Zgjedhja e Presidentit të bëhet në Kuvend, duket se është tema kryesore e BDI-së në këtë periudhë parazgjedhore, edhe pse me të njëjtën kërkesë doli edhe opozita shqiptare. Zëdhënësi i BDI-së, Arbër Ademi, edhe sot përsëriti se kjo ide është e liderit të partisë Ali Ahmeti, me dy të tretat dhe shumicën sipas Badenterit me qëllim që të shmanget imponimi i vullnetit të dy partive më të mëdha politike maqedonase. Arsye shtesë për këtë, siç shton, është edhe kursimi i parave nga zgjedhjet.
“Të gjithë qytetarët do të kursehen edhe nga fushatat dhe pjesëmarrja në zgjedhje për poste që kanë karakter protokollar. Jemi të zhgënjyer që VMRO-DPMNE e sheh barazinë si shantazh dhe nxiton si gjithmonë të refuzojë idetë progresive për shkak të robërisë së mendjes konservatore në dominimin e imagjinuar etnik në shtetin e përbashkët”, theksoi Arbër Ademi, zëdhënës i BDI-së.
Por, për VMRO-DPMNE-në kjo është e papranueshme sepse siç sqarojnë, presidenti i shtetit duhet të zgjidhet në zgjedhje të drejtpërdrejta. Këtë ide e vlerësojnë si kërkesë nacional-romantike që u shërben vetëm para zgjedhjeve.
“Kjo pritej nga BDI-ja në, që mungesë të argumenteve reale, projekteve reale, asaj që paraqesin probleme thelbësore të qytetarëve të cilat si pushtet në këto 20 vite nuk arritën t’i zgjidhin, të dalin me kërkesa të tilla nacional-romantike. Qëndrimi ynë është se VMRO-DPMNE-ja as nuk bisedon, e as nuk negocion nën shantazhe, e aq më pak nuk pranon shantazhe”, pohoi Brane Petrushevski, VMRO-DPMNE.
Por, siç duket jo vetëm për VMRO-DPMNE-në, por kjo ide është e papranueshme edhe për LSDM-në. Ata dje dolën me kumtesë se e hedhin poshtë këtë kërkesë.
“LSDM-ja mbetet në qëndrim se presidenti i shtetit duhet të zgjidhet nga qytetarët në zgjedhje të drejtpërdrejta, si e drejtë demokratike e qytetarëve. Vetëm një president i zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët ka një potencial kaq të gjerë, që të mund të veprojë në bashkimin e shoqërisë, qytetarëve, partive dhe të kontribuojë në realizimin e synimeve kryesore strategjike dhe kombëtare”, thonë nga LSDM.
Këto ditë mbi këtë temë për TV21 folën edhe disa ekspertë. Vlladimir Bozhinovski thotë se nëse shefi i shtetit zgjidhet në Kuvend, atëherë nuk duhet të ekzistojë fare ky funksion.
“Pushteti ekzekutiv është ndarë mes Qeverisë dhe presidentit dhe për këtë kemi zgjedhje të ndara presidenciale. Do të jetë shumë më produktive të ulet censusi që është 40% sesa të zgjidhet presidenti në Parlament. Sepse atëherë nuk do të ketë nevojë që ai funksion të ekzistojë si pjesë e pushtetit ekzekutiv. Sepse atëherë legjitimiteti rrjedh në mënyrë indirekte përmes votave të qytetarëve që i japin për zgjedhjen e deputetëve, e kështu ka legjitimitet të drejtpërdrejtë”, theksoi Vlladimir Bozhinovski, analist.
Që shefi i shtetit të zgjidhet në Kuvend, duhet të ketë ndryshim të Kushtetutës edhe atë në Nenin 80, ku thuhet se presidentin e zgjedhin qytetarët në zgjedhje. /TV21/