Armenia njeh shtetin palestinez

    Armenia zyrtarisht ka njohur shtetin palestinez, bëri të ditur Ministria e Jashtme e këtij shteti përmes një deklarate për media më 21 qershor.

    Armenia bëhet shteti i fundit që njeh shtetin palestinez, pavarësisht kundërshtimeve nga Izraeli.

    Jerevani mbështet rezolutën e Kombeve të Bashkuara për një armëpushim të menjëhershëm në luftën mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë dhe mbështet zgjidhjen me dy shtete në konfliktin izraelito-palestinez, u tha në deklaratë.

    Armenia shtoi se “jemi sinqerisht të interesuar që të vendoset paqja afatgjatë dhe stabiliteti në Lindjen e Mesme”.

    Jerevani, që vetë ka qenë i përfshirë në konflikt ne Azerbajxhanin fqinj për dekada të tëra, ka dënuar ofensivën ushtarake të Izraelit në Gazë.

    “Armenia shpreh keqardhje për përdorimin e infrastrukturës civile si mburojë gjatë konflikteve të armatosura dhe dhunës karshi popullatës civile”, tha Ministria e Jashme.

    Në deklaratë po ashtu u tha se Jerevani shpreh keqardhje për marrjen e pengjeve civile nga Hamasi dhe “i bashkohemi kërkesave të komunitetit ndërkombëtar për t’i liruar ata.

    Autoriteti Palestinez, që ushtron vetëqeverisje të kufizuar në Bregun Perëndimor – që gjendet nën pushtimin izraelit – mirëpriti vendimin e Armenisë.

    “Kjo njohje kontribuon pozitivisht në ruajtjen e zgjidhjes me dy shtete e cila përballet me sfida sistematike, dhe promovon sigurinë, paqen dhe stabilitetin për të gjitha palët e përfshira”, u tha në deklaratën e presidencës së Autoritetit Palestinez.

    Ky vendim i Jerevanit nxiti zemërim në Izrael, shtet që ftoi në bisedë ambasadorin armen.

    “Pas njohjes nga Armenia të shtetit palestinez, Ministria e Jashtme ftoi ambasadorin armen në Izrael në takim për qortim të ashpër”, u tha në një deklaratë për media.

    Spanja, Irlanda dhe Norvegjia janë në mesin e shteteve perëndimore që zyrtarisht e kanë njohur shtetin palestinez muajin e kaluar, duke nxitur Izraelin që të tërheqë ambasadorët e tij nga Madridi, Dublini dhe Oslo.

    Njoftimi për njohjen e shtetit palestinez vjen në kohën kur lufta në Gazë po vazhdon. Lufta nisi pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

    Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 37.000 persona dhe pothuajse e gjithë popullsia, prej 2.3 milionë banorësh e kësaj enklave, është zhvendosur. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Aggeler: pres që qeveria e ardhshme t’i realizojë sa më shpejt premtimet zgjedhore

    Lajmi i rradhës

    E kujt është përgjegjësia për hapjen e urës së Ibrit?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë