Shqipja reduktohet në përdorim gjysmëzyrtar

    Sefer Tahiri, profesor universitar / Fotografia: Nistori

    Sefer Tahiri
    Profesor universitar

    Ligji për përdorimin e gjuhëve është në shqyrtim kushtetues, por për shkak të ndjeshmërisë politike dhe ndëretnike, çështja shtyhet. Nismat i ka bërë VMRO–DPMNE–ja kur ishte në opozitë, ndërsa kur është në pushtet nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga të njëjtat.

    Inspektorati i shqipes larg statusit të Inspektoratit të maqedonishtes

    Në Gjykatën Kushtetuese ekziston vendim i miratuar që “Çështja për të cilën kontestohet Ligji i Gjuhëve do të shtrohet në seancë, në të cilën do të marrin pjesë nëntë gjykatësit”. Megjithatë, prania e nëntë anëtarëve vështirë se ka gjasa të ndodh, duke pasur parasysh faktin se dy gjykatës, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari, kundërshtojnë vendimin eventual për shfuqizimin e disa dispozitave. Nuk përjashtohet as dorëheqja e tyre, njësoj siç vepruan Bajram Pollozhani dhe Mahmud Jusufi në vitin 2010, të cilët dhanë dorëheqje të parevokueshme pas vendimit të Gjykatës për shfuqizimin e disa neneve të Ligjit mbi përdorimin e flamurit shqiptar.

    Së fundmi, pozitën e pafavorshme të shqiptarëve sa i përket përdorimit zyrtar të gjuhës e ilustroi personi i cili duhet të sigurojë zbatimin e Ligjit për gjuhët, drejtori i Inspektoratit të Gjuhëve, Arsim Idrizi. Vetëm pse mediat thanë se nuk foli maqedonisht, kryeministri iu kërcënua me shkarkim në stilin “Kjo le të jetë e para dhe e fundit”.

    Por, përveç pozitës së Idrizit, në pikëpyetje është fati i Inspektoratit në tërësi, i cili sipas një zgjidhje gjoja kreative do t’i bashkohet Agjencisë së Gjuhëve dhe me këtë sipas të gjitha gjasave do ta humb subjektivitetin juridik shtetëror. Agjenciа për Zbatimin e Gjuhëve, është kompetente për standardizimin dhe përdorimin e unifikuar të shqipes, ndërsa Inspektorati ka për detyrë mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit. Bëhet fjalë për dy institucione të shtetit me natyrë të ndryshme të punës.

    Bashkëngjitja me agjencinë do të thotë shkrirje e inspektimit të zbatimit të gjuhës, pasi me Ligjin për organizimin e administratës shtetërore, inspektoratet nuk funksionojnë si subjekte të veçanta.

    Por sipas nenit 20 të Ligjit për përdorimin e gjuhëve “për zbatimin e plotë dhe konsekuent të ligjit formohet Inspektorat për gjuhët, në përbërje të Ministrisë së Drejtësisë, në cilësinë e personit apo subjektit juridik”.

    Ndërsa vetë Ligji për Inspektoratin thotë qartë:

    “Çështjet e mbikëqyrjes inspektuese në fushën e zbatimit të amendamentit 5 të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut dhe Ligjin e gjuhëve i kryen Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, si organ në përbërje të Ministrisë së Drejtësisë”. Përderisa këmbëngulet në kalimin e Inspektoratit të gjuhëve tek agjencia, në anën tjetër ekziston Inspektorati për Zbatimin e Gjuhës Standarde Maqedonase, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Kulturës. E ka llogarinë e vet buxhetore, si shfrytëzues buxhetor i linjës së parë dhe që është më e rëndësishme, në mënyrë të pavarur zbaton procedura për punësim.

    Inspektorati i Gjuhës Shqipe që të shmang shuarjen duhet të fitojë statusin e njëjtë si të Inspektoratit të Gjuhës Maqedonase.

    Në të vërtetë ky inspektorat nuk ka dhënë efektet e duhura, pasi nuk ka shqiptuar asnjë dënim ndaj ndonjë institucioni shtetëror, që nuk zbaton shqipen në përdorim zyrtar. Të tillë ka me bollëk!

    Shqipja “therë në sy” për shumë qarqe maqedonase

    Nuk është hera e parë që shqipja bëhet “mollë sherri” dhe futet në labirinte të errëta institucionale dhe politike, me qëllim që të ulet niveli i përdorimit të saj zyrtar. Një prej dispozitave që shkaktoi më shumë kundërshtime ishte neni 8 i ligjit. Ai parashikon që uniformat e policëve, zjarrfikësve dhe punonjësve shëndetësorë të jenë dygjuhëshe. Kjo vlen për Shkupin dhe komunat, ku shqiptarët janë mbi 20 për qind. Pullat postare, fletëpagesat, raportet fiskale, faturat dhe banderolat duhet të jenë edhe në shqip. Paratë s’janë dygjuhëshe, por ligji parashikon të përmbajnë simbole që përfaqësojnë edhe trashëgiminë kulturore të shqiptarëve. Kontestues është edhe komunikimi ndërinstitucional në gjuhën shqipe!

    Nuk ka parti politike shqiptare, e cila në programin e saj nuk e ka projektuar zyrtarizimin e shqipes, njësoj si maqedonishtja. Por, me Kushtetutë asnjëherë nuk është garantuar barazia e saj me gjuhën maqedonase, që ndërlidhet me faktin që as statusi juridik–kushtetues i shqiptarëve, që nga Preambulla nuk është normuar si i barabartë me atë të maqedonasve.

    T’i kthehemi gjuhës dhe statusit të saj, duke tentuar që përmes analizës krahasuese historike dhe asaj normative–juridike të vijmë deri tek gjendja e sotme! Përdorimi zyrtar i shqipes pas Luftës së dytë botërore dhe në vitin 1974 Pas Luftës së Dytë Botërore, Kuvendi Kushtetues i Republikës Popullore të Maqedonisë më datën 31 dhjetor të vitit 1946 miratoi Kushtetutën e parë të vendit. Në nenin 12 i trajtonte shqiptarët dhe të tjerët si pakicë kombëtare. “Pakicat kombëtare në Republikën Popullore të Maqedonisë kanë të drejtën e lirë të përdorimit të gjuhës së tyre”.

    Rendi kushtetues i Maqedonisë përjetoi ndryshime rrënjësore në vitin 1974, siç ndodhi në tërë ish Jugosllavinë. Në këtë kushtetutë thuhej “Çdo kombësie i garantohet e drejta që lirisht të përdor gjuhën e vet.”

    Gjithashtu sipas Kushtetutës socialiste të 74–ës në rajonet ku kanë jetuar pjesëtarët e kombësive, gjuha dhe alfabeti i kombësive kanë qenë të barabartë me gjuhën maqedonase. Ndonëse kjo e drejtë ka qenë e garantuar normativisht, zbatimi i saj ka hasur në pengesa. Që të drejtat kanë vetëm formale flet fakti që kreu i Kuvendi para viteve 90–ta ka qenë shqiptar, mjeku Vullnet Starova, ndërsa edhe pse e ka pasur të drejtën e përdorimit të shqipes, nuk e ka zbatuar fare.

    Fati i shqipes pas pavarësisë së shtetit

    Pas shpalljes së pavarësisë më 8 shtator të vitit 1991, më 17 nëntor të këtij viti u miratua Kushtetuta e re. Sipas saj gjuha shqipe, si zyrtare garantohet vetëm në nivel lokal (komunal), prandaj krahasuar me Kushtetutën e vitit 1974 kemi regres. Njësoj si në dokumentet e KAÇKM-së pas Luftës së dytë, gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj ruajnë ekskluzivitetin e gjuhës së vetme zyrtare në tërë territorin e vendit dhe në të gjitha nivelet. Kjo kushtetutë nuk u votua nga deputetët shqiptarë, të cilët në momentin e votimit qëndruan në sallë. Deri në arritjen e Marrëveshjes së Ohrit nuk kishte legjitimitet tek shqiptarët, ndërsa nga forcat opozitare të tyre shihej si gjenerator i krizës ndëretnike.

    Përdorimi zyrtar i shqipes sipas Marrëveshjes së Ohrit

    Viti 2001 është vit i luftës, por edhe i Marrëveshjes së Ohrit. VMRO-DPMNE-ja dhe PDSh-ja që ishin në pushtet, 2001–ën e cilësonin si relaksues në dimensionin ndëretnik, por thuajse papritmas, më 16 shkurt të vitit 2001 ndodhi konflikti i armatosur.

    Edhe pse u zhvillua luftë dhe palët etnike zhvilluan negociata, ndryshimet kushtetuese të vitit 2001 nuk arritën që ta bëjnë shqipen tërësisht zyrtare. Sipas amendamentit V përkatësisht nenit 7 të Kushtetutës së vitit 2001, gjuha maqedonase vazhdoi të ruajë ekskluzivitetin, ndërsa shqipes i garantohej statusi i përdorimit zyrtar. Në nenin 7 thuhet se “Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Gjuhë tjetër dhe alfabeti i saj që e flasin, së paku 20% e qytetarëve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare, siç është përcaktuar me këtë nen.”

    Nisur nga kjo normë kushtetuese, në 26 korrik të vitit 2008 pas një marrëveshje mes VMRO- DPMNE-së dhe BDI-së, Kuvendi miratoi Ligjin e gjuhëve, i cili nuk parashikonte përdorimin e shqipes, si gjuhë e dytë zyrtare në tërë territorin. Ky ligj u mundësonte deputetëve shqiptarë të flasin në gjuhën e tyre amtare, ndërsa me ndryshimet e miratuara në vitin 2011 iu mundësua edhe kryetarëve të komisioneve parlamentare të drejtojnë seancat në shqip dhe ministrat të mund të drejtohen në Kuvend në shqip.

    LSDM-ja, për dallim nga viti 2018 kur nuk i pengonte përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, në vitin 2008 reagonte se “ligji është miratuar në mënyrë kontrabanduese, në moment të fundit dhe pa konsultimet e domosdoshme politike”. Në 2008 ligji nuk u dekretua nga presidenti i atëhershëm Branko Cërvenkovski, analogjikisht si në vitin 2018 kur ligjin nuk e firmosi presidenti nga radhët e VMRO- DPMNE-së, Gjorgje Ivanov.

    Pas vitit 2011 ka pasur një lloj moratoriumi të pashpallur politik mbi statusin e gjuhës shqipe, pasi VMRO- DPMNE-ja konsideronte se nuk mund të hap sërish këtë çështje. Bashkimi Demokratik për Integrim ka pasur oscilime sa i përket dioptrisë mbi statusin e shqipes, duke e cilësuar herë zyrtare, sepse sipas integristëve nuk ka gjuhë të parë dhe të dytë zyrtare, e herë duke premtuar që kjo çështje do të përmbyllej në mandatet pasuese.

    Shqipja fiton status të avancuar ligjor

    Lidhja Socialdemokrate, në vitin 2016, 25 vite pas pavarësisë ishte partia e parë maqedonase e cila në programin e saj të quajtur “Plani për Maqedoninë” vendosi një kapitull me titullin “Mbrojtja e gjuhëve të bashkësive tjera dhe komunikimi ndërkulturor”.

    Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vitin 2016, në të cilat VMRO- DPMNE-ja fitoi 51 deputetë, ndërsa LSDM-ja 49, partitë shqiptare më 7 janar të vitit 2017 firmosën në Tiranë Deklaratën e partive politike shqiptare e cila në opinionin maqedonas u prezantua si Platforma e Tiranës. Kjo deklaratë, e firmosur nga përfaqësuesit e: BDI–së, koalicioni Rilindje me Besë dhe Aleancës për Shqiptarët synonte “Arritjen e barazisë së plotë gjuhësore, përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe garantimin e përdorimit të saj si e drejtë themelore dhe kushtetuese. Kushtetuta duhet të përcaktojë se “gjuha maqedonase me alfabetin cirilik dhe gjuha shqipe me alfabetin e saj janë gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë”.

    Meqë zyrtarizimi i gjuhës shqipe ishte kusht i Aleancës për Shqiptarët për formimin e qeverisë së re, LSDM–ja hartoi programin e saj qeveritar, i cili përfshinte edhe avancimin e përdorimit zyrtar të shqipes.

    Kuvendi më 11 janar të vitit 2018 miratoi ligjin. Parashikon që “Gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj është edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve dhe alfabeti i saj, edhe atë në të gjitha organet e pushtetit shtetëror, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, institucionet dhe organizatat, komisionet, personat juridik të cilët ushtrojnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet e tjera”.

    Miratimi i këtij ligji u prit negativisht nga një pjesë e elitës maqedonase. Së bashku me disa intelektualë edhe profesorja e Fakultetit Juridik në Shkup, Gordana Siljanovska- Davkova, sot presidentja e vendit iu drejtuan qeverisë dhe opinionit me një letër të hapur, në të cilën kundërshtonin miratimin e ligjit. Sipas saj dhe bashkëmendimtarëve të saj rrezikohej gjuha maqedonase si kod i komunikimit. Aktualizimi i çështjes së dygjuhësisë nga shtatori i vitit 2016 dhe sot e kësaj dite ishte pjesë e strategjisë së VMRO- DPMNE-së që çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët të jenë në qendër të vëmendjes. Regjimi i Gruevskit e hapi temën e dygjuhësisë, duke u prezantuar si mbrojtës i maqedonasve.

    Gjuha mijëvjeçare e shqiptarëve u ka rezistuar perandorive, sistemeve e pushteteve të ndryshme, sepse Hajdegeri e thotë më bukur “Gjuha është shtëpia e qenies”! Shqipja është identiteti i shqiptarëve!

    *Analiza është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Po diskriminohemi

    Lajmi i rradhës

    Opozita maqedonase kundër regjistrimit elektronik

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë