Pothuajse të gjithë ministrat e mëparshëm u larguan nga postet e tyre për shkak se u bënë deputetë, por Talat Xhaferi mendon se duke mbetur kryeministër dhe duke mos shkuar për të punuar në Kuvend, nuk po e shkel ligjin.
Anëtarët e Komisionit Anti-korrupsion shprehen të qartë – nuk mund të jetë deputet dhe kryeministër. Funksioni i deputetit është i palidhshëm me asnjë tjetër, sipas ish-kryetarit të parlamentit Tito Petkovski.
Ministrat e LSDM-së që u bënë deputetë u larguan nga karriget e tyre ministrore sepse nuk mund të mbajnë dy funksione në të njëjtën kohë. Ndërsa kryeministri Talat Xhaferi, i cili po ashtu u zgjodh deputet, do të jetë kryeministër derisa të zgjiedhet qeveria e re. Deri atëherë, ai thotë, se nuk do të shkojë të punojë në parlament.
Për momentin edhe ministri i Shëndetësisë Ilir Demiri, nuk është tërhequr nga aktivitetet ministrore.
Nga ana tjetër, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), ka thënë qartë se ata që kanë marrë mandat në parlament duhet të heqin dorë nga të gjitha funksionet e tjera, por përveç gjobave ndaj tyre, autoritetet antikorrupsion nuk mund të bëjnë ndonjë gjë tjetër.
Ish-deputeti dhe kryetar i Kuvendit, Tito Petkovski, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë (REL), konsideron se nuk ka nevojë për interpretime kur janë të qarta dispozitat kushtetuese për papajtueshmërinë e funksioneve.
Duke marrë parasysh se Xhaferi nuk mund të jetë kryeministër me zgjedhjen e tij për deputet, Petkovski tregon se ka zëvendëskryeministra që nuk janë bërë deputetë dhe njëri prej tyre duhet të zëvendësojë kryeministrin teknik.
E njëjta gjë, shton ai, është edhe me ministrat që zëvendësojnë zëvendësministrat.
Për dallim prej tyre, Talat Xhaferi në seancën konstitutive ka sqaruar se nuk do të largohet dhe do të vazhdojë të jetë kryeministër. Ai ka përmendur se Qeveria ka marrë vendim që të vazhdojë të kryejë detyrat e tij si kryeministër deri në zgjedhjen e përbërjes së ardhshme të qeverisë. Deri atëherë ai nuk do të marrë pjesë në punimet e Kuvendit.
Xhaferi do të kryejë funksion të dyfishtë, të paktën formalisht, më së voni deri në fund të qershorit. Më pas skadon afati kur duhet të formohet qeveria e re.
Pas seancës konstituive në Kuvend të 28 majit, filloi të rrjedhë afati prej dhjetë ditësh për caktimin e mandatarit nga presidentja Gordana Siljanovska Davkova. Më së voni deri të premten (7 qershor) mandati do të përfundojë në duart e liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili më pas do të ketë afat prej 20 ditësh për të dorëzuar propozim-programin dhe përbërjen e Qeverisë së re.