Fshehja e dijes

    Justinian Topulli

    Shprehja popullore “hedh një budalla një gur në lum dhe 100 të mençur nuk e nxjerrin dot” nuk vjen vetëm në kuptimin negativ, se nuk duhet të merresh me gurin që u hodh, por tregon ndër të tjera se një budallallëk, një dilemë, një dyshim, një trillim, një e pavërtetë mund të zër vend tek njerëzit e thjeshtë dhe të kërkojë kohë dhe mund për t’u sqaruar dhe dekonstruktuar nga njerëzit e mençur.

    Kjo, jo për shkak të kësaj të pavërtetës, por për shkak të njerëzve të thjeshtë që mund ta kenë shumë të vështirë për ta kuptuar të vërtetën dhe refuzuar këtë të pavërtetë.

    Sqarimi i dilemave dhe paqartësive merr kohë më të gjatë për t’ua qartësuar publikut, sesa vetë hedhja e “shashkës”. Derisa ta kuptojnë njerëzit se ajo që plasi nuk qe një bombë, por një shashkë që bën vetëm zhurmë dhe asgjë më shumë, kërkon kohë dhe sqarime të shumta. Duke qenë se një pjesë nuk kanë nerva dhe durim të sqarojnë “shashkën”, i bien shkurt duke thënë mos u merrni me të dhe mos i jepni rëndësi!

    Një nga shashkat që ka disa kohë që hidhet është se dijetarët dhe hoxhallarët u kanë në fshehur njerëzve dijen e fesë, duke mos u treguar atyre të vërtetën për disa gjëra! Për këtë dikush paraqiti edhe një dijetar i cili thoshte se fshehja e dijes ndaj njerëzve të rëndomtë është detyrë, sepse ajo u prish fenë atyre. Dhe më pas, në mënyrë të turpshme dhe të ulët e aspak akademike citoi disa gjëra, të cilat pretendohet se janë “bombat” që i janë fshehur xhematit nga të vërtetat e Islamit!

    Së pari, nëse fjalët që thonë disa njerëz se hoxhallarët na e kanë fshehur fenë ka për qëllim gjëra që as vetë hoxhallarët nuk i kanë ditur, atëherë ata nuk kanë pse të fajësohen për këtë gjë. Ama nëse bëhet fjalë për çështje fare dytësore, teknike, kuriozitete, histori etj. të kësaj natyre, atëherë kjo nuk është “feja e fshehur”, por “kuriozitete”, sepse ajo për të cilën kanë nevojë njerëzit dhe janë themelet e fesë dhe i nevojiten njeriut për të shpëtuar në botën tjetër padyshim që u është thënë dhe stërthënë njerëzve.

    Së dyti, burimet thelbësore të fesë islame janë dy: teksti i Kuranit dhe tekstet e haditheve, ndërsa të gjitha tekstet e tjera janë shpjegime, interpretime, deduktime, histori dhe dije të zhvilluara që lidhen me këto dy burime. Ndërkohë si Kurani ashtu edhe Hadithet janë dhe kanë qenë gjithmonë të ekspozuara dhe në asnjë çast të historisë së muslimanëve nuk ka ekzistuar ndonjë tekst i fshehur kuranor apo hadithor, i veçantë i ruajtur dhe i njohur vetëm nga disa njerëz, siç bie fjala mund kenë fe të tjera.

    Thuhet p.sh. se Vatikani ka një fond sekret librash, të cilat nuk mund t’i lexojë çdo kush. Në Islam nuk ka të tillë libra, jo vetëm ata që lidhen me Kuranin dhe Hadithin, por as të dijeve mbi këto dy burime, çdo literaturë islame është e mundur të njihet dhe lexohet nga të gjithë, aq më tepër sot, kur epoka digjitale ka mundësuar për të pasur në dorë me qindra mijëra libra në mënyrë elektronike dhe për të kërkuar në to me lehtësinë më të madhe, çfarë të duash të lexosh.

    Së treti, kur dijetarët islamë flasin për “fshehje” të dijes kanë për qëllim mos përfshirjen e njerëzve të rëndomte në çështje dytësore dhe teknike, që nuk i kuptojnë dhe që nuk kanë nivelin e duhur për t’i kuptuar. Nuk besoj se ka dije në botë, që të mos jetë e tillë. Dhe nuk besoj se ka nevojë të japim shembuj në këtë drejtim, sepse kjo është abc-ja e çdo dije.

    Së katërti, kemi përmendur edhe më parë, se pretendimi që kanë shiat apo edhe grupime të tjera, se Aliu (radijaAllahu anhu) apo Ehli Bejti kanë trashëguar nga Profeti (alejhi salatu ue selam) një dije të veçantë që nuk e kanë ditur të tjerët, është kokë e këmbë e pavërtetë, e mohuar nga vetë Aliu në mënyrë publike. Kush thotë tjetër gjë vetëm se flet broçkulla.

    Së pesti, fshehja e dijes së Allahut për njerëzit është haram në Islam. Allahu thotë në Kuran: “Kur Allahu mori zotimin nga ata që u ishte dhënë Libri, se do t’ua sqaronin atë njerëzve dhe nuk do ta fshihnin. Por ata e lanë pas dore atë amanet për një çmim të ulët të kësaj jete. Sa e keqe është ajo që blenë!” (Ali Imran: 187)
    Dhe thotë: “Mbi ata që i fshehin argumentet e qarta dhe udhëzimin që Ne shpallëm, pasi Ne ua sqaruam ato njerëzve në Libër, do të bjerë mallkimi i Allahut dhe mallkimi i mallkuesve.” (el-Bekare: 159)
    Po kështu nga Ebu Hurejra përcillet se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush pyetet për një (çështje) dije dhe ai e fsheh atë, atij do t’i vendoset një kapistall prej zjarri Ditën e Kiametit.” (Ahmedi 7571, Ebu Daudi 3658, Tirmidhi 2649.)

    Gjithashtu Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Kumtoni prej meje qoftë edhe një ajet.” (Buhariu 3641) Pra çdo gjë, minimalja qoftë edhe një ajet të vetëm, mos lini pa e përcjellë atë.

    Dhe ai thoshte vazhdimisht ndër të tjera edhe në hutben e lamtumirës në Arafat, ku e dëgjuan me mijëra njerëz: “Ai që është prezent prej jush le t’ua kumtojë atyre që nuk janë prezent.” (Buhariu 105)

    Argumentet në këtë drejtim janë të shumta, kështu që nuk e dimë sesi mund të guxojë dikush ta mendojë e jo më ta shpreh se mbarë ymeti islam, që nga fillimet e tij ka guxuar të fshehë të vërteta të fesë, duke i mbajtur ato për vete?! Dhe për më tepër vjen ky sot dhe i zbulon këto “të vërteta”! Kjo nuk është gjë tjetër vetëm se akuzë për mungesë sinqeriteti dhe mashtrim të mijëra e mijëra dijetarëve dhe lëvdatë e nënkuptuar e vetes për sinqeritet dhe vërtetësi! Kjo do të thotë se Allahu në gjithë këtë ymet nuk paska dashur dhe mëshiruar asnjë ose shumë pak njerëz, dhe këta na qenkan disa bashkëkohorë! Nuk e di nëse ka idiotësi më të madhe sesa kjo që njerëzit ta besojnë! Sigurisht jetojmë në kohë të çuditshme dhe turma që nuk logjikojnë gjenden përherë.

    Së gjashti, sigurisht që edhe pse feja islame nuk ka asgjë të fshehtë, dhe çdokush mund të lexojë të gjithë literaturën e saj, njerëzit e dijes nuk janë të obliguar që çdo detaj dhe imtësi, që nuk i vlen dhe nuk i bën dobi shumicës njerëzve t’i thonë ato nëpër hutbe apo mësime dhe ligjërime publike. Kjo është kaq normale dhe vlen për çdo dije, qoftë kjo fetare ose jo, saqë është budallallëk të mendosh ndryshe.

    Muadh ibn Xhebeli tregon se një herë ai ishte me të Dërguarin e Allahut dhe ndër të tjera ai i tha: “E drejta e Allahut ndaj njerëzve është ta adhurojnë dhe të mos i bëjnë ortak Atij, ndërsa e drejta e njerëzve ndaj Allahut është të mos i ndëshkojë ata që nuk i bëjnë ortak Atij asgjë.” Pas këtyre fjalëve Muadhi e pyeti: “A t’i përgëzojë njerëzit me këtë gjë?” Dhe Profeti iu përgjigj: “Mos i përgëzo, që të mos mbështetën pas kësaj.” (Buhariu 2856) Dhe Muadhi e tregoi këtë hadith vetëm në prag të vdekjes, nga frika se mos përfshihej nga ndëshkimi i atyre që fshehin dijen.

    Mjafton një përqendrim i thjeshtë për të kuptuar pse në këtë rast Profeti i tha që të mos e përhapte këtë lajm përgëzues, dhe sigurisht jo ta fshihte atë plotësisht, sepse kjo nuk do të ishte e dobishme për shumicën e njerëzve. E megjithatë ky hadith nuk thotë në thelb diçka që nuk dihet nga argumente të tjera nga Kurani dhe thënie të tjera publike të Profetit. Të tilla janë edhe disa hadithe që janë nëpër libra, dhe aspak të fshehur, që janë detaje specifike për çështje të caktuara që nuk i interesojnë shumicës së njerëzve dhe që nëse thuhen në publik duhen sqaruar me detaje që të mos keqkuptohen, sidomos kur bëhet fjalë për çështje që lidhen me një kontekst të caktuar ngjarjesh, kulture apo dispozita specifike.

    Dhe kjo është krejt normale dhe në to nuk ka asgjë të fshehtë për të gjithë ata që duan t’i dinë ato. Ky është një orientim profetik për njerëzit e ditur që të jenë të urtë e të matur me njerëzit kur u mësojnë atyre fenë. Njëlloj si fëmijës së vogël që ushqehet me gji dhe nuk mund t’i jepet të hajë mish të pjekur, apo atij që sapo ka mësuar abetaren t’i jepen të lexojë libra shkencorë. Dhe shumica e njerëzve mbeten fëmijë në shumë fusha të dijes sado që të rriten, kështu që çfarë dobie ka t’iu thuhen gjëra që nuk kanë kapacitet t’i kuptojnë? Nëse kjo do të bëhej, siç ndodh jo rrallë, vetëm se ngatërron dynjanë dhe pështjellon situatën duke shkaktuar fitne dhe zallamahi të panevojshme. Dhe kjo vlen për të gjitha dijet dhe dija e fesë nuk bën përjashtim në këtë drejtim.

    Le të marrim një rast, jo nga hadithet, por nga Kurani, që është më publik se çdo tekst tjetër i Islamit.
    Allahu në një ajet në Kuran (4:23) na përmend se cilat janë gratë që nuk lejohet të martohesh me to. Në të Ai nuk përmend kushërirat, që do të thotë se ato nuk hyjnë në ndalesë. Por sigurisht që nuk është detyrim aspak martesa me to. Tani kjo dispozitë është e njohur në Kuran, por ka njerëz që nuk e dinë.

    Ne jetojmë në një rajon apo kulturë ku kjo gjë konsiderohet diçka e papranueshme, edhe pse as Bibla dhe as mjaft fe dhe kultura të tjera nuk e ndalojnë. Gjithsesi ndjekja e kësaj kulture të veçantë nuk e cenon fenë dhe as bie ndesh me të dhe një nga rregullat e Sheriatit është respektimi i kulturave dhe traditave lokale kur ato nuk bien ndesh me fenë. Dhe në këtë rast nuk bie ndesh. Kështu që çfarë dobie ka t’iu ligjërohet njerëzve, që të ndjekin këtë kulturë ndalimi, se feja e lejon martesën me ato që nuk përmenden në ajetin e Kuranit?

    Sot mund të jetë më e lehtë të kuptojmë larushinë e traditave dhe kulturave të ndryshme, se në mjaft raste ato kanë elementë që nuk janë universalë, por janë tejet të veçanta për një popull apo komb të caktuar, kështu që të paragjykosh apo të anatemosh elementë kulturorë të një populli duke iu referuar kulturës tënde, sikur ajo të ishte shpallje hyjnore, është racizëm dhe supremaci kulturore.

    Njeriu duhet t’i respektojë kulturat e ndryshme dhe nuk ka pse t’i kritikojë ato, nëse ato nuk bien ndesh me parimet morale që përcakton Zoti.

    Pikërisht nisur nga kjo urtësi, përcillet nga disa prej sahabëve se kanë thënë që, njerëzve t’iu flitet me atë që njohin dhe kuptojnë, sepse ndryshe ata mund të mohojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, apo se kur njerëzve u thuhet diçka që nuk e kuptojnë për ndonjërin prej tyre këto gjëra mund të bëhen sprovë.

    Pikërisht kjo është dija që “fshihet” nga njerëzit dhe që “mëtuesit sharlatanë të së vërtetës së fshehur” i kanë vënë vetes mision t’ua “zbulojnë” njerëzve! Në fakt këta mëtues janë vetë viktima të keqkuptimi dhe injorancës së tyre, dhe këtë sëmundje duan t’ua përhapin edhe të tjerëve. Kjo është e vërteta lakuriqe, edhe pse shumë nga këta që e bëjnë këtë nuk e kuptojnë dhe mund të jenë të sinqertë në ndërmarrjen e tyre idiote “çlirimtare”.

    Lajmi Paraprak

    Rëndësia e ushqyerjes në shëndetin mendor të fëmijëve

    Lajmi i rradhës

    “Më shtrenjtë se në Zvicër”, mërgimtarët gjallërojnë Tetovën, por ankohen për çmime të larta

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë