Një fjali nga Brukseli se “gjuha dhe identiteti maqedonas janë të mbrojtur në procesin evropian”, në vend që ta qetësojë skenën politike në Shkup, ka rihapur një nga debatet më të ndjeshme: a ekziston ende rrezik që çështjet identitare të bëhen pjesë e rrugës drejt Bashkimit Evropian? LSDM-ja thotë se garancitë tashmë ekzistojnë dhe se në tavolinë kanë mbetur reformat dhe ndryshimet kushtetuese. Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova përgjigjet me një pyetje tjetër: nëse identiteti nuk është i rrezikuar, përse deklarata e njëanshme bullgare për gjuhën maqedonase është pjesë e dokumentacionit që shoqëron Kornizën Negociuese?
Dy qëndrimet vijnë në një moment diplomatikisht të ndjeshëm, në prag të kontakteve të reja me Sofjen, ndërsa mosmarrëveshja me Bullgarinë vazhdon ta mbajë të bllokuar avancimin e procesit negociues të Maqedonisë së Veriut me BE-në.
LSDM-ja opozitare akuzoi Qeverinë se, në vend që të krijojë terren për dialog, po i rrit tensionet pikërisht para bisedimeve të paralajmëruara me palën bullgare. Sipas partisë, mesazhi i presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është i qartë: identiteti dhe gjuha maqedonase janë të mbrojtur, ndërsa detyrimet që mbeten lidhen me reformat dhe ndryshimet kushtetuese. “Identiteti maqedonas është i mbrojtur. Gjuha është e mbrojtur. Në tavolinë janë reformat, Prokuroria Evropiane dhe ndryshimi i Kushtetutës. Nuk ka kushte të reja. Nuk ka Kornizë të re Negociuese, nuk ka garanci”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.
Opozita kritikon veçanërisht retorikën e kryeministrit Hristijan Mickoski në prag të takimit të paralajmëruar për javën e ardhshme, ku pritet të marrë pjesë ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski. LSDM-ja problematizon deklaratat e Mickoskit për “kapitullimin e Bullgarisë fashiste” dhe okupimin e territorit të Maqedonisë së sotme gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke vlerësuar se një gjuhë e tillë politike nuk krijon atmosferë për zgjidhje.
Sipas LSDM-së, historia duhet t’u lihet historianëve, ndërsa institucionet shtetërore duhet të përqendrohen në atë që mund ta çojë vendin përpara në procesin eurointegrues. “LSDM-ja nuk polemizon me historinë. Historinë e zgjidhin historianët. Për shtetin janë institucionet dhe ato duhet të sigurojnë përparim”, porosit partia.
PËRSE DEKLARATA BULLGARE ËSHTË NË KORNIZË?
Por nga Presidenca vjen një lexim tjetër i problemit. Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova thotë se të gjithë ata që pretendojnë se nuk ekziston kurrfarë kërcënimi ndaj çështjeve identitare duhet ta lexojnë me kujdes Kornizën Negociuese dhe dokumentet që e shoqërojnë atë. Duke folur për deklaratën e njëanshme bullgare lidhur me gjuhën maqedonase, ajo ngre dilemën se përse Sofja ka insistuar në një qëndrim të tillë nëse, siç thotë BE-ja, gjuha dhe identiteti maqedonas nuk janë problem në procesin e integrimit.
“Është e saktë se BE-ja thotë se nuk ka problem me atë gjuhë, por nëse, në kundërshtim me të gjitha normat ndërkombëtare në shekullin XXI, në një Kornizë Negociuese hyn një deklaratë e këtillë, përse të mos dyshoj unë se ekziston kërcënim? Përse përndryshe do të insistohej në diçka të tillë?”, deklaroi Siljanovska-Davkova.
Për presidenten, dilema nuk përfundon vetëm te gjuha. Ajo e zgjeron çështjen edhe te përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë, historia dhe kultura, duke argumentuar se edhe këto prekin drejtpërdrejt sferën e identitetit. “Nëse nuk ka problem, atëherë çfarë është çështja që lidhet me bullgarët? A nuk është kjo çështje identitare? Kush deri më tani ka negociuar në BE për identitetin? Çfarë është historia nëse nuk është identitet? Çfarë është kultura nëse nuk është identitet?”, pyet presidentja.
DY LEXIME PËR TË NJËJTËN RRUGË EVROPIANE
Pikërisht këtu ndahet edhe narrativa politike në Shkup. Për LSDM-në, dilemat identitare nuk duhet të përdoren si arsye për zvarritjen e procesit, sepse mesazhi nga Brukseli është se gjuha dhe identiteti janë të mbrojtur, ndërsa ndryshimet kushtetuese mbeten kushti politik që duhet përmbushur. Për Siljanovska-Davkovën, vetë fakti që çështje të gjuhës, historisë dhe identitetit janë futur në orbitën e kontestit me Bullgarinë është arsye e mjaftueshme që Shkupi të kërkojë kujdes dhe një pozicion të harmonizuar shtetëror.
Presidentja këmbëngul se për çështjet e interesit kombëtar pushteti dhe opozita duhet të arrijnë konsensus para se vendi të dalë me qëndrime jashtë kufijve. Sipas saj, përpjekjet për ndërtimin e një qëndrimi të përbashkët kishin filluar, por procesi ishte ndërprerë pasi përfaqësues të opozitës nuk morën pjesë në takimet e mëtejshme. Ajo sqaroi se në këto bisedime nuk ishte diskutuar konkretisht propozimi për ndryshime kushtetuese me efekt të prolonguar. Synimi, sipas saj, ishte ndërtimi i një pozicioni të unifikuar shtetëror për çështjet me të cilat Maqedonia e Veriut përballet në rrugën evropiane. /Koha/




