Një kilogram ar prej 24 karatësh ka arritur vlerën 92 mijë euro. Me rritjen e çmimit të arit, ka rënë edhe kërkesa e qytetarëve për të. Këtë e ndjejnë edhe argjendarët në Çarshinë e Shkupit. Nexhbedin Bushi tregoi për TV21 se po kërkohen vetëm zbukurime bazike prej ari.
-Me rritjen e fundit të arit kërkesa gjithnjë është më e vogël.
-Çka po kërkohet më shumë?
-Janë disa gjëra që janë bazike, doemos duhet një çift i ri i cili synon të martohet, janë unazat e martesës, burmat, rrethet, një komplet sa do që të jetë modest dhe ajo është një bazament pa të cilën aspak nuk bën, e pastaj sipas mundësive shtohen edhe dëshirat.
Duke e bërë krahasimin me vitet e kaluara, thotë se më herët dasmorët dhuratë kanë dërguar ar, ndërsa tani më lirë u bie të holla, në vend të një grami minimal të arit.
“Më parë në çdo dasmë edhe kur kanë shkuar dasmorët, kanë shkuar me një dhuratë me një unazë, zinxhir, apo byzylyk dore, varësisht prej familjes sa është i afërt ose shok, kjo tani veçmë ka ngelur histori, secili është duke shkuar në dasma me zarf sepse çmimi i arit është i lartë”, tha Nexhbedin Bushi.
Po a po rrezikohet biznesi i dyqaneve të arit?
“Artaria si zeje ka ekzistuar prej në kohërat e lashta dhe nuk është një ndër zejet e cila është e rrezikuar për ekzistencë, sepse nevoja për stoli ka qenë, sa të ketë dashuri ne nuk heqim keq”, tha Bushi.
Ndryshe ari është rritur në një nivel rekord pasi investitorët po grumbullohen drejt aseteve të sigurta, gjersa shqetësimet për luftën tregtare midis Uashingtonit dhe Pekinit po thellohen.