Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dikur u shprehte urime atyre që do të jenë në listën e zezë amerikane, ndërsa tani kur funskionari Artan Grubi u përfshi në këtë listë, tha se zotëri Grubi ka të drejtën e ankimimit. Kur u pyet nëse do të ketë në listën e zezë të ShBA-së funksionarë të BDI-së, Ahmeti vlerësoi faktin edhe nëse ka, “përhajër u qoftë atyre që do të jenë në ato lista“, shkruan Nistori.
“Mendoj që janë ca legjenda që thurren, listat e zeza të funksionarëve. Tash për tash nuk ka asnjë informacion zyrtar. Këtu kanë qenë përfaqësues të lartë të ShBA-së. Janë interesuar mbi proceset në vend, sidomos për korrupsionin, për krimin, për sundimin e ligjit. Kanë qëndruar disa ditë dhe janë kthyer. Mirëpo këtu, si Europa, si Amerika kanë përfaqësitë e veta, kanë vëzhguesit e vet dhe unë nuk kam ndonjë ifnormacion për hartim të listave të zeza. Nëse ka lista të zeza dhe ky vlerësim është bërë nga Departamenti i Shtetit, përhajër u qoftë atyre që do të jenë në ato lista. Nuk kam çfarë u bëj unë”, deklaroi Ahmeti më 23 janar të vitit 2023.
Grubi, i cili ishte zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) gjatë mandatit të kaluar 2020-2024, dhe gjykatësi Bexheti, sipas DASh-it, “janë përfshirë në korrupsion të madh duke pranuar ryshfet për t’i minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të shërbimit sekret”. Për këtë arsye, Grubi nëpërmjet Facebook-ut njoftoi se ka sjell vendim që të tërhiqet nga jeta publike.
Prokuroria për Ndjekje të Krimit dhe Korrupsionit ka hapur lëndë lidhur me procedurat për përcaktimin e përgjegjësisë së gjykatësit Bexheti dhe Grubit. Pritet së shpejti që të ketë një epilog gjyqësor. /Nistori/