Nëse realizohen parashikimet se Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit të largohet nga Qeveria, shumica qeverisëse nuk do të ketë vota të mjaftueshme për të miratuar ligjet që kërkojnë shumicë të Badinterit. Praktikisht, pa ndihmën e opozitës, VLEN nuk do të mund të miratojë asnjë ligj që është në interes të shqiptarëve, pasi në një situatë të tillë LSDM, E Majta, BDI dhe Aleanca e Taravarit do të kishin gjithsej 27 deputetë që janë përfaqësues të pakicave. Deputeti i ASH-së, të krahut të Taravarit, Halil Snopçe tha se qeveria nuk mund të jetë stabile dhe funksionale pa pjesëmarrjen e deputetëve shqiptarë në të. Sipas tij, pa ata nuk arrihet Badinteri dhe qeveri pa Badinter nënkupton qeveri jo funksionale.
“Qeveria pa deputetët shqiptarë do të jetë jo funksionale e jo stabile, sepse nuk arrihet Badinteri. Nuk do të jetë afatgjate logjikisht, jo numerikisht. Por, në fakt praktikisht vështirë që do të funksiononte”, tha Halil Snopçe. Deputeti i ASH-së, Snopçe, i cili momentalisht është edhe koordinator i grupit parlamentar të VLEN-it në një intervistë për TV Koha, tha se zotimi dhe pritshmëritë për ta shkrirë VLEN-in në një subjekt të vetëm politik u harrua dhe nuk u përmend më fare, e që tani kjo temë u riaktualizua menjëherë.
“Pritej që menjëherë pas zgjedhjeve VLEN të shkrihet në një parti, por ai zotim u harrua nga të gjithë. Taravari e sakrifikoi vetveten hyri në zgjedhjet presidenciale edhe pse anketat nuk ishin në favor të tij. Kur e ndamë pushtetin qendror, ne si ASH e pranuam që ndarja të bëhet në mënyrë të barabartë. Por, tani kur afrohen zgjedhjet lokale ne që nga tetori kemi nisur idenë që të shkojmë me lista të veçanta” është shprehur Snopçe, duke deklaruar se partitë tjera mezi e kishin pritur këtë ndarje, prandaj tani po ndihen komod për ta shkrirë VLEN-in.
GASHI NUK BESON QË DO TË BLLOKOHET PUNA NË PARLAMENT
Këtë situatë një ditë më parë refuzoi ta komentojë kryetari i Parlamentit Afrim Gashi. Ai nuk e sheh si dramatike këtë çështje, sepse sipas tij, ende nuk dihet përfundimi i flirtit politik të Taravarit, nëse do të qëndrojë apo jo në Qeveri, e as nuk mund të dihet se cilat do të jenë interesat e deputetëve nga bashkësitë jo-shumicë për ligjet që do të votohen. Prandaj, sipas Gashit, nuk mund të tërhiqet një vijë e qartë mes shumicës qeverisëse dhe deputetëve opozitarë.
“Derisa të marr njoftimin zyrtar nga grupet parlamentare, Parlamenti do të vazhdojë të funksionojë si deri më tani”, njoftoi Gashi gjatë një brifingu me gazetarët lidhur me dilemat nëse do të ketë rishpërndarje të drejtuesve të trupave punues në Kuvend në rast se ndryshon përbërja politike e tij. Konkretisht për problemin me shumicën e Badenterit, Gashi tha: “Këto çështje hapen, por përderisa nuk kemi një gjendje të re faktike, nuk mund ta dimë përgjigjen”, theksoi Gashi. Ai nuk pret që puna e Parlamentit të bllokohet. “Nuk besoj se do të bllokohet Parlamenti. Le të presim. E rëndësishme është se cilat çështje do të votohen sipas parimit të Badenterit,” tha Gashi, i cili refuzoi të komentojë situatën në koalicion.
NËSE TARAVARI DO TË LARGOHET NGA QEVERIA, DO TË VENDOS MICKOSKI
Ndërkohë, Qeveria ka informuar se Kryeministri Hristijan Mickoski ka komunikim të rregullt me anëtarët e Qeverisë. Pas 1 majit pritet të mbahet një takim për të diskutuar nëse Aleanca për Shqiptarët dhe Ministri i Shëndetësisë do të mbeten pjesë e Qeverisë. Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, i cili është edhe lider i një pjese të Aleancës për Shqiptarët, tha se është kryeministri ai që vendos nëse Aleanca për Shqiptarët duhet të mbetet në Qeveri. “Unë mendoj se duhet, por nëse ai mendon se nuk duhet, ne nuk kemi asnjë problem. Megjithatë, të jemi racionalë dhe të mos nxitojmë”, deklaroi Taravari në Kumanovë, duke iu përgjigjur një pyetjeje nga gazetarët nëse partia e tij do ta lërë Qeverinë në rast të një daljeje eventuale nga koalicioni VLEN.
Taravari vlerëson se në partitë që janë pjesë e koalicionit VLEN ka reagime emocionale pas vendimit të tij që Aleanca për Shqiptarët në zgjedhjet lokale të dalë me lista të veta për këshilltarë, dhe bëri thirrje për kujdes, arsyeshmëri dhe racionalitet në këtë periudhë të vendimeve politike. Ai tha se VLEN-it do ti jep edhe një shans. “Ende nuk kemi biseduar me asnjë parti, në parim, kemi thënë, kemi pasur kryesi, sepse kemi organe partiake, kemi vendosur definitivisht të dalim me lista të veçanta. Në momentin që kemi negociata apo merremi vesh, ne kemi lënë edhe një mundësi VLEN-it, nëse janë të interesuar. Unë e shoh se tash reagojnë emocionalisht, këtë periudhë prej emocioneve besoj që kalon për 6-7 ditë, nëse nuk janë të gatshëm, ne i shohim opsionet të cilët i kemi parasysh si parti, për të dalë sa më mirë në zgjedhjet lokale”, tha Taravari.
LSDM: SHOHIM VETËM GRINDJE, JO PUNË PËR QYTETARËT
Ndërkohë përderisa situata brenda kampit politik qeveritarë vazhdon me “grindjet” në VLEN, Lidhja Social-Demokrate vlerëson se kjo qeveri e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, ZNAM dhe VLEN është më e paafta dhe kaotike që ka pasur ndonjëherë Maqedonia. Sipas LSDM-së fakt për këtë është se përderisa partite në pushtet janë të angazhuara në grindje të brendshme dhe grindje koalicionesh, institucionet po shemben para syve të qytetarëve.
“Sistemi është në prag të kolapsit dhe qeveria funksionon si një kartel i çorganizuar – më i fokusuar se kush do të marrë më shumë sesa se si t’i zgjidhë problemet e popullit. Çdo ditë, qytetarët shohin grindje partiake në vend të punës. Në vend të rezultateve, skandale. Në vend të politikave për njerëzit, luftëra të qeta për tendera dhe pozicione”, theksojnë nga LSDM.
Sipas partisë më të madhe opozitare maqedonase gjatë kohës sa është kjo qeveri në pushtet, kujdesi shëndetësor në kolaps, ekonomia është në rënie të lirë, ndërsa infrastruktura në ngecje. “Pagat për mijëra punonjës të sektorit publik janë të papaguara, projektet – zero. Nuk ka asnjë hap të vërtetë në favor të qytetarëve. Qeveria nuk punon për popullin, por vetëm për veten e saj. Dhe paratë? Në vend që të shkojnë te qytetarët dhe punëtorët për paga më të larta, ato shpenzohen për fruta luksoze, papaja, mango, hotele luksoze, avionë privatë dhe udhëtime me delegacione shtetërore si ture turistike”, thuhet në reagimin e LSDM-së, nga ku shtojnë se gjithçka çfarë shohim janë grindje, skandale dhe paaftësi. /Koha/