Në Maqedoninë e Veriut ka më shumë se 90 mijë persona të papunë, ndërsa kompanitë po përballen me vështirësi për të plotësuar rreth 10.700 vende pune. Mungesa më e madhe e punëtorëve vërehet në tregti, industri, hoteleri dhe shërbime, tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave. Gjatë tremujorit të dytë të këtij viti janë regjistruar 10.697 vende të lira pune, ndërsa 483.171 vende pune janë plotësuar. Shkalla e vendeve të lira të punës ka arritur në 2.17 për qind. Në të njëjtën periudhë, në vend janë regjistruar 90.020 të papunë, ndërsa shkalla e papunësisë ka qenë 11.3 për qind.
Këto shifra tregojnë një mospërputhje të dukshme në tregun e punës. Nga njëra anë ka mijëra persona që kërkojnë punë, ndërsa nga ana tjetër kompanitë kanë vështirësi të gjejnë punëtorë për pozitat e lira. Profesioni, kualifikimet, vendbanimi, niveli i pagave dhe kushtet e punës janë disa nga faktorët që mund të ndikojnë në këtë mospërputhje mes ofertës dhe kërkesës.
Numri më i madh i vendeve të lira është regjistruar në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë, ku kompanitë kanë raportuar 2.404 pozita të paplotësuara. Industria përpunuese renditet e dyta me 1.990 vende të lira, ndërsa në hotele, restorante dhe aktivitete të tjera të akomodimit dhe shërbimit ushqimor janë kërkuar edhe 1.338 punëtorë. Në aktivitetet administrative dhe shërbimet mbështetëse janë regjistruar 1.041 vende të lira pune. Mungesë punëtorësh ka edhe në transport dhe magazinim, me 748 vende të lira, në ndërtimtari me 668, si dhe në art, sport dhe rekreacion me 562 vende. Në telekomunikacion, programim kompjuterik dhe aktivitete të ngjashme janë regjistruar 383 vende të lira pune.
Sektori i mikpritjes veçohet edhe për shkallën e lartë të vendeve të lira. Në aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor, 6.23 për qind e vendeve të punës kanë qenë të paplotësuara, që është përqindja më e lartë ndër të gjithë sektorët. Pas tij renditen aktivitetet administrative dhe shërbimet mbështetëse me 4.20 për qind, ndërsa artet, sporti dhe rekreacioni me 3.90 për qind. Në sektorin e tregtisë, shkalla e vendeve të lira ka arritur në 3.08 për qind.
Sipas profesioneve, numri më i madh i vendeve të lira është regjistruar te punëtorët e shërbimeve dhe shitësit. Në këtë grup janë evidentuar 2.980 vende të lira pune, që përbën më shumë se një të katërtën e të gjitha vendeve të paplotësuara në vend. Kërkesa për punëtorë është rritur edhe në krahasim me fillimin e vitit. Në tremujorin e parë ishin regjistruar 10.247 vende të lira pune, ndërsa në tremujorin e dytë ky numër arriti në 10.697. Kjo paraqet një rritje prej 450 vende pune, ose rreth 4.4 për qind në vetëm tre muaj.
Rritja më e madhe është vërejtur te punëtorët e shërbimeve dhe shitësit, ku numri i vendeve të lira u rrit nga 2.346 në 2.980. Edhe sektori i mikpritjes ka shënuar rritje të ndjeshme: nga 1.023 vende të lira në tremujorin e parë, në 1,338 në tremujorin e dytë, ose rreth 31 për qind më shumë. Në tregti, numri i vendeve të lira u rrit nga 2.067 në 2.404 pozicione. Në anën tjetër, industria përpunuese shënoi rënie, nga 2.174 në 1.990 vende të lira pune. Sa i përket rajoneve, shkalla më e lartë e vendeve të lira të punës është regjistruar në Rajonin e Shkupit, me 2.30 për qind. Ndër kompanitë e ndara sipas madhësisë, vështirësitë më të mëdha në plotësimin e vendeve të punës i kanë kompanitë me 10 deri në 49 të punësuar, ku shkalla e vendeve të lira arrin në 3.20 për qind. /Koha/




