Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në seancën e përbashkët të parlamenteve të Kosovës dh Shqipërisë të mbajtur të premten bëri thirrje për bashkëpunim midis dy vendeve. Sipas Osmanit, e rëndësishme është që Shqipëria dhe Kosova ta bashkojnë politikën dhe bashkëpunimin e jashtëm në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës, por edhe bashkëpunimin për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, pa dallim se ku jetojnë. Osmani, mes tjerash tha se në Maqedoninë e Veriut ka tendenca për destabilizim me largimin e të drejtave tashmë të fituara të shqiptarëve të cilët jetojnë në vend.
“Derisa po flasim dhe jemi bashkuar në këtë Kuvend, akoma ekzistojnë tendenca për të shkundur themelet mbi të cilat është ndërtuar Maqedonia e Veriut, pra për të destabilizuar edhe këtë vend duke larguar të drejtat tashmë të fituara të shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet si popull konstituiv i Maqedonisë së Veriut. Ne nuk duhet as të qëndrojmë të heshtur, e as t’i mbyllim sytë para këtyre tendencave të qarta”, tha Osmani.
Ndaj kësaj ka reaguar ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, i cili për portalin Albanian post tha se e vlerëson presidenten Osmani, por q i vjen keq që kohë pas kohe ajo bëhet viktimë e dezinformatave. Ai pohon se nuk ka rrezik të shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Në Maqedoninë e Veriut nuk ka asnjë rrezik për t’i marrë të drejtat shqiptarëve, madje kam kënaqësinë ta njoftoj Osmanin se Shqiptarët sapo kanë fituar të drejta që ishin shkelur prej 22 vjetësh”, është përgjigjur Taravari.