Java ndërkombëtare e infermierëve, i gjen motrat medicinale të lënë pas dore nga sistemi shëndetësor. Vetëm vitin e kaluar rreth 2000 infermierë janë larguar për në vendet evropiane, për kushte më të mirë, ndërsa ky numër këtë vit pritet të jetë edhe më i lartë. Pagat e ulëta, mos avancimi në karrierë, përgjegjësi për jetën e pacientëve, orë tejet të zgjatura të orarit të punës janë disa nga sfidat të cilat ballafaqohen çdo ditë infermierët. Shoqata e Infermierëve “Për ne” thonë se nuk kanë ministër të shëndetësisë që i përfaqëson.
“Gjithë këto vite e kaluara asnjë garniturë e ministrisë nuk ka ndryshuar as nuk ka bërë asgjë për infermierët. Ne nuk mund ti adresojmë çështjet në individ si ministër, flasim për garniturat e ministrive, pra të gjithë komplet në vitet e kaluara nuk kanë bërë asgjë, nuk gjendemi as në agjendat e tyre. Flitet shumë ndërsa asgjë nuk bëhet”, tha Gordana Beshliovska, kryetare e Shoqatës së Infermierëve.
Hamdije Fetahu, infermiere që punon në klinikën “8 Shtatori” thotë se është e vështirë të përballojnë fluksin e madh të pacientëve, pasi kanë mungesë të personelit mjekësor. Ajo thotë se në repartin ku ajo punon dy infermiere kujdesen deri në 35 pacientë në ditë.
“Puna si infermiere është mjaft stresuese pasi që ka shumë përgjegjësi të madhe, bëhet fjalë për jetën e pacientëve është pak edhe orari i zgjatur, punojmë nga 12 orë në ditë. Një ditë e një infermiere varet se ku është, nëse është në repart është ndryshe nëse është në ambulancë është ndryshe, kështu që është sakrificë e madhe, mirëpo edhe lumturi pasi në bëjmë gjithçka që pacientëve të ju ofrojmë gjithçka që duhet”, tha Hamdije Fetahu, infermiere.
Nga Shoqata e infermierëve thonë se vetëm pas tragjedisë së Koçanit, Institucionet morën masa për përkujdesjen e shëndetit mendor të infermiereve. U formua ekip i psikologëve për të ndihmuar infermieret. Për momentin shumë infermiere janë në pushim mjekësor pasi kanë kaluar një periudhë të stërngarkuar fizike dhe psikike pas tragjedisë së Koçanit. /Alsat/