Papunësia e të rinjve në RMV, hendek i madh me BE-në

    Papunësia e të rinjve në Maqedoninë e Veriut është një problem serioz, me norma shumë më të larta krahasuar me mesataren e Bashkimit Evropian. Ky rezultat pasqyron sfida të rëndësishme në lidhje me mungesën e mundësive të punës dhe ndarjen e papërshtatshme të kualifikimeve, duke theksuar nevojën për reforma dhe politika më të efektshme për të mbështetur rininë dhe për të ulur papunësinë. Sipas të dhënave të fundit nga Enti shtetëror të statistikës (ESHS), në tremujorin e dytë të vitit 2024, popullsia aktive në RMV është 790.152 persona. Prej tyre, të punësuar janë 691.736, ndërsa 98.416 persona të papunësuar. Shkalla e aktivitetit në këtë periudhë është 52 për qind, shkalla e punësimit 45 për qind, ndërkaq shkalla e papunësisë është 13 për qind.

    Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) deklaruan për gazetën KOHA se shkalla e papunësisë së të rinjve në RMV është më e lartë krahasuar me mesataren e vendeve të BE-së. “Ky numër është më i lartë krahasuar me mesataren e vendeve të BE-së. Mendojmë se kjo shkallë papunësie është joreale, duke pasur parasysh se sidomos personat e kësaj moshe janë në periudhën e arsimimit dhe studimeve, si dhe kemi një shkallë shumë të lartë të ekonomisë informale, e cila ndikon drejtpërdrejt në këto statistika”, theksuan nga OEMVP.

    POLITIKAT DHE INICIATIVAT PËR ULJEN E PAPUNËSISË

    Ndërkaq, politikat dhe iniciativat e tregut të punës në vend kanë ndikim të rëndësishëm në uljen e papunësisë te të rinjtë. Për këtë Oda Ekonomike theksoi se përmirësimi i aftësive përmes trajnimeve dhe edukimit të avancuar i bën të rinjtë më konkurrues në tregun e punës, si dhe mbështetja për “startup-et” dhe bizneset e reja krijon vende të reja pune dhe nxit ekonominë lokale, duke kontribuar kështu në uljen e papunësisë në këtë grupmoshë.

    “Nuk duhet harruar se ne kemi kontributet më të larta në paga në rajon dhe më gjerë, gjë që e bën të pamundur rritjen e kapaciteteve të kompanive për shkak të kostove që lindin për aspekte operacionale. Nga paga minimale neto, kontributet janë në nivelin 47.5 për qind dhe janë progresive, ku për 1.000 euro pagë neto, kompanitë paguajnë taksa prej 520 euro, pra 52 për qind të shumës së pagës neto. Këto norma të larta nuk gjenden askund në rajon dhe më gjerë, çka do të thotë se inkurajohet ekonomia gri dhe nga ana tjetër minimizohen mundësitë për potencialin e plotë të hapjes së vendeve të reja të punës”, deklaroi Oda Ekonomike.

    Papunësia e bën të vështirë edhe punën e shumë sektorëve për të rritur mundësitë e tyre në tregun e punës. Nga Oda Ekonomike informuan se sektori më i ndjeshëm ku ndihet mungesa e fuqisë punëtore janë sektori i ndërtimit, gastronomia dhe turizmi, sektorë nga të cilët shumica e punëtorëve largohen nga vendi drejtë vendeve të BE-së. “Nëse Maqedonia e Veriut synon të jetë konkurruese në tregun ndërkombëtar dhe të ketë një ekonomi të qëndrueshme në të ardhmen, ne duhet të krijojmë një mjedis më tërheqës dhe stimulues për fuqinë punëtore. Ulja e kontributeve është e nevojshme për të përmirësuar standardin e jetesës, do të ndikojë ndjeshëm në rritjen e efikasitetit të punës dhe do të jetë një nxitje për konkurrencë më të fortë”, shtoi OEMVP.

    REKOMANDIMET PËR TË ARDHMEN

    Sipas Odës Ekonomike në mënyrë që të integrohen dhe të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit, institucionet arsimore në RMV duhet të fokusohen në krijimin e mundësive dhe të ofrojnë më shumë trajnime profesionale, të cilat gjithashtu do të ndihmojnë në parandalimin e largimit të fuqisë punëtore nga vendi dhe uljen e papunësisë duke përgatitur staf më profesional për tregun e punës.

    “Angazhimi i universiteteve dhe shkollave është i nevojshëm për të siguruar një sistem arsimor adekuat me nevojat e tregut të punës dhe për të përballuar konkurrencën e jashtme. Gjithashtu, institucionet dhe qeveria duhet të bashkëpunojnë me komunitetin e biznesit për të identifikuar nevojat reale të vendit tonë për sa i përket personelit dhe për të krijuar një plan dhe strategji me të cilën në një periudhë afatmesme do të fillojmë të prodhojmë personel të përshtatshëm për nevojat. të tregut, por edhe kushte që të mos largohen nga vendi”, thanë nga Oda Ekonomike.

    Nga ana tjetër, aktivisti Eren Ali tha për gazetën Koha se masat e marra nga institucionet shtetërore janë tepër të zbehta për ta parandaluar papunësinë dhe nuk japin asnjë efekt të prekshëm për të rinjtë.

    “Krahasimi mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut, sa i përket papunësisë së të rinjve është dukshëm më i madh në vendin tonë. Tregu në RMV dhe në BE, dallon por ajo që duhet të cekët është që në BE shkollimi i përshtatet kërkesës së tregut të punës derisa te ne ende kjo nuk po ndodhë fatkeqësisht. Të rinjtë në vendin tonë nuk po kanë tanimë durim ndaj sfidave që janë në vendin tonë dhe për atë po vendosin që në mundësinë e parë që u jepet ta lëshojnë vendin. Këtë e tregojnë edhe statistikat e fundit ku çdo i dyti i ri deklaron publikisht që do të largohet nga vendi nëse i jepet mundësia”, tha Ali.

    Lajmi Paraprak

    Mickoski: Artan Grubi i lidhur me shumë raste që nuk janë në interes të qytetarëve

    Lajmi i rradhës

    RMV me pagën më të ulët në rajon

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë