Problemet me rënien në gjumë ose zgjimin gjatë natës janë të zakonshme, dhe në disa raste është e rëndësishme t’i kushtohet vëmendje simptomave të caktuara që mund të tregojnë vështirësi më të thella me gjumin.
Sipas Dr. Deborah Lee, gjumi i dobët nuk është vetëm një shqetësim, por mund të ketë pasoja serioze afatgjata për shëndetin tuaj fizik dhe mendor.
“Shumë njerëz e perceptojnë gjumin si diçka nga e cila mund të heqin dorë lehtësisht ose që do ta kompensojnë lehtësisht gjatë fundjavës, por e vërteta është se mungesa kronike e gjumit mund të ketë pasoja serioze shëndetësore”, pohon Dr. Lee.
Ajo shpjegoi se ka shenja të qarta që mund të tregojnë se trupi juaj po vuan nga mungesa e gjumit cilësor, dhe nëse vini re ndonjë nga simptomat, është e dobishme të kërkoni ndihmë profesionale.
Shenja e parë është lodhja kronike, e cila shpesh shoqërohet me çrregullime të gjumit si apnea ose narkolepsia, të cilat prishin cilësinë e gjumit dhe ju lënë të ndiheni të lodhur pavarësisht se flini mjaftueshëm.
Përveç kësaj, është e rëndësishme t’i kushtoni vëmendje problemeve me përqendrimin gjatë ditës. Nëse vini re mjegullim të trurit, harresë ose kujtesë të dobët, kjo mund të jetë një shenjë se truri juaj nuk po fle mjaftueshëm dhe nuk po bëni gjumë cilësor. Kur nuk flini mjaftueshëm, truri juaj nuk mund të funksionojë normalisht dhe është e vështirë të përpunojë informacionin dhe ndikon që të mbani mend më pak dhe të merrni vendime më ngadalë.
“Nëse e gjeni veten duke dremitur, ose duke rënë në gjumë në timon, kjo është një shenjë se duhet të kërkoni ndihmë profesionale sa më shpejt të jetë e mundur”, thotë Dr. Lee.
Këto simptoma mund të tregojnë çrregullime serioze të gjumit, siç është apnea, të cilat jo vetëm që përbëjnë një kërcënim për shëndetin tuaj, por ndikojnë edhe në sigurinë tuaj dhe të njerëzve të tjerë përreth jush.
“Pagjumësia jo vetëm që ndikon në energji, por edhe në emocione. Nëse keni vënë re se jeni më të irrituar, në ankth ose në depresion, mund të mos flini mjaftueshëm”, shpjegon Dr. Lee.
Gjumi i dobët prish aftësinë e trurit për të rregulluar emocionet, duke çuar në ndryshime të papritura të humorit dhe rritje të stresit. Nëse zgjoheni disa herë gjatë natës, kjo është një tjetër shenjë e lodhjes kronike, shkruan Express.
“Kur këto shqetësime zgjasin me javë të tëra, ato mund të tregojnë çrregullime të tilla si pagjumësia, ankthi ose depresioni”, tha Dr. Lee.
Mungesa e gjumit afatgjatë mund të përkeqësojë problemet ekzistuese shëndetësore.
“Gjumi i dobët rrit rrezikun afatgjatë të zhvillimit të sëmundjeve kronike si tensioni i lartë i gjakut, sëmundjet e zemrës, diabeti dhe obeziteti”, shpjegon mjeku.
Gjumi cilësor është thelbësor për ruajtjen e shëndetit dhe mund të ndihmojë shumë në kontrollin e problemeve ekzistuese shëndetësore.