Kreditë hungareze rritën vlerën e tenderëve lokalë

    Komunat e Maqedonisë së Veriut shpenzuan një shumë rekord prej 356 milionë eurosh për prokurime publike gjatë vitit 2025, më shumë sesa në dy vitet paraprake së bashku. Këtë e tregojnë të dhënat e hulumtimit të Qendrës për Komunikime Qytetare (QKQ), i cili përfshin tenderët dhe kontratat e lidhura nga 80 komunat e vendit dhe Qyteti i Shkupit, shkruan Prizma, përcjell Nistori.

    Qendra për Komunikime Qytetare i monitoron prej vitesh prokurimet publike të pushtetit lokal. Sipas të dhënave të saj, që nga viti 2018, viti 2025 shënon jo vetëm vlerën më të lartë të prokurimeve publike, por edhe rritjen më të madhe vjetore. Konkretisht, vlera e kontratave është rritur nga 190 milionë euro në vitin 2024 në 356 milionë euro në vitin 2025, duke iu afruar dyfishimit.

    Mesatarisht, pothuajse gjysma e mjeteve buxhetore në dispozicion të komunave janë shpenzuar për prokurime publike.

    Sipas organizatës, rritja e vlerës së prokurimeve dhe e pjesëmarrjes së tyre në buxhetet komunale lidhet kryesisht me mjetet që komunat kanë përfituar nga Qeveria për realizimin e projekteve infrastrukturore, përmes të ashtuquajturës kredi hungareze.

    Dhjetë kompani ndërtimi përfituan mbi një të katërtën e vlerës së përgjithshme të kontratave

    Gjatë vitit 2025, kontratat e prokurimeve publike u lidhën me gjithsej 1.185 kompani. Nga vlera e përgjithshme, 97,8 milionë euro, ose më shumë se një e katërta, u përqendruan te dhjetë kompani ndërtimi.

    Ndryshe nga viti 2024, kur në mesin e dhjetë kompanive me vlerën më të lartë të kontratave kishte edhe furnizues të energjisë elektrike, këtë herë të gjitha kompanitë e renditura në dhjetëshen e parë i përkasin sektorit të ndërtimit.

    Në vendin e parë renditet kompania „Zhikol“ nga Strumica, e cila ka lidhur 16 kontrata me nëntë komuna, me vlerë të përgjithshme prej rreth 16,4 milionë eurosh.

    E dyta është kompania „Lendi Group“ nga Shkupi, me 49 kontrata në vlerë prej 14 milionë eurosh, ndërsa në vendin e tretë renditet „Stenton Gradba“ nga Manastiri, me 27 kontrata që arrijnë vlerën e përgjithshme prej 11,7 milionë eurosh.

    Në dhjetëshen e parë bëjnë pjesë edhe kompanitë „Pelagonija Gostivar“, „Koop Engineering“, „Bitem“, „Gradba Promet Kavadarci“, „You Buy 2“, „Sandra Engineering“ dhe „Vardargradba“.

    Pesë nga këto kompani ishin pjesë e dhjetëshes së parë edhe gjatë vitit 2024.

    Kontratat më të mëdha: Aerodromi, Saraji dhe Kumanova

    Sa u përket kontratave individuale, vlerën më të lartë e ka kontrata ndërmjet Komunës së Aerodromit dhe kompanisë „Zhikol“, në vlerë prej 4,1 milionë eurosh, për zgjerimin e Shkollës Fillore „Bllazhe Koneski“.

    Në vendin e dytë renditet kontrata ndërmjet Komunës së Sarajit dhe kompanisë „You Buy 2“, në vlerë prej katër milionë eurosh, për rindërtimin e rrugëve dhe të kanalizimit atmosferik në Llaskarcë.

    E treta është kontrata ndërmjet Komunës së Kumanovës dhe kompanisë „Koop Engineering“, në vlerë prej 3,4 milionë eurosh, për ndërtimin e infrastrukturës në zonën industriale të Reçicës.

    Në 21 komuna, mbi gjysma e vlerës së prokurimeve përqendrohet te një kompani e vetme

    Hulumtimi nxjerr në pah edhe përqendrimin e lartë të prokurimeve publike te kompani të caktuara në disa komuna.

    Në Komunën e Sarajit, për shembull, 84% e vlerës së përgjithshme të prokurimeve publike gjatë vitit 2025 u përqendrua te një kompani e vetme.

    Përqendrim i lartë është regjistruar edhe në Komunën e Tearcës, ku një kompani ka përfituar 77% të vlerës së prokurimeve, si dhe në komunat e Rosomanit, Qendër Zhupës dhe Radovishit, ku kjo përqindje arrin në 67%.

    Në gjithsej 21 komuna, një kompani e vetme ka përfituar më shumë se gjysmën e vlerës së përgjithshme të kontratave të prokurimeve publike.

    Qendra për Komunikime Qytetare thekson se monitorimi i përqendrimit të prokurimeve synon të ndërgjegjësojë autoritetet lokale për nevojën e nxitjes së konkurrencës. Organizata rekomandon që, aty ku është e mundur dhe e arsyeshme, tenderët të ndahen në pjesë, në vend që të bashkohen në kontrata të mëdha.

    Tetova kryeson me 22,5 milionë euro, rreth 20 milionë më shumë se një vit më parë

    Komuna e Tetovës renditet e para në vend për nga vlera e prokurimeve publike gjatë vitit 2025, me gjithsej 22,5 milionë euro. Kjo shumë është rreth 20 milionë euro më e lartë krahasuar me vitin 2024.

    Pas Tetovës renditet Komuna e Gazi Babës, me 16,6 milionë euro, ndërsa Shtipi dhe Aerodromi ndajnë vendin e tretë, me nga 14,2 milionë euro secila.

    Në vendin e pestë është Komuna e Kumanovës, me 13,3 milionë euro.

    Dhjetëshen e komunave me vlerën më të lartë të prokurimeve publike e plotësojnë Karposhi, Gostivari, Velesi, Manastiri dhe Gjorçe Petrovi.

    Qyteti i Shkupit, megjithëse është njësia e vetëqeverisjes lokale me buxhetin më të madh në vend, renditet vetëm në vendin e 14-të, me tetë milionë euro prokurime publike.

    Ky është viti i dytë radhazi që kryeqyteti nuk renditet në krye të listës. Në vitin 2024, Qyteti i Shkupit mbante vendin e gjashtë.

    Ndërkaq, komunat me vlerën më të ulët të prokurimeve publike gjatë vitit 2025 përfshijnë Krushevën, Krivogashtanin, Vevçanin, Zërnovcin dhe Staro Nagoriçanin, ku vlera e kontratave lëviz ndërmjet 450 mijë dhe 750 mijë eurove.

    Lajmi Paraprak

    Si planifikohet të bëhet pagesa e re në autostradat e Maqedonisë së Veriut?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë