Riciklimi i elitës: pse Shqipëria ka nevojë për një shkatërrim krijues

    ADRI NURELLARI 

    Në zgjedhjet e vitit 2025, shqiptarët po përballen me një garë, që në thelb është e njëjtë me atë të vitit 2013 dhe më thellë akoma, me përfaqësuesit e të njëjtit brez politik, që hyri në skenë publike në dhjetor të vitit 1990. Në ballafaqimin politik mes partive kryesore nuk ka figura që përfaqësojnë realisht një brez të ri, sepse shumica e aktorëve protagonistë që garojnë sot kanë qenë ose kryeministra, ose ministra, ose liderë opozite që nga vitet e para të tranzicionit. Dhe ndonëse shumë prej tyre kanë ndërruar pozicione (nga pushteti në opozitë e anasjelltas) struktura e kënetës së elitës ka mbetur e pandryshuar, madje edhe në rastet kur aktorët nuk garojnë vetë, kanë futur në garë fëmijët apo nipër e mbesa. Prandaj gara e sivjetshme duket si një udhëtim absurd në makinën e kohës që na kthen në vitin 2013, kur është bërë përballja e fundit elektorale Rama kundër Berishës. Sot janë të njëjtët njerëz që kanë garuar më 2013, madje shpesh me po të njëjtat slogane për integrim evropian dhe premtime të papërmbushura. Elita shqiptare nuk është e qarkulluar, as e pastruar, as e reformuar, por e konsoliduar në mënyrë ciklike dhe hermetike.

    Me pak fjalë, nuk është demokraci e mirëfilltë, por një simulim demokracie për sy e faqe të ndërkombëtarëve. Është një lojë e mbyllur, ku skenari është i njëjtë, aktorët janë të njëjtë dhe publiku vetëm duartroket ose largohet nga shfaqja, duke iu bashkuar gjysmës së popullsisë që tashmë ka braktisur vendin. Për ta vënë në perspektivë sa e rëndë është situata, duhet të marrim në shqyrtim vendet fqinje. Në Greqi, në vitin 2013 qeveriste Antonis Samaras (ND), ndërsa opozitën e përfaqësonte Alexis Tsipras; në Itali, më 2013 qeveria drejtohej nga Enrico Letta, ndërsa Silvio Berlusconi ishte ende figurë qendrore e opozitës; në Kosovë, qeveria drejtohej nga Hashim Thaçi dhe rivali ishte Isa Mustafa; në Maqedoninë e Veriut ishte në pushtet Nikola Gruevski, ndërsa Zoran Zaev sapo ishte zgjedhur në krye të LSDM-së; ndërsa në Mal të Zi qeveriste Milo Gjukanoviç dhe përballë kishte Miodrag Lekiq, i cili asokohe drejtonte Frontin Demokratik. Në shumicën e vendeve të rajonit, por edhe më gjerë, kemi parë një qarkullim real të elitave: liderë të rinj, ndarje të qarta nga strukturat e vjetra dhe një rifreskim të klasës politike përmes garës, protestës apo krizës. Në demokracitë funksionale, qarkullimi i elitave është i pashmangshëm, herë si nevojë për oksigjen politik, herë si pasojë e goditjeve sistemike nga jashtë apo nga poshtë; herë si konflikte brenda elitës që shfrytëzohen nga aktorë të rinj; herë si pasojë e transformimeve socialekonomike me sfida që kërkojnë lidership të freskët. Me pak fjalë, është e natyrshme dhe e pritshme që figura të reja dalin në skenë, brezi i vjetër tërhiqet (dëbohet ose tërhiqet zvarrë) dhe struktura e mëparshme gradualisht të humbasë monopolin mbi narrativën dhe instrumentet e pushtetit. Shqipëria vazhdon të mbetet jashtë kësaj tendence historike si një “Zonë e Mbrojtur” për specie të rrezikuara politike.

    Teksa vende të tjera kanë ndërruar brez, qasje, sistem dhe elitë, ne ruajmë me fanatizëm të njëjtat fytyra, sikur të ishin relike arkeologjike. Kemi ngritur një lloj “Jurassic Park” politik, ku dinosaurët jo vetëm që nuk zhduken, por riqarkullohen e këmbehen me njëri-tjetrin politikisht dhe japin leksione për të ardhmen. Është si ajo mania jonë që edhe sot e kësaj dite e quajmë “lek i ri”, edhe pse monedha është ndryshuar që në vitin 1965. Në rrethana të tilla, zgjidhja duhet kërkuar te koncepti i shkatërrimit krijues, i formuluar nga ekonomisti austriak Joseph Schumpeter. Në terma ekonomikë, Schumpeter e përshkroi këtë si procesin përmes të cilit strukturat e vjetra, joefikase dhe të kalbura shemben, për t’i lënë vend inovacionit, efikasitetit dhe formave të reja të organizimit. Ky parim nuk vlen vetëm për tregjet – ai është plotësisht i zbatueshëm edhe në politikë. Me fjalë të tjera, nuk mjafton një evolucion apo reformim i liderëve dhe partive të vjetra, ajo që nevojitet është përmbysja dhe zëvendësimi rrënjësor i tyre me liderë dhe forca të reja. Shqipëria sot ngjan me një oborr të mbytur nga dy pemë të mëdha e të vjetra, PD dhe PS, të cilat kanë zënë çdo rreze dielli, kanë gllabëruar oksigjenin dhe kanë përpirë çdo pikë uji apo grimcë lënde ushqyese, duke e bërë pothuajse të pamundur që ndonjë bimë e re të rritet pranë tyre. Rrënjët e tyre janë kaq të thella dhe agresive, sa kanë zaptuar thuajse gjithë nëntokën, dhe sa herë përpiqesh të hapësh një gropë të re për të mbjellë diçka, të del përpara rrënja e ndonjë “lideri historik”.

    Çdo filiz i ri ose mbytet nga hija e tyre, ose detyrohet të shtrembërohet për të kërkuar ndonjë rreze drite mes kurorës së dendur të këtyre pemëve. Por edhe në natyrë, asgjë nuk zgjat përgjithmonë dhe rigjenerimi vjen përmes shkatërrimit krijues. Edhe pemët më të vjetra, kur thahen nga brenda, eventualisht bien. Dhe kur bien, çlirojnë tokën, hapin qiellin dhe lënë pas plehun organik të dekompozimit të tyre. Pikërisht atëherë filizat e parë mund të ushqehen nga plehu organik që kanë lënë pas pemët e rrëzuara. Edhe historia politike funksionon njësoj, me elitat e shkatërruara nga dështimet, gabimet, zhgënjimet dhe abuzimet, që pa dashje, krijojnë terrenin për të ushqyer lindjen e një elite të re. Ky është paradoksi shpresëdhënës: e reja, për t’u ushqyer, ka nevojë që e vjetra të rrëzohet. Thënë ndryshe, konsumi i skajshëm i elitës aktuale është njëkohësisht sinjal paralajmërues i afërt i këtij shkatërrimi krijues. Të flasësh për shkatërrim krijues në Shqipëri, do të thotë të pranosh një të vërtetë të thjeshtë, por të dhimbshme: ky sistem nuk reformohet dot nga brenda, sepse ai jeton pikërisht nga riprodhimi i së vjetrës. Asnjë pemë e re nuk mbin nën hijen e kurorave të kalbura – dhe asnjë elitë e re nuk del nga laboratorët e partive që kontrollojnë gjithçka: zgjedhjet, mediat, krimin, paratë dhe institucionet.

    Çdo tentativë për të reformuar sistemin nga brenda, pa e çmontuar atë, është vetëm një operacion plastik mbi një trup që vazhdon të jetë i sëmurë. Shkatërrimi krijues, në kontekstin shqiptar, do të thotë t’i jepet fund njëherë e mirë riciklimit të së njëjtës elitë, që bën marrëveshje të heshtura në emër të “stabilitetit” dhe që mbyt çdo konkurrencë reale. Nuk mjafton më ndëshkimi ligjor i disa individëve, as ndonjë rotacion sipërfaqësor mes politikanëve të konsumuar, sepse sistemi nuk riformohet me qilima të rinj mbi dysheme të kalbur. Ai ose shembet, ose vetëpërsëritet pa fund. Këtu duhet theksuar se kjo thirrje për shkatërrim krijues në Shqipëri nuk është një apel për destabilizim apo kaos, por për rindërtim institucional mbi një themel më të ndershëm dhe funksional. Ajo nuk kërkon të përmbysë rendin demokratik, përkundrazi, synon të rikthejë kuptimin e tij të vërtetë, që ka të bëjë me përfaqësimin e drejtë, barazinë e lojës, transparencën e pushtetit dhe kufizimin e tij përmes ligjit e institucioneve të pavarura. Mbase është ende herët për ta thënë me siguri, por po shfaqen çarje serioze në strukturën e establishmentit të vjetër politik.

    Nuk kemi të bëjmë vetëm me goditjet e SPAK-ut, të cilat për herë të parë kanë hetuar, arrestuar dhe dënuar politikanë që për dekada janë konsideruar të paprekshëm, por edhe me shfaqjen e filizave të parë të një rendi të ri politik. Në njërën anë, shohim një LSI/LRI në një udhëkryq mbijetese, një PD të tkurrur në një grusht besnikësh të rreshtuar rreth figurës themeluese dhe një PS që, ndonëse e pathyeshme në numra, është duke e konsumuar legjitimitetin politik në mënyrë të pakthyeshme dhe duke i humbur figurat kryesore një e nga një për shkak të SPAK-ut. Këtu ia vlen të ndalemi për të kuptuar se Partia Socialiste, ndonëse qëndron në pushtet, nuk funksionon më si një organizatë politike me jetë të brendshme institucionale, por si një makinë elektorale e centralizuar rreth një figure dhe një rrethi të ngushtë ortakësh. Ky proces i deinstitucionalizimit – ku strukturat kolegjiale, debati i brendshëm dhe mekanizmat e kontrollit janë zëvendësuar nga besnikëria vertikale dhe nga qarkullimi i privilegjeve – e ka shndërruar PS-në nga një forcë politike në një SH.P.K. pushteti.

    Dhe, si çdo sistem që ngurtësohet rreth individëve dhe jo rreth ideve e vlerave, ajo është gjithnjë e më e paaftë të rigjenerojë veten përmes reformës së brendshme dhe gjithnjë e më e ekspozuar ndaj rrënimit, nëse kushtet për përplasje piqen dhe alternativa është dinjitoze. Në anën tjetër, në sondazhe, në biseda, në rrjetet sociale, po shfaqen zëra të rinj, forca të reja politike që nuk i përkasin kastës së zakonshme, të cilat janë ende të brishta, por janë reale. Në një terren të lodhur nga konsumimi i pafund i së njëjtës klikë po shfaqen aktorë që ende janë shumë pak dhe nuk e përfaqësojnë shumicën. Por janë simptomë e një lodhjeje kolektive, e një mosdurimi që rritet nga viti në vit. Dhe kjo, në një vend ku politika ka qenë përherë një rreth i mbyllur, është e jashtëzakonshme si sinjal për “reset” politik. Mbase këto nuk janë ende zgjedhjet kritike, në kuptimin që i jep konceptit V. O. Key, Jr. në esenë e tij të famshme “A Theory of Critical Elections” (1955), ku ai argumentonte se disa zgjedhje sjellin ndryshime të thella dhe afatgjata në boshtin ideologjik, strukturën partiake dhe përkatësinë elektorale, duke shënuar një rirreshtim historik të sistemit politik. Ndoshta nuk jemi ende në pikën e thyerjes, por jemi aty ku fillon krisja.

    Jo fundi, por fillimi i fundit të rendit aktual që ka funksionuar përmes riciklimit, kontrollit vertikal, korrupsionit dhe besnikërisë së organizuar. Kësaj kënete politike që ka përfituar sistematikisht nga emigracioni masiv, jo vetëm si zgjidhje për papunësinë dhe varfërinë, por edhe si valvul sigurie që shfryn jashtë vendit tensionin social, që ndryshe do ishte kthyer në presion ndaj keqqeverisjes.

    Ndonëse ri-reshtimi nuk ka ndodhur ende, simptomat janë megjithatë të dukshme, sepse partitë tradicionale kanë humbur kapacitetin për të prodhuar përfaqësim të gjallë, dhe një pjesë e shoqërisë, e papërfaqësuar, po kërkon ajër të freskët në një sistem që i ka zënë frymën. Është pikërisht në këto faza të ndërmjetme (kur e vjetra mbahet gjallë me zor, ndërsa e reja ende nuk ka fituar formë të plotë) që tensioni arrin kulmin. Aty lind përplasja, dhe me të, hapet dritarja e rrallë e mundësisër për një shkatërrim krijues. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Sulmet izraelite në Gazë vrasin 10 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë

    Lajmi i rradhës

    Mickoski e kritikoi Taravarin: iu hodhe në përqafim Ali Ahmetit

    Lajme tjera

    Për në Madrid

    LEONARD DEMI Më 29 qershor, në Madrid, do të mbahet Samiti i NATO-s, ku mund të miratohet edhe…
    Më tepër

    Refleksion

    KRISTJAN MULLALLI Në bashkëbisedim me mësues Msc. Alfred Nazarko “Eshtë arti suprem i mësuesit qe zgjon gëzimin e…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë