Ka pasur një rritje të ndjeshme të qarkullimit të kokainës në Gjermani dhe në mbarë Evropën.
Sipas Holger Münch, kreut të Zyrës Federale të Kriminalistikës (BKA), kjo situatë është përshkruar si një “përmbytje” e kokainës.
Kjo rritje lidhet me ngopjen e tregut në Amerikën e Veriut dhe me një fokus të shtuar të trafikantëve drejt Evropës. Rrjetet kriminale nga Amerika e Jugut, të pajisura me burime të mëdha financiare, po përdorin rrugë alternative për trafikimin e drogës, duke përfshirë itinerare përmes Afrikës.
Në të njëjtën kohë, ka një rënie të furnizimit me heroinë nga Afganistani, për shkak të ndalimeve të vendosura nga talebanët ndaj kultivimit të opiumit. Kjo ka çuar në një mungesë të heroinës në treg dhe në një rritje të përdorimit të substancave sintetike, të cilat shpesh janë më të rrezikshme për përdoruesit, shkruan dw.
Rritja e disponueshmërisë së kokainës ka ndikuar edhe në çmimet e saj në tregun e zi. Ndërsa më parë një gram kokainë e pastër mund të kushtonte deri në 90 euro, tani çmimet janë më të paqarta, pasi dilerët ofrojnë zbritje dhe madje edhe shpërndarje në shtëpi për të tërhequr klientët.
Për më tepër, droga sintetike si “kamen” (crack) shitet për rreth pesë euro, një çmim i krahasueshëm me një birrë në një kafene .
Policia gjermane ka vërejtur një rritje të veprave penale të lidhura me narkotikët, me një rritje prej rreth pesë për qind për kokainën krahasuar me vitin e kaluar, dhe një rritje edhe më të madhe për drogat sintetike, të cilat shpesh prodhohen në laboratorë ilegalë brenda Evropës.