Ekspertët vlerësojnë se kryetarja e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, Tatjana Dimitovska duhet të japë dorëheqje, pas përfshirjes në hetimin e Prokurorisë në të cilin është e dyshuar se njërit prej të dyshuarve në rastin “Aditivët” i ka dhënë sekrete zyrtare. Ish anëtari i Antikorrupsionit Shemsi Sallai vlerëson se përgjegjësia duhet të jetë individuale dhe pavarësisht rastit, përbërja aktuale e Antikorrupsionit duhet të vazhdojë me punë.
“Unë nuk mendoj se të gjithë duhet të japin dorëheqje, pasi besoj shumë thellë se mund të jetë një rast i izoluar vetëm i kryetares. Edhe besoj se ka kapacitet të mjaftueshëm tek anëtarët tjerë edhe te Sekretariati që e përmendi se janë shumë profesionistë në punë dhe e bërë. Dhe unë shpresoj që Komisioni Kundër Korrupsionit do të vazhdojë punën pa asnjëfarë pengese dhe u bëj apel qytetarëve që të mos humbin besimin tek ai institucion”, tha Shemsi Sallai, ish anëtar i Antikorrupsionit.
Keqardhje për rastin me kryetaren e Antikorrupsionit, shprehu edhe ministri i Transformimit Digjital Stefan Andonovski. Ai, thekson që pavarësisht prezumimit të pafajësisë, Dimitrovska duhet të japë dorëheqje. Ndërsa edhe ai ndan mendimin se Antikorrupsioni ka kapacitete për të tejkaluar situatën dhe të vazhdojë me punë.
“Sipas meje, nuk ekziston mundësi për paralizimin e institucionit nëse vazhdon kjo përbërje të funksionojë. Gjithashtu, nuk shoh arsye pse anëtarët tjerë do të bartnin përgjegjësi për veprimet personale të një prej anëtarëve, pra veprime potenciale pasi bëhet fjalë për person të dyshuar”, tha Stefan Andonovski, ministër i Transformimit Digjital.
Dimitrovska me mbështetje të partive u zgjodh kryetare e Antikorrupsionit në fillim të vitit të kaluar. Pavarësisht pritjeve, ajo ende nuk ka dhënë dorëheqje. Ndërkohë, Gjykata ia mori pasaportën dhe ia ka ndaluar të shkojë në punë dhe të ketë qasje në dokumentet apo materialet e Antikorrupsionit. Për veprën penale që i ngarkohet Dimitrovskës, parashihet dënim me burg në kohëzgjatje prej tre muajsh deri në pesë vjet. Nëse nuk jep dorëheqje, pritet që të hapet procedurë shkarkimi në Kuvend. /Alsat/