Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e RMV-së është kërkesa e parë, por jo e vetme e Maqedonisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në BE. Kështu ka deklaruar ministri bullgar i Punëve të Jashtme, Georg Georgiev, duke folur për rrugën e RMV-së për në BE.
“Është shumë e rëndësishme të dihet se ndryshimi i Kushtetutës dhe regjistrimi i bullgarëve si popull shtetformues nuk është kushti i vetëm”, tha Georgiev.
Sipas Georgiev, përveç ndryshimeve kushtetuese, konsensusi evropian përfshin edhe zbatimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe protokollet që dalin prej saj, si dhe një plan veprimi për mbrojtjen e të drejtave të pakicave.
Sipas tij, ndryshimi i Kushtetutës vetëm do t’i hapë rrugën integrimit evropian, i cili do të kërkojë plotësimin e kushteve të tjera të vendosura nga BE-ja dhe ai nuk sheh ndonjë bilateralizëm apo çështje të hapur ndërshtetërore në të.“Janë të shkruara shumë qartë kushtet bardh e zi nëpër të cilat lëviz procesi”, tha Georgiev.