Përtej 263 votave: faktorët politikë që ndikuan në fitoren e Arkin Jahijit

    Florian Nesimi
    Analist politik

    Fitorja e Arkin Jahijit në Bërvenicë është shumë interesante për analizë, sidomos kur rezultatet e këtij viti krahasohen me ato të zgjedhjeve lokale të vitit 2025. Numrat tregojnë jo vetëm ndryshimin në raportin e votave mes dy kandidatëve, por edhe disa zhvillime politike që dëshmojnë për rritjen e mbështetjes për kandidatin shqiptar, rezultatin më të ulët të VMRO-së dhe përkrahje që e dha VLEN-i në krijimin e një mbështetjeje më të gjerë për Arkin Jahijin.

    Në raundin e dytë të zgjedhjeve të vitit 2025, Haqim Ramadani kishte marrë 4,224 vota, ndërsa kandidati i VMRO-DPMNE-së 4,374. Një vit më vonë, Arkin Jahiji arriti të marrë 4,438 vota, kurse kandidati i VMRO-së 4,175.

    Pra, në krahasim me vitin e kaluar, kandidati shqiptar mori 214 vota më shumë, ndërsa ai i VMRO-së shënoi 199 vota më pak. Diferenca mes dy kandidatëve, nga një epërsi prej 150 votash për VMRO-në në vitin 2025, kaloi në një epërsi prej 263 votash për Jahijin në vitin 2026.

    Popullariteti personal i kandidatit, një faktor që mund të ketë bërë diferencën

    Në analizën e rezultatit të Bërvenicës duhet marrë parasysh edhe një faktor tjetër, e ajo është pesha e kandidatit dhe popullariteti që ai gëzon tek popullata. Fitorja e VMRO-së në vitin 2025 mund të shpjegohet jo vetëm me mbështetjen e elektoratit partiak, por edhe me aftësinë e kandidatit të atëhershëm për të tërhequr votues përtej bazës tradicionale të partisë, si dhe për të tërhequr edhe vota shqiptare.

    Kandidati aktual i VMRO-së mori 4,175 vota, për dallim nga 4,374 që kishte marrë kandidati i vitit të kaluar. Pra, kemi 199 vota më pak. Kjo diferencë tregon se kandidati i vitit 2025 kishte arritur të mobilizonte një rreth më të gjerë votuesish falë profilit dhe popullaritetit të tij personal, ndërsa kandidati aktual nuk arriti të përsëriste të njëjtin nivel të mbështetjes.

    Ky është një faktor që dëshmon se në zgjedhjet lokale personaliteti i kandidatit përpos votave partiake sjell edhe vota personale.

    Roli i VLEN-it dhe rëndësia e mbështetjes mbarëshqiptare

    Një nga elementet që duhet veçuar në këtë rezultat është përkrahja e VLEN-it për kandidaturën e Arkin Jahijit. Në një garë ku përballë tij ishte kandidati i VMRO-së, mbështetja e VLEN-it krijoi mundësinë e bashkimit të një pjese më të gjerë të elektoratit shqiptar rreth një kandidati të vetëm.

    Ky është një element me rëndësi politike. Bërvenica dëshmoi edhe një herë se, në komunat ku gara zhvillohet mes një kandidati shqiptar dhe një kandidati të një partie maqedonase, mbështetja e një partie të vetme shqiptare mund të mos jetë e mjaftueshme. Për të arritur një rezultat fitues, bashkëpunimi dhe mobilizimi përtej kufijve partiakë mund të bëhen vendimtarë.

    Në këtë kuptim, përkrahja e VLEN-it nuk duhet parë vetëm si një qëndrim politik në favor të një kandidati, por si një faktor që ndihmoi në krijimin e një shumice më të gjerë votuese. Natyrisht, pa të dhëna individuale për votuesit nuk mund të dimë saktësisht se sa vota erdhën nga mbështetësit e VLEN-it, por rëndësia politike e kësaj përkrahjeje është e qartë në kontekstin e garës.

    A arriti Arkin Jahiji të dalë përtej bazës tradicionale të BDI-së?

    Një tjetër çështje që meriton vëmendje është numri i votave që mori Arkin Jahiji. Me 4,438 vota, ai tejkaloi rezultatin prej 4,224 votash që Haqim Ramadani kishte arritur në raundin e dytë të vitit 2025.

    Kjo mund të lexohet si një zgjerim i mbështetjes për kandidatin përtej bërthamës tradicionale të BDI-së. Përkrahja e VLEN-it dhe mobilizimi i votuesve shqiptarë të papërcaktuar politikisht kanë ndikuar drejtpërdrejtë në rritjen e numrit të votave të Jahijit.

    Prandaj, fitorja nuk duhet interpretuar vetëm si mobilizim i elektoratit partiak të BDI-së. Ajo tregon se Jahiji arriti të ndërtojë një mbështetje më të gjerë, përtej kufijve të zakonshëm partiakë.

    Diaspora, faktor me peshë në rezultatin zgjedhor të Bërvenicës

    Në analizën e fitores së Arkin Jahijit nuk mund të anashkalohet as pesha demografike dhe politike e diasporës. Sipas të dhënave zyrtare të Regjistrimit të vitit 2021, komuna e Bërvenicës ka 4,674 banorë jorezidentë të regjistruar, prej të cilëve 4,435 shqiptarë.

    Në një komunë ku një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve jeton jashtë vendit, mobilizimi i diasporës luan rol të drejtpërdrejtë në rezultatet zgjedhore. Ardhja e mërgimtarëve për të votuar dhe përfshirja e tyre në jetën politike të vendlindjes ishte faktori vendimtar në fitoren e Arkin Jahijit, krahas mbështetjes së VLEN-it dhe mobilizimit të votuesve shqiptarë brenda komunës.

    Rasti i Bërvenicës e rikthen në vëmendje një çështje më të gjerë: në komunat me emigrim të lartë, rezultati zgjedhor nuk përcaktohet vetëm nga elektorati që jeton përditë aty, por edhe nga lidhja që qytetarët jorezidentë ruajnë me vendlindjen dhe gatishmëria e tyre për të marrë pjesë në vendimmarrjen lokale.

    Këto nuk ishin zgjedhje partiake në kuptimin e plotë

    Një gjë duhet të potencohet detyrimisht. Në këto zgjedhje të jashtëzakonshme u votua për kryetar komune, jo edhe për këshillin komunal. Kjo do të thotë se qytetarët nuk patën mundësi të shprehin njëkohësisht preferencën e tyre për listat partiake. Për këtë arsye, rezultati nuk mund të përdoret si matje e drejtpërdrejtë e fuqisë së BDI-së, VLEN-it apo VMRO-së në Bërvenicë. Votat e fituara janë para së gjithash vota për kandidatë, ku ndikojnë edhe personaliteti, rrjeti i mbështetësve, aftësia për mobilizim dhe marrëveshjet politike.

    Edhe krahasimi me vitin 2025 duhet lexuar në këtë kontekst. Fakti që VMRO-ja mori 199 vota më pak dhe kandidati shqiptar 214 më shumë është një tregues i ndryshimit të rezultatit, por jo domosdoshmërisht dëshmi se elektorati i një partie është rritur ose zvogëluar në të njëjtën masë.

    Përfundim

    Fitorja e Arkin Jahijit në Bërvenicë ofron disa elemente për reflektim politik. Ajo tregon rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet subjekteve shqiptare, rolin që mund të luajë VLEN-i kur përkrah një kandidaturë dhe mundësinë që një kandidat të zgjerojë mbështetjen përtej bazës së tij tradicionale partiake.

    Në fund, numrat flasin qartë për ndryshimin në raportin mes dy kandidatëve: 214 vota më shumë për kandidatin shqiptar dhe 199 më pak për kandidatin e VMRO-së krahasuar me raundin e dytë të vitit 2025.

    Por ndoshta mesazhi më i rëndësishëm politik i Bërvenicës është se, në rrethana të caktuara, bashkëpunimi dhe mbështetja mbarëshqiptare mund të jenë vendimtare për rezultatin zgjedhor. Përkrahja e VLEN-it për Arkin Jahijin ishte pjesë e këtij realiteti politik dhe një element që nuk mund të anashkalohet në analizën e kësaj fitoreje.

    Lajmi Paraprak

    Halloweeni i Ramës, kur maska proteston kundër fytyrës

    Lajme tjera

    Kur shoqëria hesht

    MIMOZA DAJÇI Vrasja e Arlindës në Kosovë nuk është vetëm një tragjedi familjare, ajo nxjerr në pah një…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë