Këtë vit Dominiku e filloi klasën e dytë pa asistenten e tij arsimore. Duke mos pasur zgjidhje tjetër, nëna e tij Ana thotë se për dy muaj ka shkuar bashkë me të në shkollë, e pas mësimit ka shkuar në punë, dhe se për të kjo ka qenë një periudhë e cila nuk do kishte dashur t’i përsëritet kurrë më, shkruan Prizma.
“Dominiku është shumë i lidhur me të. Unë ua theksova se nëse atij i caktohej një asistent i ri me të cilin nuk ishte i mësuar, kjo gjë do t’i shkaktonte traumë, që do të shkaktonte kthim prapa në përparimin e tij,” thotë Ana Arsovska-Angeleska për BIRN.
Pas një pauze dy mujore dhe presionit të fuqishëm nga prindërit e Dominikut ndaj shkollës, sërish u angazhua e njëjta asistente. Ata ndjenë lehtësim, por u mbeti frika se me të njëjtën gjë do të përballeshin çdo 1 shtator në fillim të vitit shkollor.
Kjo frikë nuk është e pa arsyeshme. Përkundrazi. Problemi për Dominikun dhe i nxënësve të ngjajshëm me të vjen nga fakti se, edhe pse asistentët janë shtyllat e inkluzionit, në thelb profesioni i tyre është jo tërheqës dhe i pasigurt. Ata angazhohen me kontrata në vepër që zgjasin vetëm gjatë vitit shkollor dhe çdo vit aplikojnë për një konkurs të ri. Kur konkurset vonojnë ose kur nuk ka kandidatë të kualifikuar, vihet në rrezik edukimi i më shumë mijëra nxënësve të shkollave fillore.
Përfshirje në tre dekada
Edhe pse hapat e parë drejt përfshirjes në arsim filluan gati tre dekada më parë, zgjidhja e parë sistemike u miratua në vitin 2019 me Ligjin e ri për Arsimin Fillor. Dy vjet më pas u krijua Koncepti për arsimin përfshirës, me të cilin parashihej që të gjithë fëmijët, pavarësisht aftësive të tyre, të regjistrohen në shkolla të rregullta dhe për ata që kishin nevojë për ndihmë do të sigurohej një asistent arsimor.
BIRN bisedoi me disa asistentë arsimorë që janë angazhuar në shkollat në Maqedoni në pesë vitet e fundit. Përvojat e tyre janë të ndryshme, por të gjithë njëzëri thonë se çdo 1 shtator e presin me frikë dhe pasiguri dhe tashmë janë të lodhur nga kjo gjë.
Kjo është arsyeja se pse shumë prej tyre e shohin këtë si një angazhim të përkohshëm dhe një punë të parë – derisa të gjejnë një “punë të vërtetë”.
“Nuk e di nëse pata fat, por më pëlqen shumë të jem me mësuesen, prindërit dhe fëmijët dhe më pëlqen ta bëj këtë punë. Por të gjitha streset e tjera shoqëruese më bëjnë ta bëj këtë vetëm derisa të gjej diçka më të mirë”, thotë një asistente që tashmë për tre vjet po punon në një shkollë fillore në Shkup.
Në fakt, konkursi për pranimin e asistentëve para fillimit të këtij viti shkollor është dashur të përsëritej për shkak të numrit të pamjaftueshëm të kandidatëve. U angazhuan gjithsej 1.018 asistentë arsimorë për të ofruar mbështetje për 1.104 nxënës të shkollave fillore.
Por, në ditën e fundit të marsit, pak më shumë se dy muaj para përfundimit të këtij viti shkollor, u publikuan shpallje të reja për punësimin e 200 asistentëve të tjerë.
Situata status quo
Edhe pse para disa muajsh Ligji për Arsimin Fillor pësoi ndryshime nuk u prekën çështjet më urgjente në fushën e përfshirjes. Ndryshimi më i madh ishte heqja e inkluzionit të plotë në arsim, ashtu që u rikthye mundësia e regjistrimit të nxënësve me aftësi të kufizuara direkt në shkolla speciale.
Për nxënësit prindërit e të cilëve zgjodhën që t’i regjistroheshin në shkollat e rregullta, mbeti pasiguria për angazhimin e asistentëve arsimor.
Për BIRN nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e përsëritën qëndrimin e njohur se sistemi është i këtillë sepse nuk mund të vlerësonin paraprakisht se sa nxënës do të kishin nevojë për ndihmë çdo vit shkollor.
“Vetëm para disa vitesh asistentët paguheshin nëntë mijë denarë, ndërsa tani janë bashkëpunëtorë profesionalë dhe paguhen. Nëse e keni zgjedhur këtë profesion, duhet të jepni maksimumin, për më të mirën e të gjithëve”, thotë sekretarja shtetërore Elena Ivanovska.
Megjithatë, ajo pajtohet se do të duhet të bëjnë diçka nëse nuk aplikojnë mjaft asistentë arsimorë për vendet e reja të lira të punës.
Ministria nuk arriti të sigurojë një numër të mjaftueshëm asistentësh as në vitet e mëparshme akademike.
“Kjo e vë në pikëpyetje rëndë cilësinë e arsimit përfshirës”, thuhet në rportin vjetor të Avokatit të Popullit për vitin 2023, kur për 61 nxënës me aftësi të kufizuara nuk u sigurua mbështetja e duhur.
Edhe ky vit shkollor nuk filloi më mirë. Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi vendosi që në gjysmën e parë të shtatorit të inicojë procedurë kundër Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për konstatimin e diskriminimit për shkak të mungesës së asistentëve arsimorë për nxënësit me aftësi të kufizuara.
“Nuk pajtohem se ka pasur diskriminim”, thotë Ivanovska, edhe pse sqaron se kjo është një nga arsyet se pse aktualisht po punësojnë edhe 200 asistentë të tjerë arsimorë, të cilët për disa muajsh do të duhet të aplikojnë sërish për të njëjtën punë.
Ndërsa ky proces për shumë njerëz do të thotë shumë kohë dhe para, sqaron një nga asistentet arsimore me të cilët bisedoi BIRN. Ajo e pret me ankth çdo konkurs të ri. Problemi i saj më i madh është se ajo vazhdimisht duhet të nxjerrë të njëjtat dokumente për të cilat udhëton nëpër qytete të ndryshme, sepse punon në Shkup, jeton në një qytet tjetër, ndërkohë që ka lindur në një të tretë.
“Është një torturë e vërtetë. Çdo verë është njësoj dhe nuk mendoj se do të ketë një zgjidhje së shpejti“, shton ajo.
Sfidat pëkundër interesit
Të gjithë asistentët arsimorë punësohen përmes shkollave speciale, të cilat disa vite më parë u shndërruan në “shkolla me qendra resursesh”. Nga atje ato përcillen në shkollat fillore në të gjithë vendin, në të cilat ka nxënës që kanë nevojë për ndihmë gjatë mësimit.
Shkolla me qendër resursesh “Idnina” nga data 1 prill është në kërkim të 93 asistentëve arsimorë për vitin aktual shkollor, në kuadër të konkursit për 200 punësimet e reja. Në fillim të këtij viti ata angazhuan 264 asistentë, të cilët kujdesen për edukimin e 342 fëmijëve.
Drejtoresha e “Idnina”, Loreta Andreevska, për BIRN tha se ka interes për konkurset për asistentë arsimor, por se po përballen me sfida, siç është numri i pamjaftueshëm i kandidatëve të kualifikuar, nevoja për trajnime shtesë, si dhe përmirësimi i kushteve të punës dhe mbajtjes së tyre në sistem.
“Po ashtu është e nevojshme të sigurohet stabilitet në financim dhe mundësi për punësim afatgjatë për ta siguruar qëndrueshmërinë e kësaj mbështetjeje”, thotë Andreevska.
Është pikërisht joatraktiviteti i profesionit që i hap dyert kuadrove me kualifikim të ulët, gjë që ndikon drejtpërdrejt në edukimin e fëmijëve. Këtë më së miri e ka ndjerë Amella Memish Apostollovska, psikologe dhe nënë e Leonit, një nxënësi të diagnostikuar me autizëm.
Ajo ka pasur disa përvoja të këqija me asistentët arsimorë të angazhuar për ta ndihmuar djalin e saj. Me qenë se vetë është psikologe ajo thotë se ka punuar shumë me fëmijën e saj, i cili aktualisht po arrin të ndjekë mësimet pa asistent arsimor. Nga ana tjetër, ajo bën vërejtje për faktin se për shkak të mungesës “tashmë çdokush mund të jetë asistent arsimor”, edhe pse nuk ka ekspertizën e duhur.
“Asnjë psikolog, pedagog apo punonjës social i diplomuar cilësor, edhe sikur të mundej, nuk do të angazhohej për atë rrogë dhe një kontratë të tillë ku nuk e di nëse do të vazhdojë apo jo si asistent arsimor vitin e ardhshëm”, beson ajo.
Rritja e pagave në arsim i rriti edhe pagat e asistentëve. Asistentët e angazhuar në shtator kanë marrë pagë prej 32.000 denarësh, e cila në kontratat e reja është rreth 34 mijë denarë.
Dominiku kishte më shumë fat me asistenten e tij arsimore. Nëse qëllimi në lëndën e matematikës për klasën e dytë ishte që ai të punonte me numrat deri në dhjetë, ai tashmë po punon me numrat deri në 100, ashtu si edhe bashkëmoshatarët e tij.
“Është e qartë se puna që bën asistentja po jep rezultate të shkëlqyera. Ai ndihet i afërt me të dhe e kërkon shpesh. Gjatë fundjavave ai e kërkon vazhdimisht dhe dëshiron të jetë me të”, thotë Ana.
Ligje të reja, probleme të njëjta
Punësimi i asistentëve nuk është problemi i vetëm në inkluzionin në arsim. Në praktikë, probleme ka në çdo hap – që nga mungesa e materialeve për punë dhe stafit kompetent në shkolla, kushtet e këqija hapësinore, e deri te rezistenca për pranimin e nxënësve që kanë nevojë për një asistent arsimor.
Ose siç tregon një asistente arsimore, një problem i madh është kur mësuesit nuk bashkëpunojnë me asistentët me justifikimin “unë jam kundër inkluzionit, kjo nuk më pëlqen fare”.
Problem tjetër është mungesa e materialeve didaktike për punë.
“Gjithçka duhet ta menaxhosh vetë. Qendra jonë e resurseve pak a shumë na ofron kushte për kopjim, materiale, por shkollat jo. Fotokopjuesi herë punon e herë jo, letrën duhet ta sigurosh vetë, kushtet higjienike janë katastrofike… Si i mbajmë fëmijët deri në 4 të pasdites, nuk e di as unë vetë”, thotë ajo.
Pak kohë më parë, më 8 prill u miratua propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për Arsimin e Mesëm, me të cilin parashihet angazhimi i asistentëve arsimorë në arsimin e mesëm sipas modelit të njëjtë si në arsimin fillor. Angazhimi i tyre deri më tani bëhej përmes programeve të shërbimeve me bazë komunitare të UNDP-së, paguheshin me honorare të ulëta dhe kishin status më të keq se asistentët e shkollave fillore. Si dhe nuk ishin në numër të mjaftueshëm.
Sipas statistikave të MASh-it këtë vit në arsimin e mesëm janë angazhuar 117 asistentë arsimorë dhe personalë.
Këtë e vërtetojnë përvojat e prindërve dhe një ankesë tjetër e pranuar nga Komisioni për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Në vitin 2022 ata kanë konstatuar diskriminim të drejtpërdrejtë në bazë të aftësisë së kufizuar dhe moshës nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe kanë rekomanduar që Ministria të krijojë kushte ligjore për sigurimin e asistencës arsimore/personale për çdo nxënës të shkollave të mesme me aftësi të kufizuara.
Duke pasur parasysh këtë, plani që edhe në Ligjin e ri për Arsimin e Mesëm është që të angazhohen asistentë në të njëjtën mënyrë si në arsimin fillor, lë hapësirë që të përhapen të njëjtat probleme. Megjithatë, sekretarja shtetërore Ivanovska siguron se do të sigurojnë asistent arsimor për çdo nxënës të shkollave të mesme që ka nevojë për ndihmë.
Por kjo nuk mjafton për prindërit, të cilët tashmë po mendojnë se ku do të vazhdojë shkollimi i fëmijëve të tyre. Vetëm këtë vit mbështetje nga një asistent arsimor kanë pasur gjithsej 47 nxënës të klasës së nëntë.
“Meqenëse arsimi i mesëm është i detyrueshëm për të gjithë, duke përfshirë edhe fëmijët me aftësi të kufizuara në zhvillim, atëherë doemos duhet të kemi asistentë”, thotë Memish Apostollovska, nëna e Leonit.
Nga ana tjetër, Dominiku ka para edhe shtatë vjet deri në regjistrimin e tij në shkollën e mesme. Për momentin nëna e tij nuk mund të bëjë plane afatgjata. Ajo ka frikëra të tjera – a do e ketë biri i saj në 1 shtator asistenten e tij të preferuar tek e cila ka besim dhe të cilën e do sinqerisht.