Në Sheshin Iliria, më 25 mars, ora 12:30, do të zhvillohet një protestë e organizuar nga qytetarët e shqetësuar për tragjeditë që kanë ndodhur viteve të fundit në Maqedoninë e Veriut. Protestuesit do të mblidhen për të kërkuar drejtësi për viktimat e tragjedive që kanë lënë dhimbje të thella në shoqëri, njofton Nistori.
Nga iniciativa ZERO thonë se ky është një apel për të drejtat e viktimave të cilët nuk janë dëgjuar, për t’u bërë një zë i munguar për ata që nuk mund të flasin më:
- 14 viktimat e Spitalit Modular në Tetovë,
- 45 viktimat e Besa Transit,
- 16 viktimat e Durmo Tursit,
- 59 të rinjtë e vrarë në Koçan.
Protesta organizohet me thirrjen: “Krimi triumfon kur ne heshtim!” Kjo është një thirrje për llogaridhënie dhe për ndryshim të sistemit që ka dështuar të sjellë drejtësi.
Organizatorët e protestës theksojnë se kjo është një mundësi për të filluar nga ZERO, për të ngritur një sistem më të drejtë dhe për të mos pranuar më padrejtësinë.
“Dil në protestë! Bashkohu! Bëhu zëri që nuk hesht më, sepse deri sa dikush po mbush xhepat, ne duhet t’i mbushim rrugët”, thuhet në thirrjen e organizatorëve, që kërkojnë bashkim dhe angazhim të qytetarëve në kërkimin e drejtësisë.
Ata bëjnë thirrje për dalje masive për të kërkuar drejtësi, llogaridhënie dhe ndryshim të vërtetë. Për drejtësinë, prej n’Zero. /Nistori/