Rroftë gjithçka!

    Hasan Hoxha

    Rroftë flamuri, kur kemi ditë festash.
    Rroftë gjuha, kur e shkruajmë gabim.
    Rroftë toka për ndërtim banesash.
    Rroftë historia, kur s’është provim.

    Rroftë libri, kur s’ka shumë faqe.
    Rroftë shkolla, kur është pushim.
    Rroftë nderi, kur varet në lagje.
    Rroftë kultura, kur s’na kërkon lexim.

    Rroftë kombi, kur luan kombëtarja.
    Rroftë gjaku, kur është rrëfim.
    Rroftë shpresa, kur vdes e para.
    Rroftë krenaria, kur s’na duhet veprim.

    Rroftë shqiponja, kur bëhet me duar.
    Rroftë atdheu, kur jemi në mërgim.
    Rroftë djersa, kur thahet pa u paguar.
    Rroftë bashkimi, kur është takim.

    Rroftë besa, kur nesër harrohet.
    Rroftë jeta, kur është argëtim.
    Rroftë vdekja, kur tre ditë kujtohet.
    Rroftë lufta, kur s’duhet flijim.

    Rroftë puna, kur s’jemi aty.
    Rroftë angazhimi, kur është emërim.
    Rroftë sekreti, kur e di veç ti.
    Rroftë përkushtimi, kur është detyrim.

    Rroftë kujtesa për thashetheme.
    Rroftë mbarimi, kur na gjen pa fillim.
    Rroftë biseda, kur është jashtë teme.
    Rroftë zhvillimi, kur ngelet trillim.

    Rroftë burrëria, kur matet me gra.
    Rroftë reagimi, kur është vonim.
    Rroftë dashuria, kur është para.
    Rroftë trimëria, kur është në film.

    Rroftë morali, kur na konvenon.
    Rroftë besimi, kur na kërkohet betim.
    Rroftë gjithçka, kur s’na kushton.
    Rroftë nëna, kur është temë në hartim.

    Rroftë e keqja, kur s’e sheh bota.
    Rroftë qytetaria, kur është fjalim.
    Rroftë politika, kur është për vota.
    Rroftë e ardhmja, kur është premtim.

    Rroftë e mira, kur është për ne.
    Rroftë fjala, kur është nxitim.
    Rroftë e vërteta, kur duhet fsheh.
    Rroftë mendimi, kur është citim.

    Lajmi Paraprak

    Autostrada Tetovë – Gostivar pritet të përfundojë brenda 2.5 vitesh dhe do të kushtojë 90 milionë euro

    Lajmi i rradhës

    Rritet interesi për të studiuar jashtë RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë