Vrasja te “Mavrovasja” dhe arratisja e Blerim Ramadanit, tema ditore partiake!

    Vrasja në afërsi të Qendrës Tregtare Mavrovasja dhe arratisja e ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani, janë shndërruar në mollë sherri dhe përplasje mes opozitës dhe qeverisë. Sipas LSDM-së, qeveria është kapur me presh në dorë në një mega skandal me abuzimin e kufirit shtetëror, institucioneve shtetërore dhe një sërë shkeljesh të ligjeve dhe se është vërtetuar se nuk bëhet fjalë për arratisjen e Blerim Ramadanit, por një çlirim dhe transferim i organizuar në Kosovë nga zyrtarë të lartë të MPB-së dhe institucioneve të tjera.

    Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së, tha se Prokuroria Publike nuk duhet të heshtë dhe duhet të njoftojë menjëherë se ka nisur një hetim.

    “Nëse Prokuroria Publike nuk e bën këtë në kohën më të shkurtër të mundshme, do të konsiderojmë se është në anën e Ministrisë së Brendshme dhe mbulon këtë skandal. Derisa pret Prokuroria Publike, ajo duhet të reagojë menjëherë dhe të informojë publikun rreth këtij rasti. Pyesim a janë të mbrojtur komandantët e këtij operacioni partiako-policor? Në një deklaratë skandaloze të djeshme, Hristijan Mickoski në vend që të kërkonte përgjegjësi dhe hetim të brendshëm për rastin, pretendoi se LSDM po përhap gënjeshtra. E pyesim se si Mickoski pa hetim dhe pa asnjë informatë nga MPB-ja se si është arratisur Ramadani pohon se LSDM është duke gënjyer”, pyeti Kuzeska në fund.

    Sipas LSDM-së, kjo nuk do të thotë gjë tjetër veçse një përpjekje e dëshpëruar e kryeministrit Mickoski për ta heshtur rastin.

    “Të gjitha të dhënat tregojnë se zbatimi i kësaj skeme policore partiake për lirimin e Ramadanit në Kosovë është një marrëveshje politike që Mickoski duhej ta përmbushte. Nëse nuk kryhet një hetim i plotë dhe i pavarur, do të jetë e qartë se si autoritetet ashtu edhe prokuroria vendosën të mbrojnë Ministrinë e Brendshme dhe Toshkovskin nga përgjegjësia, për të mbrojtur të gjithë të tjerët të përfshirë në këtë rast, duke përfshirë komisionerët dhe porositësit”, shtoi Kuzeska.

    Ajo përsëriti se ministri Toshkovski duhet të japë dorëheqjen dhe të shkarkojë të gjithë ata që i ka emëruar në kufirin me Kosovën, duke filluar nga Naim Ramuka dhe se vetëm në këtë mënyrë do të ketë kushte për hetim të pavarur pa presion. Ata kërkojnë deklasifikimin dhe publikimin e incizimeve nga pika kufitare Bllacë që qytetarët ta shohin të vërtetën se kush është sherifi i kufirit.

    Nga ana tjetër, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Brane Petrushevski kërkon nga LSDM-ja të thotë nëse njërit prej të arrestuarve për vrasjen te Q.T. Mavrovasja i është lejuar të arratiset nga burgu për të punuar për zgjedhjet e tyre.

    “E.K. njëri nga të arrestuarit për vrasjen pranë Q.T. Mavrovasja u arratis nga Idrizova më 15 prill 2024, tre javë para zgjedhjeve parlamentare. LSD të thotë të vërtetën dhe se a është liruar nga burgu ai që tani është i paraburgosur për vrasje për të punuar për partinë në zgjedhje? Mos vallë LSD-ja rrëmbeu një pendë dhe po bënë skenarë fantashkencë për arratisjen e Blerim Ramadanit që ata vetë e mundësuan ta mbulonin këtë? Është turp në çfarë niveli ka renë LSD. Po fshehin të arrestuarit për vrasje dhe po i shpëton një gjykatës të BDI-së si Pajazit Pajaziti”, tha Petrushevski.

    Sipas VMRO-DPMNE-së, kaosi dhe rrëmuja janë rezultat i paaftësisë dhe kriminalitetit të LSDM-së dhe kompanisë. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Ali Aliu mes tri shteteve letrare

    Lajmi i rradhës

    PRIORITET FURNIZIMI ME UJË DHE RRUGËT! Projekte edhe për vendbanimet rurale të Dibrës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë