duke u zhvilluar pasi një numër i klubeve të ligës ngritën akuza kundër Cityt.

    Lajmi Paraprak

    Burgjet në Iran: thyerje kockash dhe kamzhikë

    Lajmi i rradhës

    Pse duhet konsumuar më shumë mandarina

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë