Viti 2024, i vështirë për arsimin

    Viti 2024 në sistemin edukativo-arsimor filloi me një pasqyrë problematike, që reflekton sfidat e vazhdueshme dhe dështimet në përpjekjet për të përmirësuar cilësinë dhe infrastrukturën e arsimit. Viti shkollor nisi me problematika ku një numër i madh i nxënëseve nuk i kishin të kompletuara tekstet shkollore për vitin shkollor 2023/24. Po ashtu, sfidat e vjetra, si mungesa e librave dhe shpërndarja e ngadaltë e materialeve didaktike, vazhdojnë të rrezikojnë edukimin e brezave të rinj.

    Ndërkohë, rezultatet e fundit të testit PISA dhe raportet e Komisionit Evropian vënë në dukje dobësitë e theksuara në të mësuarit e matematikës, shkencave dhe leximin. Në rezultatet ndërkombëtare nxënësit tanë renditen në fund të tabelës. Nga ana tjetër, rritja e dhunës në shkolla mes bashkëmoshatareve dhe mungesa e një strategjie efektive për përballimin e këtyre sfidave theksojnë nevojën për një reformë më të thellë dhe të shpejtë në arsimin e vendit.

    GJYSMËVJETORI FILLOI PA LIBRA

    Një pjesë e madhe e nxënësve filluan gjysmëvjetorin e dytë pa pasur në dorë të gjitha tekstet për vitin shkollor 2023/24. Gjatë kësaj periudhe, problemi i shpërndarjes së teksteve ka mbetur i pazgjidhur. Kjo ka ndodhur përkundër njoftimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), që premtuan dorëzimin e teksteve brenda periudhave të caktuara, por këto afate kanë kaluar dhe sërish shumë tekste nuk janë dorëzuar në kohë. Shpërndarja e vonuar e teksteve për klasat e treta dhe të gjashta për lëndën e re Histori dhe Shoqëri, si dhe për matematikë, është një prej problemeve më të mëdha të këtij viti shkollor. Ky problem është pasojë e një koncepti të ri për arsimin fillor, ku disa lëndë janë bashkuar në një, duke shkaktuar konfuzion dhe duke lënë nxënësit pa materialet e nevojshme.

    REZULTATET E PISA DHE “ZHDUKJA” E NXËNËSVE

    Në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, nxënësit sërish u përballën me rezultatet e dobëta nga testi PISA. Shifrat ishin shqetësuese: 74 për qind e nxënësve në vend kanë rezultate të dobëta në lexim, 64 për qind në matematikë dhe 65 për qind në shkenca natyrore. Kjo ka theksuar se Maqedonia e Veriut vazhdon të jetë mes vendeve me performancë të ulët në këto lëndë, një fakt që MASH-i e lidh me pasojat negative të pandemisë.

    Ndërkaq, deri në vitin 2070, pritet që vendi të humbasë më shumë se një milion banorë, duke e zvogëluar numrin e popullsisë me 35 për qind. Ky trend, i cili ka pasoja të drejtpërdrejta për arsimin, e vë në dyshim aftësinë e qeverisë për të siguruar një sistem edukativ të qëndrueshëm dhe për t’u përgjigjur ndaj nevojave të një popullate që po plaket dhe zvogëlohet.

    EDUKIMI SEKSUAL NË SHKOLLA

    Edukimi seksual në shkolla është bërë një temë e nxehtë debati, pasi do të përfshihet në lëndë të tilla si biologjia dhe arsimi qytetarë. Ky ndryshim i ri ka nxitur reagime të shumta nga partitë politike dhe prindërit. Mësimi për shëndetin riprodhues dhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme do të bëhet në klasat e shtata, tetë dhe nëntë, por ministrja e Arsimit pati theksuar se përmbajtja e re nuk do të ndryshojë ndjeshëm nga ajo që ka qenë deri tani.

    Prindërit dhe përfaqësues të mësimdhënëseve janë shprehur kundër inkuadrimit të kësaj lënde në sistemin edukativo-arsimor. Por nga ana tjetër, përfaqësues të OJQ-së dhe ekspert të arsimit kanë deklaruar se një lëndë e tillë është më se e domosdoshme në kohën në të cilën po jetojmë për nxënësit tanë.

    KONVIKTET DHE LIBRAT EDHE KËTË VIT PA ZGJIDHJE

    Gjendja e konvikteve studentore është një tjetër problem kritik. Sipas një ankete të ESHS-së, studentët i vlerësojnë kushtet e akomodimit në konvikte me nota shumë të ulëta. Ushqimi, higjiena, pajisjet teknike dhe kushtet e mësimit janë të gjitha të vlerësuara poshtë mesataren, dhe kjo ka shkaktuar shqetësim për sigurinë dhe mirëqenien e studentëve.

    Një tjetër aspekt shqetësues është përdorimi i librave të kopjuar dhe fotokopjeve në vend të teksteve shkollore. Kjo ka krijuar një situatë ku shumë studentë përballen me mungesë të materialeve të plota dhe të cilësisë, duke pasur nevojë për të përdorur burime të pasigurta dhe të shtrenjta. Shpenzimet për materiale studimore janë gjithashtu një barrë për studentët, të cilët shpesh janë të detyruar të shpenzojnë një shumë të konsiderueshme për literaturën e nevojshme për studimet e tyre.

    INTONIMI I HIMNIT MAQEDONAS

    Gjatë këtij viti, një tjetër temë jo e dëshirueshme për disa parti ka qenë edhe vendimi për të bërë të detyrueshëm intonimin e himnit maqedonas në shkollat e mesme. Ky vendim shkaktoi shumë debate dhe reagime nga partia opozitare, e cila e kundërshtoi ashpër. Megjithatë, ky rregull nuk u zbatua, pasi ka pasur kundërshtime të forta dhe tensione në lidhje me këtë çështje. Pavarësisht përpjekjeve për ta bërë të detyrueshëm, tema ka mbetur e diskutueshme dhe ka shtuar përplasjet politike.

    ABETARJA SHKAK PËR REAGIME

    “Abetarja e Unifikuar”, gjithashtu ka qenë një temë shumë e nxehtë e këtij viti, ku ka shkaktuar përplasje dhe akuza mes partive. BDI, në disa deklarata publike, ka pretenduar se përdorimi i Abetares së Unifikuar është ndaluar nga VLEN, koalicioni aktual qeverisës. Sipas tyre, kjo ka ndodhur pas ndryshimeve në Ligjin për tekstet shkollore, të cilat BDI i interpretoi si një pengesë për implementimin e Abetares së Unifikuar. Mirëpo, reagimi i VLEN-it ka qenë i shpejtë dhe i ashpër. Ata e kanë quajtur këtë akuzë të pavërtetë dhe kanë sqaruar se Ligji për tekstet shkollore ka ekzistuar më herët, dhe ato ndryshime që u bënë nuk kanë ndaluar përdorimin e Abetares.

    VLEN ka shpjeguar se Abetarja e Unifikuar është një mundësi për të krijuar një sistem arsimor më të fortë dhe më të drejtë për fëmijët shqiptarë, që jetojnë në shtete të ndryshme, duke i mundësuar të mësojnë gjuhën e tyre amtare në të njëjtën formë, pavarësisht vendndodhjes së tyre. E krejt në fund, për vitin 2024, buxheti për arsimin ka pësuar një ulje të rëndësishme. Shpenzimet për arsim dhe trajnim janë ulur në 3.17 për qind të PBB-së, duke u bërë më të ulëta se mesatarja e Bashkimit Evropian. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    REKORD INTERVENIMESH NDAJ ZJARREVE NË TETOVË / Viti 2024 u përmbyll me 975 intervenime

    Lajmi i rradhës

    Edhe Dibra në hall me qentë endacakë!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë