Avokati i Popullit, i cili është ndër institucionet kryesore, në vend që kujdeset për ndjekjen dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve përballet me probleme serioze në funksionimin e tij.
Naser Ziberi, në një konferencë për forcimin e mbikëqyrjes parlamentare në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, theksoi se nuk kanë pavarësi financiare, mjete të mjaftueshme për realizimin e projekteve dhe kuadër përkatës.
“Institucioni i Avokatit të Popullit ballafaqohet me probleme serioze në funksionimin e tij. Mungesa e pavarësisë së plotë financiare, organizative, funksionale, mungesa e mjeteve për realizimin e projekteve dhe promovimin dhe promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve që janë kompetencë e Avokatit të Popullit. Mungesa e potencialit kadrovik, paraqesin problem serioz që ndikojnë drejtpërdrejtë në cilësinë, efikasitetin dhe punën tonë”, tha Naser Ziberi, Avokat i Popullit.
Ziberi i bëri thirrje kryetarit të Kuvendit dhe deputetëve që sa më parë t’i miratojnë ndryshimet e Ligjit për Avokatin e Popullit që ndodhen në procedurë parlamentare me qëllim që të aplikojnë për akreditim në Kombet e Bashkuara.
“Prolongimi i aprovimit të ndryshimeve të Ligjit për Avokatin e Popullit drejtpërdrejtë na privon nga mundësia e aplikimit dhe akreditimit në trupin ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara për marrjen e statusit A. Pra, institucion tërësisht i pavarur për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve, diçka që gati të gjitha institucionet e regjionit edhe pse të formuara shumë më vonë se sa ne, e kanë arritur një status të këtillë”, u shpreh Naser Ziberi, Avokat i Popullit.
Në rënien e cilësisë së akteve dhe vendimeve që i shqyrton Avokati i Popullit, Ziberi thotë se ndikon edhe moszgjidhja e zëvendësve të Avokatit dhe për këtë, kërkoi nga ligjvënësi që të gjejë zgjidhje. /Alsat/