Nga Bërvenica te ridefinimi i shtetit!

    Paralajmërime për ndryshimin e rendit kushtetues, akuza për diskriminim të shqiptarëve dhe përplasje rreth zgjedhjeve lokale në Bërvenicë shënuan debatin mes deputetit të Aleancës Kombëtare për Integrim, Skender Rexhepi, dhe kryeministrit Hristijan Mickoski, gjatë seancës parlamentare për pyetje deputetësh. Rexhepi akuzoi Qeverinë për cenimin e të drejtave kushtetuese dhe ligjore të shqiptarëve, duke paralajmëruar se vazhdimi i politikave të tilla, sipas tij, mund të prodhojë kërkesa për ndryshime thelbësore në organizimin e shtetit.

    “A jeni të vetëdijshëm se me shkeljen e të drejtave kushtetuese dhe ligjore të shqiptarëve do të sillni deri te kërkesa për ndryshimin e rendit kushtetues?”, pyeti Rexhepi kryeministrin.

    Ai përmendi mundësinë e krijimit të një asociacioni të komunave, ridefinimin e shtetit mbi baza federale, si dhe forma të tjera të organizimit politik, duke theksuar se këto mund të shfaqen si nisma nëse, sipas tij, vazhdon cenimi i të drejtave të shqiptarëve. “Kam frikë dhe bindje se këta njerëz do të kenë nisma për ndryshimin e rendit kushtetues, nisma politike që mund të jenë në formë të Asociacionit të Komunave, në formë të ridefinimit të shtetit, në bazë të federalizmit apo veçmas të jetësimit”, deklaroi Rexhepi.

    Deputeti opozitar akuzoi gjithashtu kryeministrin se po përpiqet t’i mbulojë, siç tha, dështimet ekonomike dhe politike të Qeverisë përmes tensionimit të marrëdhënieve ndëretnike. Ai përmendi mosrealizimin e premtimeve parazgjedhore, rritjen e varfërisë dhe ngecjen e procesit eurointegrues.

    BËRVENICA, NË QENDËR TË PËRPLASJES

    Një pjesë e konsiderueshme e debatit iu kushtua komunës së Bërvenicës, ku Rexhepi kundërshtoi deklaratat e mëparshme të Mickoskit për kandidatin e opozitës. Sipas tij, gara në këtë komunë nuk duhet të paraqitet si përballje mes shqiptarëve dhe maqedonasve, por si përballje politike për të drejtat dhe përfaqësimin e qytetarëve. “Beteja në komunën e Bërvenicës është betejë mes të shtypurve dhe atyre që shtypin, mes të diskriminuarve dhe atyre që diskriminojnë, mes lirisë dhe skllavërisë”, u shpreh Rexhepi.

    Nga ana tjetër, kryeministri Mickoski hodhi poshtë akuzat, duke i cilësuar pretendimet e deputetit opozitar si teza politike që, sipas tij, nuk mbështeten në argumente konkrete. “Në parim, pyetja është politike, me teza politike. Edhe pse thatë se do të jepni argumente, argumentet tuaja janë të ndërlidhura me teza politike, për të cilat qytetarët në zgjedhje tregojnë se çfarë mendojnë”, deklaroi Mickoski. Kryeministri kundërshtoi edhe pretendimin për rënien e mbështetjes së VMRO-DPMNE-së, ndërsa në lidhje me Bërvenicën tha se kandidati i partisë së tij kishte marrë më shumë vota në rrethin e parë. “Në Bërvenicë është e çuditshme se si arrini të festoni humbjen, sepse kandidati juaj humbi, ndërsa kandidati i VMRO-DPMNE-së fitoi më shumë vota”, tha Mickoski.

    Ai akuzoi përfaqësues të koalicionit opozitar për nxitje të votimit mbi baza etnike, duke pretenduar se disa prej tyre u kishin bërë thirrje mërgimtarëve të ktheheshin për të votuar kundër kandidatit maqedonas.

    Mickoski këmbënguli se mesazhi i tij në Bërvenicë kishte qenë kundër ndarjeve etnike dhe në favor të bashkëjetesës së qytetarëve. “Do të përpiqen t’ju ndajnë në bazë të përkatësisë etnike, por mos ua lejoni, sepse nesër përsëri ju do të mbeteni bashkë të jetoni në atë komunë”, tha kryeministri, duke iu referuar mesazhit të tij gjatë fushatës. Në përgjigje të kritikave për punën e Qeverisë, Mickoski përmendi disa projekte infrastrukturore, përfshirë autostradën Shkup–Bllacë, kampusin e ri të Universitetit “Nënë Tereza” dhe ndërtimin e autostradës nga Bukojçani drejt Ohrit. “Atë që ju për 20 vite nuk e bëtë, kjo Qeveri po e bën”, deklaroi ai, duke shtuar se ekzekutivi po punon edhe për zgjidhjen e çështjes së provimit të jurisprudencës.

    REXHEPI LËSHON REGJISTRIMIN, MICKOSKI HEQ KUFJET

    Përplasja vazhdoi edhe gjatë kundërpërgjigjes së Rexhepit, i cili lëshoi nga telefoni një regjistrim të deklaratës së mëparshme të Mickoskit për Bërvenicën, ku dëgjohej kryeministri duke thënë se “opsioni i parë është ai i ndarjeve dhe krimit”. Rexhepi tha se qëllimi i tij ishte të dëshmonte se kryeministri kishte përdorur pikërisht këtë formulim, e jo ta ofendonte atë.

    Gjatë fjalës së deputetit, Mickoski i kishte hequr kufjet përmes të cilave ndiqte përkthimin nga shqipja në maqedonisht, gjë që shkaktoi reagimin e Rexhepit. “Unë kot flas nëse nuk më dëgjoni. Kryeministri duhet të më dëgjojë”, reagoi ai nga foltorja e Parlamentit. Në përfundim, Rexhepi kundërshtoi edhe pretendimet e Mickoskit për investimet infrastrukturore, duke rikujtuar se VMRO-DPMNE ka qenë pjesë e skenës politike për dekada dhe ka drejtuar Qeverinë për shumë vite. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Një fëmijë mund të ndihet i dashur, por jo domosdoshmërisht i kuptuar

    Lajmi i rradhës

    Kur të sulmon e ardhmja

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë