POSTA E SHTETIT / Larg liberalizimit dhe me shumë ankesa

    Pas anulimeve të shumta, liberalizimi i plotë i tregut postar në Maqedoni është shtyrë sërish, këtë herë deri në hyrjen e vendit tonë në Bashkimin Evropian. Posta shtetërore do të mbajë monopolin për dërgesat deri në 50 gram, pasi liberalizimi i plotë i tregut postar u shty sërish deri aderimin e vendit në BE. Për të përmirësuar cilësinë dhe shpejtësinë e shërbimit, kjo kompani, e cila prej vitesh ka probleme me borxhet, u ngarkua nga rregullatori i saj të prezantonte klasifikimin e dërgesave.

    Gjithashtu, përfaqësues të ofruesve të dërgesave postare ndërkombëtare kërkojnë nga Agjencia e Postave të iniciojë takim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Drejtorinë Doganore për përmirësimin e kushteve dhe përfshirjen e tregtisë elektronike, ku kërkohet të rritet kufiri për dërgesat falas në Maqedoni, sepse, sipas tyre, kjo është shumë e rëndësishme për trafikun postar. Bile theksohet se tarifa aktuale doganore prej 22 euro i rëndon qytetarët e Maqedonisë, të cilët marrin dërgesa nga jashtë.

    “Po paraqiten platforma të reja që mbajnë dërgesa ndërkombëtare në Maqedoni, dhe kjo është konkurrencë e pandershme. Një doganier vjen vazhdimisht tek ne për të përcaktuar çfarë është apo nuk është e detyruar të zhdoganohet. Palët që nuk janë të njoftuara me taksë po hutohen, dhe nëse nuk e dinë nëse dërgesa e tyre do ti nënshtrohet doganës dhe kjo e shtrenjton dërgesën”, ankohen disa nga kompanitë private të postës.

    Nga ana tjetër, Agjencia e Postës ka ripërsëritur kërkesën drejtuar Shoqatës Aksionare “Posta e Maqedonisë” për të përcaktuar dallimet mes letrave apo dërgesave të ndryshme të dërguara përmes kompanisë shtetërore për të përmirësuar shërbimet që ofron në trafikun e brendshëm. Po ashtu, ka ngarkuar “Postën e Maqedonisë” që menjëherë dhe pa vonesë të përcaktojë klasat e shërbimeve postare për letrat në komunikacionin e brendshëm, sipas kriterit të shpejtësisë – kohës, që kërkohet për shërbimin nga fillimi deri në fund të trafikut të brendshëm, dhe të njoftojë me shkrim Rregullatorin.

    Njëherësh, Agjencia e Postës ka bërë kontrolle të jashtëzakonshme në operatorët privatë të postës, pas raportimeve të Postës së shtetit, e cila është ankuar për konkurrencë të pandershme me përdorimin e paautorizuar të formularëve postarë të UPS-së në shkëmbimin e dërgesave postare që vijnë në vend nga trafiku ndërkombëtar dhe ka kërkuar mbikëqyrje mbi dy ofruesit e shërbimeve postare.

    “Që nga marsi i 2024-ës, kur filloi importi intensiv i dërgesave nga e-platformat kineze, Agjencia e Postës, sipas detyrimit, filloi procedurat për dy shërbimet privat postare. Kontrollet janë kryer gjithashtu mbi ofruesit e shërbimit dhe është vlerësuar se dërgesat që mbërrijnë në vend po hyrën të etiketuara nga operatori kombëtar hungarez ‘Magjar Post’, pa pasur mundësi që operatori privat vendor të ndikojë mbi këtë”, shpjegojnë rregullatorët.  

    Në interes të marrësve, Agjencia ka obliguar një operator që të vendosë shenja shtesë në dërgesë dhe gjatë kontrolleve shtesë – ka konstatuar se dërgesat e shënuara në këtë mënyrë nuk mbërrijnë më në njërin prej operatorëve. Njëkohësisht, ka konstatuar se dërgesat me formularë postar të UPS-së nuk kanë mbërritur në operatorin e dytë privat që nga shtatori, por do të vazhdojë me procedurën e monitorimit të operatorëve privatë.

    Vitin e kaluar, vetëm një kompanie të re në trafikun postar i është dhënë licencë e punës , dhe trendi i licencave të kompanive të reja është në rënie vit pas viti. Së bashku me Postën, vjet në vend kanë punuar edhe 32 ofrues të tjerë të shërbimeve të tilla dhe katër kompani kanë humbur statusin e ofruesve të shërbimeve postare.

    Numri i ankesave ndaj ofruesve të shërbimeve postare është rritur për 14 për qind, përkatësisht 78 ankesa kanë të bëjnë me Postën e Maqedonisë së Veriut dhe 753 me ofrues të shërbimeve postare në tregun e lirë. Ankesat e përdoruesve kanë të bëjnë me tejkalimin e afatit të dorëzimit nga Posta e Maqedonisë (94 për qind e ankesave). Ndër kompanitë e tregut të lirë, 34 për qind e ankesave kanë të bëjnë me tejkalimin e afatit të dorëzimit, dhe 66.8 për qind e përdoruesve janë ankuar për sende postare të dëmtuara dhe të humbura.

    Ndryshe, heqja e pagesës me para në dorë gjatë dorëzimit të dërgesave postare, me pagesë të detyrueshme dhe paradhënie të faturës për marrjen e produkteve të blera përmes e-commerce, kontrolli i shtuar dhe serioz i punës së operatorëve, si dhe dhënia e certifikatave për operatorët e shërbimeve postare, janë prioritetet kryesore të Agjencisë së Postës. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Shumë shkolla ende nuk kanë kryer kontrollet për aparatet kundër zjarrit

    Lajmi i rradhës

    Si të mbroheni nga pesticidet te frutat dhe perimet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë