Sot vendoset për ëndrrën e madhe të botërorit për Përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut

    Kombëtarja e Maqedonisë në futboll sot do të luajë në Porto kundër Portugalisë në fazën e fundit kualifikuese për Botërorin, pasi tri ditë më parë mposhti në gjysmëfinale kampionin e Evropës, Italinë. Kryeministri Dimitar Kovaçevski para pak kohësh premtoi një shpërblim prej 500 mijë eurosh, nëse ekipi i futbollit do zgjidhet në Kupën e Botës në Katar.

    “Ju jeni kampionë për ne, fitues dhe krenaria e të gjithë neve. Ne besojmë në ju dhe për këtë dua t’ju uroj suksese në ndeshjen me Portugalinë. Më e pakta që mund të bëjmë si qeveri është që të ndajmë shpërblim prej 500 mijë eurosh nëse kualifikoheni në Kupën e Botës”, u tha Kovaçevski.

    Në gjysmëfinalen e play-off-it për Kupën e Botës në Katar, të enjten e kaluar, Portugalia mposhti në shtëpi 3:1 Turqinë, ndërsa Maqedonia në Palermo ishte më e mirë se Italia me 1:0.

    Pas kualifikimit të parë historik në Euro 2020, Maqedonia e kërkon edhe atë në Kupën e Botës. Sfida do të luhet në stadiumin “Dragao” të skuadës së Porto-s në Portugali, duke filluar nga ora 21:00.

    Në fushë nga minuta e parë për Maqedoninë e Veriut pritet të jenë katër lojtarë shqiptare: Enis Bardhi, Arijan Ademi, Ezgjan Alioski dhe Visar Musliu.

    Portugalia nga ana tjetër do të kërkojë një tjetër pjesëmarrje në Kupën e Botës, e cila pritet të jetë e fundit për superyllin, Cristiano Ronaldo. Në Kupën e radhës së Botës lojtari i Manchester United do të jetë 41-vjeç.

    Kjo do të jetë përballja e tretë mes dy skuadrave. Dy të parat kanë qenë miqësore. Në 2003, Portugalia fitoi minimalisht 1-0. Sfida e fundit, e luajtur në 2012 përfundoi me rrjeta të paprekura.

    Dueli tjetër i play-off është ai mes Polonisë dhe Suedisë.

    Sfida do të luhet në stadiumin “Silesian” në Poloni, duke filluar nga ora 21:00.

    Përveç dy ndeshjeve të mësipërme, nga Evropa do të ketë edhe një biletë të tretë për Kupën e Botës. Por, për shkak të luftës sfida mes Ukrainës dhe Skocisë është shtyrë për një moment të dytë. Skuadra fituse e këtij çifti do të përballet në finale me Uellsin.

    Lajmi Paraprak

    Keqpërdorën kartelat bankare të 17 personave – padi për dy shkupjanë!

    Lajmi i rradhës

    RMV, 30 mijë euro janë për Planin operativ për punësim për vitin 2022

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë