Ata dibranë që kanë – gjezdisin, të tjerët në shtëpi!

    Dibranët kanë filluar të planifikojnë aktivitetet se si do ti kalojnë festat e fundvitit, para por edhe gjatë natës së ndërrimit të moteve. Përfaqësues të agjencive turistike thonë se tanimë kanë filluar udhëtimet në prag të festave të një numri të theksuar të dibranëve, si dhe të bëhen rezervime për natën e Vitit të Ri në shtetet të rajonit. Nga ana tjetër, disa nga restorantet dhe kafiteritë kanë publikuar ofertat për organizimin e pritjes së Vitit të Ri 2025 , ku janë angazhuar edhe solistë dhe grupe të estradës shqiptare. Por kjo vlen për dibranët me xhepat e trashë dhe jo për më të varfërit, të cilët veçmë dihet se festat do t’i kalojnë në shtëpitë e tyre.

    Gjatë muajit dhjetor, si asnjëherë deri tani një numër i theksuar i dibranëve kanë vendosur të realizojnë udhëtime turistike nëpër vendet e rajonit, e sidomos në Turqi, Greqi, Itali, Bullgari, Hungari, Kosovë dhe normalisht në Shqipëri. Agjencitë turistike sqarojnë se për çdo javë organizohen udhëtime jashtë shtetit nga grupe të ndryshme. Sipas tyre, udhëtimet tashmë janë bërë tradicionale, meqë ata organizohen nga dibranët me standard më të lartë.

    Burime e njëjta pohojnë se mbi 500 dibranë ndërrimin e motmoteve do ta kalojnë në kryeqendrat e rajonit, e sidomos në Tiranë, Stamboll dhe Prishtinë, kurse ka të interesuar të cilët Vitin e Ri do ta presin në Strugë, Ohër, Kodrën e Diellit në Tetovë dhe në disa vende turistike kufitare të Shqipërisë. Nga ana tjetër, pritet që shumë dibranë natën e Vitit të Ri ta kalojnë edhe në Banjat e Dibrës – Capa, ku kanë siguruar aranzhmane treditore, si dhe në restorante të tjera. Kur jemi tek agjencitë turistike, ata thonë se ka dibranë që kanë rezervuar aranzhmane edhe pas Vitit të Ri, gjatë janarit, për të udhëtuar në disa shtete të Bashkimit Evropian.

    Nga ana tjetër, edhe këtë vit vjen në shprehje ndarja e atyre që kanë dhe atyre që s’kanë. Ata që kanë veç kanë filluar të gjezdisin dhe do të kalojnë ndërrimin e moteve në mënyrë pompoze. Të tjerët, ata që ballafaqohen me probleme sociale, jo që nuk kanë mundësi të shëtisin dhe të sigurojnë rezervime për të kaluar Vitin e Ri në objekte hotelierike, por nuk arrijnë dot të sigurojnë një tryezë modeste në shtëpitë e tyre.

    Besim F. 65-vjeçar, thotë se Vitin e Ri do ta pres me familjen në shtëpi.

    “Do të jem i lumtur nëse siguroj një sofër pak sa më të pasur se netëve të tjera. Shëtisin ata që kanë, ne mundohemi të sigurojmë bukën dhe drutë për ngrohje”, thotë Besimi.

    Në prag të Vitit të Ri këto ditë pritet të arrijnë një numër i madh i mërgimtarëve dibran që punojnë dhe jetojnë kryesisht në Itali, Gjermani, Zvicër, Austri, Francë dhe vende tjera. Ata vijnë këto ditë meqë në këto shtete ka edhe pushime të zgjatura për shkak të krishtlindjeve. Ata edhe këtë vit pritet ta dinamizojnë jetën në qytet edhe në fshatra, por edhe të gjallërojnë rrjetin tregtar në Dibër dhe rrethinë. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Mërgimtarët na mbajnë gjallë! (Tabela)

    Lajmi i rradhës

    Sulmet ruse në Kiev, dëmtohet edhe ambasada e RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë