Çfarë dihet deri tani për vrasjen e 19-vjeçarit në Kosovë?

    Një djalë 19-vjeçar u vra me armë zjarri nga një djalë tjetër të dielën mbrëma në qytetin verilindor të Kosovës, Vushtrri. I dyshuari është kapur pak kohë pas aktit dhe është dërguar në mbajtje, ku thuhet ta ketë pranuar fajësinë.

    Motivet e vrasjes nuk dihen ende, derisa autoritetet thanë se po kryejnë hetime të vazhdueshme.

    Çfarë ndodhi?

    I dyshuari shtiu me armë zjarri në drejtim të 19-vjeçarit Ardit Zymeri mbrëmjen e së dielës në rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse, tha Policia e Kosovës të hënën.

    Viktima u dërgua në Spitalin e Vushtrrisë, ku nga autoritetet spitalore u konfirmua vdekja e tij, tha Policia pas një hetimi fillestar.

    Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni, tha për Radion Evropa e Lirë se i dyshuari është ndaluar për 48 orë nën akuzën për vrasje të rëndë.

    Preteni shtoi se i dyshuari e pranoi fajësinë për kryerjen e vrasjes, gjatë dhënies së deklaratës.

    Policia tha se si prova materiale ka gjetur tre gëzhoja dhe se e ka konfiskuar një revole që dyshohet se është përdorur nga i dyshuari në kryerjen e vrasjes.

    “Në shtëpinë e të dyshuarit është realizuar bastisje ku është gjetur dhe konfiskuar edhe një armë e gjatë me pesë (5) fishek”, tha Policia.

    Motivet ende nuk dihen

    Preteni tha se nuk mund të flasë për motivet e mundshme të vrasjes dhe se për këtë janë duke u kryer hetime të vazhdueshme.

    Policia e Kosovës, ndërkohë, tha se është duke i vazhduar hetimet në bashkëveprim me prokurorin e rastit, për t’i zbardhur të gjitha rrethanat që ndërlidhen me rastin e vrasjes.

    Xhaxhai i viktimës, Nysret Zymeri, tha për media në vend se familja nuk e njeh dorasin dhe nuk ka pasur telashe me njerëz të tjerë.

    “Nuk e dimë se si ka ndodhur. Të keqe nuk kemi pasur me askënd. Nuk kemi pasur me njeri të gjallë asnjë fjalë të keqe, ne nuk e kemi pritur… Kjo na ka ndodhur, informatën e kemi marrë mbrëmë, nuk e kemi njohur dorasin, as tani nuk e njohim”, ka thënë ai.

    Preteni theksoi se prokurori do të kërkojë nga gjykata shqiptimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Ukraina peshon praninë amerikane në centralet bërthamore

    Lajmi i rradhës

    Racizmi në Gjermani përditshmëri, jo përjashtim

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë