Jo çdo fëmijë që luan vetëm është i vetmuar

    Fëmijët që kënaqen me aktivitetet e tyre, por ruajnë lidhje të mira me bashkëmoshatarët, mund të mos kenë nevojë për ndërhyrjen e të rriturve

    Prindërit shpesh shqetësohen kur vërejnë se fëmija i tyre luan vetëm gjatë pushimit ose kohës së lirë. Megjithatë, një studim i ri i University of Georgia në SHBA tregon se loja e pavarur nuk është gjithmonë arsye për shqetësim.

    Studiuesit theksojnë se disa fëmijë thjesht e pëlqejnë shoqërinë e vet. Ajo që ka më shumë rëndësi nuk është sa kohë kalon fëmija vetëm, por nëse vazhdon të ndiejë përkatësi dhe lidhje me të tjerët. Një fëmijë që është i lumtur duke u marrë me aktivitetet e veta gjatë pushimit mund të mos ketë nevojë që të rriturit të ndërhyjnë.

    Ekzistojnë dy grupe fëmijësh që zgjedhin vetminë

    Studimi përfshiu 473 nxënës të moshës 9 deri në 11 vjeç, nga klasa e katërt dhe e pestë. Studiuesit analizuan mënyrën si fëmijët i përjetojnë marrëdhëniet me bashkëmoshatarët dhe sa e rëndësishme është për ta ndjenja e përkatësisë.

    Ata identifikuan dy grupe të ndryshme të fëmijëve që luajnë shpesh vetëm, transmeton Telegrafi.

    1. Fëmijët që e vlerësojnë përkatësinë

    Këta fëmijë e pëlqejnë shoqërinë e vet dhe kënaqen me aktivitete individuale, por njëkohësisht u interesojnë miqësitë dhe marrëdhëniet me të tjerët.

    Ndonjëherë pranojnë ftesa për lojë që të mbeten pjesë e grupit, ndërsa herë të tjera i refuzojnë pa problem, kur duan pak qetësi. Në përgjithësi, këta fëmijë janë të kënaqur me miqësitë e tyre dhe me vendin që kanë në klasë.

    Autorja e studimit dhe psikologia shkollore Rachael Pfanz shpjegon se fëmijët e kësaj kategorie preferojnë shpesh të jenë vetëm dhe të merren me gjërat e veta, por njëkohësisht dinë të krijojnë marrëdhënie të mira me të tjerët.

    2. Fëmijët për të cilët përkatësia nuk është e rëndësishme

    Ky grup shfaq prirje më të madhe për t’u distancuar plotësisht nga të tjerët.

    Duke refuzuar vazhdimisht ftesat e bashkëmoshatarëve, me kalimin e kohës këta fëmijë mund të marrin gjithnjë e më pak ftesa. Kjo mund të çojë në izolim të vërtetë dhe në marrëdhënie më të dobëta si me miqtë, ashtu edhe me shokët e klasës.

    Profesorja Michele Lease, bashkautore e studimit, thekson se disa gjëra i bëjmë sepse e dimë se na bëjnë mirë. Sipas saj, e njëjta gjë vlen edhe për ndërveprimin shoqëror: refuzimi i vazhdueshëm i kontakteve me të tjerët mund të sjellë pasoja më të këqija në afat të gjatë.

    Këshilla për prindërit dhe mësuesit: Mos i detyroni në grupe të mëdha

    Studiuesit theksojnë se të rriturit nuk duhet të supozojnë automatikisht se një fëmijë që luan vetëm duhet “shpëtuar” ose futur me zor në aktivitete të mëdha shoqërore.

    Për disa fëmijë, grupet e mëdha dhe të zhurmshme mund të jenë të lodhshme ose të pakëndshme.

    Shmangni presionin. Mos insistoni që fëmija të përfshihet menjëherë në grupe të mëdha, si për shembull në një lojë futbolli në oborrin e shkollës, nëse kjo e bën të ndihet në siklet.

    Afrojeni gradualisht me të tjerët. Një zgjidhje më e mirë mund të jetë njohja me grupe më të vogla ose me fëmijë që kanë interesa dhe mënyrë loje të ngjashme.

    Gjetjet janë veçanërisht të rëndësishme për moshën 9 deri në 11 vjeç, periudhë kur fillojnë të formohen grupe më të qëndrueshme miqësie dhe kur fëmijët dallojnë më qartë mes atyre që zgjedhin vetminë dhe atyre që mbeten jashtë grupit.

    Nëse një fëmijë që luan vetëm është i lumtur dhe njëkohësisht ka marrëdhënie të mira me të tjerët, studiuesit vlerësojnë se ndërhyrja e të rriturve mund të mos jetë e nevojshme. /Telegrafi/

    Lajmi Paraprak

    12 vende europiane kërkojnë që BE-ja të forcojë praninë në Arktik përballë kërcënimeve ruse dhe kineze

    Lajmi i rradhës

    Paralajmërim: demokracia jonë nuk do t’i mbijetojë vdekjes së leximit – vazhdoni të lexoni, nëse ende mundeni

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë