Pas luftës në Ukrainë , pandemisë dhe krizës energjetike, lufta tregtare midis SHBA dhe Kinës është rreziku u radhës për inflacion më të lartë në Evropë, Ballkan dhe më gjerë. Në vitin e kaluar sipas Bankës Popullore u regjistrua inflacion prej 3.5 për qind, 9.4 për qind në vitin 2024 dhe 14.4 për qind në vitin 2022, pas shkallëve të matura ndërmjet 2 dhe 3 për qind në vitet paraprake Edhe pse analizat e ndryshme tregojnë ngadalësimin e inflacionit këtë vit, megjithatë mbeten rreziqet e jashtme për një inflacion potencial më të madh seç parashikohet deri tani.
Së fundmi, Shtetet e Bashkuara vendosën tarifa të reja në mallrat e importuara nga shumica e vendeve të botës. Mallrave nga Kina iu vendos një tarifë masive prej 104 për qind. Presidenti amerikan Donald Tramp njoftoi se do të ndalojë tarifat ndaj pjesës më të madhe të vendeve të botës për 90 ditë dhe i uli ato në 10%.Por masat tarifore u shtuan ndaj Kinës, e cila është kundërpërgjigjur vazhdimisht ndaj çdo vendimi të Trump. Tarifat ndaj Pekinit shkuan në 125%.
Kina reagoi gjithashtu mbi tarifat prej 104% të vendosura ndaj mallrave të saj. Nga 34%, Pekini njoftoi tarifa shtese prej 50% për mallrat Amerikane duke i çuar tarifat për këto mallra ne 84%. Shtëpia e Bardhë iu referua pauzës 90-ditore si “universale”, me përjashtim të Kinës, dhe nuk iu referua në mënyrë specifike Bashkimit Evropian.
Edhe pas anulimit të përkohshëm të tarifave tjera me përjashtim të Kinës mbetet rreziku që rritja e çmimeve të ndikojë edhe në çmimet globale, ndonëse në një nivel më të ulët. Tregtia globale do të ngadalësohet, kompanitë dhe ekonomitë që janë pjesë e tregtisë do të vuajnë. Shtetet e Bashkuara do të pësojnë dëme menjëherë nga vendosja e tarifave, pasi konsumatori amerikan do të përballet pa vonesë me pasojat e tarifave. Sanksionet e fundit nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara tashmë kanë hyrë në fuqi dhe janë aq të larta sa shumë analistë besojnë se ato tashmë janë në gjendje të fshijnë pjesën më të madhe të tregtisë midis superfuqive të botës.
MICKOSKI-LUTNIK
Por ende nuk ka asnjë tregues se si mund të zhvillohen negociatat midis Pekinit dhe Uashingtonit. Tani e tërë bota është e shqetësuar nga ndikim negativ i lëvizjeve të reja të SHBA-ve dhe Kinës, por edhe BE-së dhe pjesës tjetër të botës. Kryeministri Hristijan Mickoski në Facebook ka njoftuar se të mërkurën në telefon ka biseduar me Sekretarin e Shtetit për Ekonominë e SHBA-së, Haaurd Lutnik për partneritetin strategjik dhe ekonomik maqedono-amerikan. U theksua se partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara është prioritet kryesor për Qeverinë, si dhe rëndësia e mbështetjes amerikane për një Ballkan të qëndrueshëm dhe të begatë, veçanërisht për çështjet që janë me rëndësi jetike për bashkëpunimin ekonomik.
“Dje pata një bisedë telefonike me Sekretarin Amerikan të Shtetit për Ekonomi, Howard Lutnick, mik i Maqedonisë dhe përkrahës i dëshmuar i vendit tonë, i cili tashmë një herë e ka vizituar Shkupin. Në frymën e partneritetit të ngushtë maqedono-amerikan, konfirmuam se marrëdhëniet tona janë të forta, miqësore dhe të mbushura me besim të ndërsjellë, si dhe theksova se partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara është prioritet kryesor për Qeverinë. Theksova rëndësinë e mbështetjes amerikane për një Ballkan të qëndrueshëm dhe të begatë, veçanërisht për çështjet që janë jetike për bashkëpunimin ekonomik. Ne ramë dakord që të vazhdojmë të zhvillojmë partneritetin strategjik dhe ekonomik mes dy vendeve”, tha kryeministri Mickoski në një postim në Facebook.
Ekonomistët thonë se tani Bota është në një pikë kthese, ku ose do ti rikthehet parimeve të tregtisë së lirë dhe bashkëpunimit ose do të hyjë në një epokë të re të sovranitetit ekonomik, fragmentimit dhe paqëndrueshmërisë.
Sipas profesorit universitetar Neritan Turkeshi për ekonomitë e vogla si Maqedonia , hapësira për manovrim është e kufizuar, andaj është e nevojshme të balancohet me kujdes midis presioneve globale dhe interesave kombëtare. Për më tepër tani kemi një tronditje në ekonomitë botërore ku asgjë nuk do të jetë si më parë, duke filluar nga reduktimi i kërkesës për mallra kineze në SHBA, periudhës prej 3 muaj për një aranzhman të ri midis partnerëve atlantik lidhur me më shumë çështje si një marrëveshje ndaj kërkesës së presidentit Tramp për blerjen nga ana e evropianëve e 350 miliardë dollarë të energjisë, një kontratë të re për doganat e automjeteve dhe prodhimeve industriale e kështu me radhë që patjetër se do të jetë objekt negociatash në periudhën e ardhshme.
“Rreziku për Maqedoni dhe Ballkani është inflacioni si rrjedhojë e rritjes negative ekonomike apo recesionit, që mund të ndikojë edhe tek papunësia dhe dobësimi i standardit jetësor. Për më tepër më shumë se gjysma e eksportit tonë shkon në Gjermani që nëse ka rezultate të dobëta do të ndikohet edhe ndaj ekonomisë vendore. Mund të ketë eventualisht edhe më pak dërgesa të mërgimtarëve nga Evropa në rast se kemi një krizë që zgjat për më shumë se 6 muaj”, thekson Turkeshi.
LIGJI ME ZERO PËR QIND
Pas tarifave nga administrata amerikane, qeveria e Maqedonisë po përgatit ndryshime në Ligjin për tarifat doganore, të cilat sipas ministres së financave Gordana Dimitrievska Koçoska mund të reduktohen në zero për qind. Pritjet janë që në një të ardhme të afërt të ketë zgjidhje përmes nënshkrimit të marrëveshjes për tregti të lirë, për të cilën Ministria e Jashtme e Maqedonisë është në komunikim të vazhdueshëm me SHBA-në.
“Eksportet totale në SHBA vitin e kaluar ishin rreth 6 miliardë denarë – shumë pak në krahasim me atë që shkëmbejmë me pjesën tjetër të botës. Sigurisht që ky është një gabim dhe nuk janë këto tarifa doganore që kemi ne. Në Maqedoni nuk ka tarifë doganore prej 65%. këto janë të dhëna të disponueshme publikisht. Kjo detyrë është bërë më e vështirë sepse ne nuk kemi nënshkruar një marrëveshje të tregtisë së lirë me Shtetet e Bashkuara. Jemi duke punuar për nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë dhe besoj se në fund Ministria e Punëve të Jashtme do të ketë sukses në këtë drejtim. Me të do të kemi ndryshime në tarifat doganore:, tha Dimitrieska Koçoska.
“Është e pamundur brenda natës, nëse ka një problem në Evropë, dikush do të pushojë punonjësit tani. Transferimi i kapitalit është një detyrë e vështirë dhe kërkon kohë. Të mos krijojmë panik se do të kemi pushime nga puna. Kjo nuk do të ndodhë. Ne presim që vendet e BE-së të arrijnë një marrëveshje me SHBA-në. Nuk mund të ketë ndalesë të plotë, vetëm një ekstrakt. Ne kemi problem vetëm në një situatë me një kompani që varet drejtpërdrejt nga eksportet në SHBA. Dhe ata nuk do të pushojnë punëtorët brenda natës, nuk do t’i pushojnë nga puna. Aktualisht nuk ka rrezik të madh për pushime nga puna”, theksoi Dimitrieska Koçoska.
Ndryshe , Banka e Anglisë ka paralajmëruar të mërkurën se tarifat e SHBA po rrezikojnë sistemin financiar global, i cili mund të frenojë rritjen. Komiteti i Politikave Financiare të Bankës (FPC) paralajmëroi: “Mjedisi global i rrezikut është përkeqësuar dhe pasiguria është intensifikuar. Probabiliteti i ngjarjeve negative dhe ashpërsia e mundshme e ndikimit të tyre janë rritur”.
Një lëvizje e madhe në tregtinë globale mund të “dëmtojë stabilitetin financiar duke ulur rritjen” e cila është “veçanërisht e rëndësishme” për Mbretërinë e Bashkuar pasi ne kemi një ekonomi të hapur. Banka tha se sistemi bankar britanik është i fortë dhe do të jetë në gjendje të ndihmojë bizneset nëse kushtet përkeqësohen. Kancelarja Rachel Reeves ka thënë se “nuk dëshiron të shohë dhe përshkallëzim të tarifave”.
Ajo u tha gazetarëve: “Luftërat tregtare nuk janë në dobi të askujt, dhe kjo është arsyeja pse në Mbretërinë e Bashkuar, ne jemi të qetë dhe pragmatikë. Mirëpo nuk janë vetëm tarifat brengë e Evropës dhe botës që synon uljen e përdorimit të thëngjillit përderisa presidenti amerikan Tramp po kthen atë. Arsyetimi është nevoja amerikane për më shumë energji elektrike që e kërkon intelegjenca artificiale. Pra, vendimi i Presidentit të SHBA Donald Tramp për botën kanë hapur gjithashtu një polemikë mbi tranzicionin ndaj energjisë së pastër dhe krizën klimatike. Gjithashtu për shkak të ngecjes dhe problemeve të tjera ku zhvillimi i energjisë diellore varet edhe nga dërgesa nga Kina, edhe doganat e reja mund të ndalojnë këtë eksport”. /Koha/