Në Mitrovicën e Veriut, pranë urës kryesore mbi lumin Ibër, kanë protestuar pjesëtarët e komunitetit serb, të cilët kundërshtuan hapjen e saj për trafik.
“Në urë ne mbrojtëm mbijetesën, tani mbrojmë zhdukjen”, “Nëse Kurti e hap urën, KFOR-i dhe QUINT-i do të jenë përgjegjës”, “Derisa BE-ja dhe SHBA-ja po shkruajnë deklarata, ne po na dëbojnë”, ishin disa nga mesazhet që shiheshin në pankartat e protestuesve në Mitrovicë të Veriut.
Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe Mitrovicën e Veriut, me shumicë serbe dhe Qeveria e Kosovës, pavarësisht kundërshtimit të bashkësisë ndërkombëtare, ka thënë se synon ta hapë atë për trafik.
Gjatë protestës, ish-gjyqtari nga Mitrovica e Veriut, Nikolla Kabashiq, tha se duhet të arrihet konsensus mes të gjithë përfaqësuesve të serbëve në Kosovë për të identifikuar dhe mbrojtur interesat themelore të komunitetit serb.
“Mjerimi është problemi ynë kolektiv. Ne jemi të sulmuar si popull, ne jemi nën agresion që të largohemi nga Kosova”, tha Kabashiq.
Si forma të presionit, pjesëtarët e komunitetit serb përmendën përpjekjet e Qeverisë së Albin Kurtit për të vendosur autoritetin në veri të Kosovës, si dhe praninë e pjesëtarëve të njësive speciale të Policisë së Kosovës.
Kabashiq theksoi se nuk u protestua kundër popullit shqiptar, por kundër Qeverisë së kryeministrit, Albin Kurti.
Duke folur synimin e Qeverisë së Kosovës që të hapë urën mbi Ibër, Kabashiq tha se komuniteti serb nuk e dëshiron këtë, duke shtuar se pretendimet e autoriteteve kosovare se kjo do të bëhej për paqe dhe bashkëjetesë, nuk janë të sakta.
“Ne këtu nuk ndjehemi të sigurt”, tha ai, duke shtuar se ekziston liria e lëvizjes edhe pse ura nuk është e hapur për trafik.
Sipas tij, ura mund të hapet vetëm nëse palët bien dakord në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve dhe kur situata të normalizohet.
Në këtë kontekst, ai kërkoi që pjesëtarët e njësive speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga veriu i Kosovës dhe udhëheqjen e pushtetit lokal ta marrin përfaqësuesit e komunitetit serb.
Ndërkaq, Ivan Millojeviq, drejtor i Postës së Serbisë në Kosovë, tha se pret që në ditët në vijim të mbyllen degët e kësaj poste edhe në jug të Ibrit, duke shtuar se serbët duket t’iu kundërvihen autoriteteve të Kosovës “me dinjitet”.
Më 5 gusht, autoritetet e Kosovës mbyllën nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri të Kosovës, pasi argumentuar se punonin pa licencë. Aksioni është kritikuar nga komuniteti ndërkombëtar. /REL/