Cilat janë ‘ulëset më të sigurta në aeroplan’?

    Kur rezervoni një fluturim me aeroplan, a mendoni ndonjëherë se cila ulëse “do t’ju mbronte më shumë” në rast urgjence? Me siguri jo.

    Shumica e njerëzve rezervojnë ulëset bazuar në rehatinë, si për shembull hapësira të bollshme për këmbët apo qasja më e lehtë në tualete, raporton CNN.

    Gjithashtu, njerëzit që udhëtojnë më shpesh me aeroplan mundohen të rezervojnë vendin e tyre sa më afër daljes, në mënyrë që të zbresin më shpejt.

    Dhe, edhe pse ne rrallëherë rezervojmë vendet e fundit të rreshtit të mesëm – bazuar në statistika – ato thuhet se janë më të sigurtat në një aeroplan.

    Udhëtimi ajror është i sigurt

    Para se të analizojmë këtë çështje, duhet të ritheksojmë se udhëtimi ajror është më i sigurt sesa ai tokësor.

    Në vitin 2019, pati pak më pak se 70 milionë fluturime në mbarë globin, ku – nga aksidentet – janë regjistruar 287 viktima.

    Sipas analizës së të dhënave të regjistrimit të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-së, gjasat për të vdekur me aeroplan janë rreth 1 në 205,552, krahasuar me 1 në 102 në një veturë.

    Megjithatë, ne i kushtojmë pak vëmendje aksidenteve rrugore fatale, por kur dëgjojmë për një aksident të një aeroplani, ky lajm pushton ballinat e gazetave dhe ueb-faqeve botërore.

    Interesi ynë për aksidentetet e aeroplanëve qëndron siç duket në dëshirën për të kuptuar pse ndodhin ato, ose cilat janë gjasat që ato të ndodhin përsëri.

    Dhe ndoshta nuk është një gjë e keqe; shqetësimet sigurojnë që këto incidente tragjike të hetohen tërësisht, gjë që ndihmon në mbajtjen e sigurt të udhëtimit ajror.

    Pavarësisht të gjithave, nuk ka nevojë të shqetësoheni për sigurinë kur hipni në një aeroplan. Por nëse ende ju bezdis kjo mëdyshje, qoftë edhe shkaku i kuriozitetit, lexojeni këtë shkrim:

    Në mes, në pjesën e pasme

    Në rrëzimin e United Flight 232 të vitit 1989 në Sioux City, Iowa, 184 nga 269 personat në bord i mbijetuan aksidentit.

    Shumica e të mbijetuarve ishin ulur prapa klasit të parë, drejt pjesës së përparme të aeroplanit.

    Sidoqoftë, TIME shqyrtoi të dhënat e aksidenteve të aeroplanit përgjatë 35 viteve të fundit dhe zbuloi se ulëset e pasme të mesme kishin “shkallën më të ulët të vdekshmërisë”: 28 për qind krahasuar me 44 për qind për ulëset e tjera.

    Edhe kjo ka kuptim logjik.

    Ulja pranë një rreshti daljeje do t’ju ofrojë gjithmonë zbritjen më të shpejtë në rast urgjence, me kusht që të mos ketë zjarr në atë anë. Por në krahët e një aeroplani ka karburant, kështu që kjo s’kualifikon ato si opsion më të sigurt.

    Në të njëjtën kohë, të qenit më afër rreshtave të përparmë do të thotë se do të ndikoheni para atyre në pjesën e pasme.

    Për sa i përket arsyes pse ulëset e mesme janë më të sigurta se ato tek dritaret ose në “korridore”, domethënë, siç mund të prisni, për shkak të “mbrojtjes” që sigurohet nga prania e njerëzve në të dyja anët.

    Disa emergjenca janë më të këqija se të tjerat

    Lloji i emergjencës do të diktojë gjithashtu mbijetesën.

    Aterrimi në një mal do të zvogëlojë shanset për mbijetesë në mënyrë eksponenciale, siç ishte rasti në një fatkeqësi të vitit 1979 në Zelandën e Re.

    Aeroplani i fluturimit TE901 i Air New Zealand u rrëzua në shpatet e malit Erebus në Antarktidë, duke vrarë 257 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit.

    Aterrimi në oqean, ku ‘hunda’ fillimisht prek ujin, gjithashtu zvogëlon shanset për mbijetesë, siç dëshmohet me Fluturimin 447 të Air France të vitit 2009, në të cilin humbën jetën 228 pasagjerë dhe ekuipazhi.

    Por pilotët janë trajnuar për të minimizuar rrezikun e mundshëm në një ngjarje emergjente sa më shumë që të munden.

    Ata do të përpiqen të shmangin goditjen e maleve dhe të kërkojnë një vend të sheshtë, si një fushë e hapur, për t’u ulur sa më normalisht të jetë e mundur.

    Edhe teknika e “uljes” në ujë kërkon vlerësimin e kushteve të sipërfaqes.

    Aeroplanët janë projektuar të jenë shumë të fortë në situata emergjente. Në fakt, arsyeja kryesore që ekuipazhi i kabinës na kujton të mbajmë rripat e sigurimit nuk është për shkak të rrezikut të përplasjes, por për shkak të “turbulencës të ajrit” që mund të përjetohet në çdo kohë në lartësi të mëdha. Është ky fenomen i motit që mund të shkaktojë dëmin më të madh tek pasagjerët dhe aeroplanët.

    Prodhuesit po projektojnë aeroplanë të rinj me më shumë materiale të afta për të përballuar presionin gjatë fluturimit.

    A bën ndryshim lloji i aeroplanit?

    Kuptohet, ka disa variabla, të tillë si ndikimi nga shpejtësia e ajrit, që mund të ndryshojnë pak midis llojeve të ndryshme të aeroplanëve.

    Megjithatë, “përbërja” është pak a shumë e njëjtë në të gjithë aeroplanët.

    Në përgjithësi, aeroplanët më të mëdhenj do të kenë më shumë material strukturor dhe për këtë arsye më shumë forcë për t’i bërë ballë presionit në lartësi.

    Kjo nënkupton se ata mund të ofrojnë një mbrojtje shtesë në rast urgjence – por kjo, përsëri, varet shumë nga ashpërsia e “përplasjes”. Andaj, kjo nuk do të thotë që ju duhet të rezervoni fluturimin tuaj të ardhshëm në aeroplanin më të madh që mund të gjeni.

    Pavarësisht të gjithave, siç e kemi përmendur edhe më herët, udhëtimi ajror mbetet shumë i sigurt.

    Lajmi Paraprak

    Këmbimi i përgjithshëm tregtar në vitin 2022 ishte mbi 20 milionë euro

    Lajmi i rradhës

    200 MILIONË EURO PËR 10km! Kontratë shtesë për rrugën Shkup – Bllacë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë