A mund të ndryshojnë vërtet njerëzit?

    Ka shumë arsye pse ne mund të dëshirojmë të ndryshojmë veten ose njerëzit që na rrethojnë. Për shembull, nëse keni bërë gabime, mund të pendoheni dhe t’i premtoni vetes se do të ndryshoni. Ose, nëse mendoni se diçka nuk është në rregull me ju, mund të jeni përpjekur të ndryshoni, por mund të mos keni pasur sukses, thotë Aimee Daramus, një psikologe klinike e licencuar dhe autore e “Understanding Bipolar Disorder” (Të kuptuarit e çrregullimit bipolar).

    Damarus vëren se ju gjithashtu mund të dëshironi të ndryshoni dikë që e doni, si fëmija ose partneri/ja. Fjalët ose veprimet e tyre ju kanë lënduar ose mërzitur dhe mund të dëshironi që ata të ndryshojnë. Ndonjëherë, ndodh që ta keni të vështirë t’i doni nëse nuk ndryshojnë. 

    Por, a mund të ndryshojnë njerëzit?

    Me siguri e keni dëgjuar shprehjen “Ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron”, që në thelb do të thotë se njerëzit kanë lindur në një mënyrë të caktuar dhe nuk mund të ndryshojnë. Sidoqoftë, hulumtimet sugjerojnë që ndryshimi në fakt është i mundshëm.

    Për shembull, një studim i vitit 2016 zbuloi se njerëzit që donin të ndryshonin aspekte të caktuara të personalitetit të tyre qenë në gjendje ta bënin këtë dhe se përjetuan mirëqenie të shtuar nëse ndryshimi përputhej me qëllimet që i vunë vetes. Një përmbledhje e vitit 2017 që analizoi rezultatet e 207 studimeve, zbuloi se njerëzit mund të ndryshojnë personalitetin e tyre dhe të përjetojnë përmirësime në kushtet e shëndetit mendor me mbështetjen e terapisë.

    Megjithatë, është e rëndësishme të kuptohet se ndryshimi nuk është i lehtë. Prandaj, është i mundur, por jo i garantuar, veçanërisht nëse dikush nuk është i hapur për të ndryshuar.

    “Ndonjëherë njerëzit nuk janë emocionalisht gati për të ndryshuar. Kur iu jepet një zgjedhje, shumë njerëz do të zgjedhin një situatë të keqe që e njohin në vend të përmirësimit i cili është i panjohur,” thotë Daramus.

    Ajo vë në dukje se ndonjëherë, përpjekja për të ndryshuar dikë mund të jetë një formë e fshehtë e manipulimit. Prandaj, nëse personi që po përpiqeni të ndryshoni është dikush tjetër përveç vetes suaj, pavarësisht sa shumë dëshironi që të ndryshojë, shpesh nuk keni gjë në dorë.

    Duhet të kini parasysh që mund t’u ofroni kurajë dhe mbështetje, ose madje të bëheni shembull për ta dhe të jepni një shembull pozitiv. Mund t’u sugjeroni terapinë. Sidoqoftë, ju nuk mund t’i kontrolloni veprimet e tyre dhe fund të fundit, është në dorën e tyre./Anabel/

    Lajmi Paraprak

    VOA: Bie mbështetja e publikut për Biden, sekretarja e Shtëpisë së Bardhë tregon arsyet

    Lajmi i rradhës

    FMN-ja ul pritshmëritë e rritjes globale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë