Ramazani si shkollë hyjnore

    Enall Jakupi
    Doktor i Shkencave Islame

    Në ditën e parë të muajit të bekuar Ramazan, agjëruan gati dy miliardë njerëz me përkatësi të besimit Islam. Po ai numër do të vazhdojë dhe do t’i agjërojnë edhe ditë tjera me radhë. Një agjërim i llojit të veçantë ku prej agimit të ditës deri në perëndimin e diellit, ku ata ju largohen të gjitha llojeve të pijeve, ushqimeve dhe pasioneve. Doktor i Shkencave Islame Enall Jakupi, për Nistori shpjegojn dobitë që përfitojnë agjëruesit në aspektin islam.

    Dobia më e madhe që do të përfitojnë agjëruesit

    Si përgjigje e këtyre pyetjeve mund të përmenden shumë dobi të shumta shëndetësore, morale, por dobia më e rëndësishme që duhet të mësohet është respekti. Agjërimin që e praktikojmë duke u larguar prej gjërave esenciale të mbijetesës (ujit dhe ushqimit), për hir të Zotit, ku thotë i Lartësuari:

    “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (El-Bekare: 183)

    Duhet të kuptojmë se në të ka urtësi të shumta madhështore, por ne duhet të kemi bindje të paluhatshme, sepse shenjtërimi i urdhrave të Zotit dhe respektimi i tyre është mësimi që ne duhet ta mësojmë në Ramazan. Ky synim ceket në fund të ajetit të lartpërmendur ku Zoti i Lartësuar thotë:

    “……kështu që të bëheni të devotshëm.” (El-Bekare: 183)

    Pra, për hir të devotshmërisë – bindjes së urdhrave të Zotit dhe respektimi i tyre, kanë agjëruar të gjithë profetët e Zotit. Komentatori i Kuranit Imam Es-Sujutiu në librin e tij: El-Vesa’il ila Marefit El Avail ka përmendur:

    • Profeti Adem kur u dëbua nga Xheneti, e kishte lutur Zotin t’ia falte gabimin që e kishte bërë në Xhenet dhe në shenjë pendimi ai i kishte agjëruar tri ditë për hir të Zotit të Madhëruar. E pasi Zoti ia pranoi pendimin, ai vazhdoi dhe derisa ishte gjallë, për çdo muaji i agjëronte nga tre ditë. Pra, për çdo vit i agjëronte 36 ditë.
    • Profeti Nuh, në shenjë falënderimi që Zoti e shpëtoi nga përmbytja e madhe i agjëronte çdo muaj tri ditët e bardha të kalendarit hënorë.
    • Edhe profeti Davud kishte një agjërim të veçantë. Për agjërimin e tij tregon i Dërguari ﷺ e ju thoshte:

    “Agjërimi më i dashur tek Allahu ishte agjërimi i Davudit, një ditë agjëronte, e një ditë hante. Dhe, namazi më i dashur tek Allahu është namazi i Davudit , i cili, flinte gjysmën e natës, pastaj falej një të tretën dhe flinte një të gjashtën.” [1]

    Pra, sipas këtij lajmi ai për çdo vit i kishte agjëruar 182 ditë. Kështu agjëruan edhe Musa dhe Haruni dhe të gjithë profetët dhe ndjekësit e tyre.

    Po Muhamedi ﷺ agjëronte aq shumë sa që i bashkonte dy tre ditë pa ngrënë syfyr se e dinte se agjërimi e kishte ndikimin e madh në pastrimin e shpirtit. Ai agjërimin e dinte si një metodë më efikase të edukimit të njeriut. Këtë e praktikonin gratë e ndershme të sahabëve dhe e dinin se agjërimi kolektiv si Ramazani, ishte një mundësi shumë e volitshme për t’ua mësuar fëmijëve durimin, prandaj fillonin t’i nxitnin fëmijët e tyre për durim. Rrëfen Rubej’ bint Muavvidh duke thënë: “Ne prej atëherë (Ashures: ditës së dhjetë të muajit Muharrem) filluam të agjërojmë rregullisht atë ditë, po kështu i bënim edhe fëmijët ta agjëronin. U bënim atyre kuklla prej leshi dhe nëse qanin për të ngrënë, u jepnim atyre këto kuklla derisa të vinte koha e iftarit për të prishur agjërim”.[2]

    Kështu gjatë historisë gjithmonë ka pasur nëna të cilat gradualisht i kanë edukuar fëmijët e tyre në praktikimin e këtij urdhri hyjnorë, ashtu siç duhet që fëmijët e tyre të edukohen në frymën islame. Me siguri me kalimin e kohës, kjo praktikë do të ketë efekte të dukshme në sjelljen e fëmijës.

    Mustafa Mahmudi pas shumë viteve kishte rrëfyer edukimin e nënës së tij se si ajo me agjërimin e ditëve të Ramazanit në zemrat e tyre ua mbjellte edhe respektimin e shejntërisë së muajit të Ramazanit duke thënë:

    “Kur ishim të vegjël si fëmijë, unë mllefosesha me nënën time, se ajo më ndalonte mua dhe vëllezërit e mi të shikonim programin: “Gjëegjëzat e Ramazanit” në televizor, ndërsa të gjithë shokët e mi e shikonin atë. Nuk e kuptoja logjikën e nënës sime, atëherë e konsideroja si gjë e kotë, por edhe si ekstremizëm fetar se nuk mundesha ta kuptoja se si shikimi i “Gjëegjëzat e Ramazanit” do të ndikonte negativisht te fëmijët e vegjël në muajin e Ramazanit?!

    Kaluan vite, derisa Zoti deshi që përgjigjja të më vinte nga një plak në cepin tjetër të globit. Caktimi i jetës më kishte sjellë në ShBA, atje mësoja po edhe punoja për t’i siguruar harxhimet e studimeve të mia. Një ditë më kujtohet, kur para Krishtlindjeve duke shkuar rrugës për në punë u ndala në një pikë karburanti ku e kisha si traditë që sa herë kur unë bleja karburant e bleja edhe një kafe. Derisa e mbushja makinën me karburant, hyra të blej edhe kafen time, aty pashë atë plakun i cili ia vendoste drynat frigoriferit pijeve alkoolike. Kur u ktheva ta bëja pagesën te arka, pasi unë ende isha i ri në Amerikë dhe i dija të gjitha ligjet e vendit dhe e pyeta:

    Pse mu këtë frigorifer (të pijeve alkoolike) e mbyllni?!

    Ai u përgjigj: Ky është frigoriferi i pijeve alkoolike, ligjet e shtetit ndalojnë shitjen e pijeve alkoolike natën dhe ditën e Krishtlindjeve.

    E pyeta i habitur: A nuk është Amerika një shtet e laik e cila zyrtarisht nuk i praktikon parimet fetare?! Pse do të ndërhynte shteti në diçka të tillë?

    Ai u përgjigj: RESPEKTI duhet të ekzistoj. Të gjithë qytetarët duhet të respektojnë lindjen e Krishtit dhe në atë ditë nuk duhet të konsumojnë alkool e si rrjedhojë të dehen, edhe nëse nuk janë fetar.

    Pastaj shtoi: “Nëse ne si shoqëri humbim respektin, do të humbim gjithçka.”

    Atje në Amerikë, pas shumë viteve e kuptova se pse gjatë gjithë Ramazanit nëna ime televizorin e kthente kah muri.

    Ai plaku amerikan më bëri të kuptojë se: Edhe pse pirjen e alkoolit në netët dhe ditët e Krishtlindjeve, shumica e fraksioneve krishtere në Amerikë nuk e ndalojnë, por çështja nuk ishte: LEJESA (hallalli) apo NDALESA (harami), por është çështje respekti. Ata Krishtlindjet i kuptonin si një mysafir që i vizitonte për çdo vit për t’ua kujtuar lindjen e Krishtit – paqja qoftë mbi të- e pirja e alkoolit në ato ditë dhe dehja konsiderohet si jo respekt për mysafirin.

    Pastaj shtoi duke thënë: Dehuni dhe adhuroni një ditë tjetër, nëse kjo është mënyra juaj e jetesës…ju jeni të lirë, por në këtë ditë të gjithë duhet ta respektojnë këtë mysafir, pavarësisht ligjit…

    Pyetja: Shoqëria jonë që nga përkatësia fetare janë myslimanë a kanë respekt për muajin e shenjtë që na viziton një herë në vit ?!

    A nderohen ndjenjat e agjëruesve aq sa i respektojnë agjëruesit në perëndim?!

    Pyetje të shumta që duhet të na bëjnë që Ramazani nuk duhet të kuptohet si muaji i ahengjeve e mbrëmjeve me darka në të cilat shkelen urdhrat e Zotit dhe nuk falen namazet: Akshami e Jacia e as Teravija duke bërë biseda e duke ngrënë ushqime me orë të tëra.

    Mësimet e rëndësishme që duhet t’i mësojmë gjatë muajit të Ramazanit

    Një gjë duhet ta dijë agjëruesi: Agjërimi nuk është vetëm braktisja e pijes apo ushqimit gjatë tërë ditës, por agjërimi është një trajnim që prej tij duhet t’i mësojë mësimet madhështore për 11 muaj tjerë:

    • Shkolla e Ramazanit duhet të na mësojë: Me përpikëri në organizmin e jetës tonë. Pra, ashtu siç mundemi të organizohemi në minutat e caktuar dhe të bashkohemi para tryezave tona për të ngrënë me harmoni ushqimin e iftarit dhe syfyrit, të cilat janë arsyet më të rëndësishme për të agjëruar ditën, ne duhet të jemi në gjendje ta dijmë vlerën e kohës dhe ta shfrytëzojmë çdo moment, për të bërë gjithçka që i sjell dobi vetes dhe shoqërisë tonë.
    • Shkolla e Ramazanit duhet të na mësojë: se nevoja e të varfërve për ushqim e veshje është shumë serioze. Neve jo vetëm gjatë Ramazanit, por edhe gjatë gjithë vitit duhet të interesohemi për skamnorët e qyteteve tona të cilët nuk dalin në rrugë me orë të tëra vetëm se ata kanë nevojë. 
    • Shkolla e Ramazanit duhet të na mësojë se pasi që jemi të aftë t’i ruajmë gojët tona nga pirja apo ngrënia gjatë ditës, ne duhet t’i mbrojmë gjuhët nga mallkimet, nga lëndimi i njerëzve e përhapja e dezinformatave, gënjeshtrave dhe thashethemeve mes njerëzve edhe pas Ramazanit.
    • Shkolla e Ramazanit duhet të na mësojë se agjëruesi i cili e kontrollon dhe e ruan epshin e tij gjatë ditës dhe i largohet çdo kontakti me bashkëshorten të cilën e ka lejuar dhe ruan agjërimin e tij, ai pas Ramazanit e ka të e lehtë që ta mbrojë nderin e tij edhe pas Ramazanit.
    • Shkolla e Ramazanit duhet të na mësojë: bashkimin familjarë në vazhdimësi, ashtu si mblidhemi në një tryezë për të ngrënë iftar për çdo natë të mundohemi që të bashkohemi edhe në çështjet që janë më të rëndësishme se ushqimi dhe pija.
    • Shkolla e Ramazanit duhet të na mësojë: Suksesi është i mundur, por i kushtëzuar me ndryshim. Pra, ashtu siç mundemi të heqim dorë nga ushqimi dhe pijet, të cilat janë arsyet më të rëndësishme për të jetuar, ne duhet të jemi në gjendje të heqim dorë edhe nga ajo që është më pak e rëndësishme apo e dëmshme, siç është pirja e duhanit, drogës, alkoolit, bixhozit dhe të gjithë traditave që na kushtojnë e na dëmtojnë shëndetin dhe jetën tonë sociale dhe ekonomike.

    Për çdo vit Ramazani na vërteton se Ai i cili ka mundësi ta adhuroj Zotin me dëshirë dhe frikë dhe e respekton urdhrin e Tij një muaj të tërë, Ai ka mundësi ta adhurojë dhe t’i bindet Zotit edhe pas Ramazanit.


    [1] Buahriu, nr: 1131

    [2] Buahriu, nr: 1960

    Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Debat urgjent për Ballkanin Perëndimor

    Lajmi i rradhës

    “Çmendet” Benzema, shënon dy gola me kokë në portën e Chelsea (Video)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë