TË RINJTË NË EKONOMINË GRI / Paga që “vret”, shpenzimet që të varfërojnë

    Në qytetin e Shkupit, shumë të rinj, përfshirë studentët, po vrapojnë pas mundësive të përkohshme pune si shpërndarës ushqimi, punë në aplikacione si “Wolt”, “Bolt”, e shumë të tjera për të mbuluar shpenzimet e shkollës dhe jetesës.

    Ky realitet është një shpëtim për ata që përballen me çmime të larta dhe mungesë të mundësive për punësim të qëndrueshëm, por gjithashtu sjell një mori sfidash. Paga e tyre, që ndikohet drejtpërdrejt nga numri i orëve të punuara dhe porosive të përfunduar, është e paqëndrueshme. Mungesa e sigurisë dhe mbrojtjes sociale është një faktor tjetër që e bën këtë lloj punësimi gjithnjë e më stresues. Për më tepër, këto punë shpesh nuk ofrojnë as sigurim shëndetësor dhe as mundësi për pushime të paguara, duke i lënë të rinjtë të pasigurt për të ardhmen.

    Gazeta Koha bisedoi me një nga studentet që ka përjetuar këtë realitet. Aida Azizi, një studente nga Struga, e cila ka punuar si shpërndarëse ushqimi deri para një muaji, tha se të punosh për t’i mbuluar harxhimet mujore si studente në Shkup, shpesh të kushton me jetë.

    “Kërkesa për punë është e madhe, por është shumë stresuese për ne studentët që përpiqemi të mbulojmë shpenzimet e shkollës dhe jetesës. Unë kam pasur dy aksidente gjatë shpërndarjes së ushqimit, dhe kjo është një rrezik tjetër i madh, sepse çdo aksident përveç dhimbjeve, mund të ndikojë direkt në mundësinë për të punuar dhe fituar”, theksoi ajo, duke shtuar se e shikon këtë punë si një mundësi për të mbuluar shpenzimet, por ajo është gjithashtu e shqetësuar për pasigurinë që vjen me të, për atë edhe që është detyruar ta ndërpresë.

    Rreziku i aksidenteve, siç ka përjetuar Aida, tregon se shpërndarja e ushqimit mund të sjellë pasoja të papritura, dhe kjo nuk është diçka që të rinjtë mund ta parashikojnë kur nisin një ditë pune. Kjo situatë reflekton realitetin që shumë të rinj po jetojnë, ku punësimi fleksibël shpesh vjen me kosto të lartë për shëndetin dhe mirëqenien e tyre, ndërsa pa mbrojtje të mjaftueshme ligjore. Ky fenomen gjithashtu tregon se rinia po detyrohet të ndërtojë mundësi për vetmbajtje, por pa kushte të sigurta për një jetë të qëndrueshme.

    Një tjetër çështje që shton stresin te të rinjtë është fakti se çdo ditë duhet të punosh sa më shumë për të fituar më shumë, dhe kjo nuk është gjithmonë e mundur, duke u bërë kështu një burim tjetër shqetësimi, pasi që ju duhet edhe të mësojnë edhe të punojnë. Nga ana tjetër, të rinjtë janë të detyruar të marrin punë të përkohshme dhe pa kontrata për të mbijetuar dhe për të vazhduar studimet, ndërsa u mungon një mundësi e qëndrueshme punësimi. Shumë prej tyre, përveç stresit nga puna, përballen edhe me sfidën e orëve të gjata të punës, të cilat mund të ndikojnë në performancën akademike.

    Ndryshe, ky model punësimi, i njohur si “ekonomia gri”, ofron mundësi, por gjithashtu krijon pasiguri dhe tension. Rinia është në kërkim të një balanci më të mirë mes mundësive për të fituar dhe mbrojtjes që i siguron shteti, duke qenë se shumë të rinj janë të detyruar të vrapojnë pas një page që nuk i mjafton për një jetë dinjitoze dhe pa stres të përhershëm.

    Ndihmat financiare për studentët tanë janë të kufizuara, ashtu si në shumë shtete të tjera të rajonit. Edhe pse disa vende të BE-së ofrojnë mbështetje më të madhe përmes bursave dhe mundësive për punë të sigurt, shumica e shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë, ndodhen në një situatë të ngjashme.

    Lajmi Paraprak

    Shitësit e banesave, përfituesit e padrejtë nga rritja e çmimeve!

    Lajmi i rradhës

    Mungesa e 7000 punëtorëve paraqet rrezik për sezonin turistik në Ohër dhe në Strugë!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë