Një studim i ri i publikuar në revistën ACS ES&T Water tregon se larja e enëve plastike në lavastovilje çliron mikroplastikë dhe nanoplastikë në ujërat e ndotura. Këto grimca plastike mikroskopike, megjithëse në sasi relativisht të vogël, mund të kenë ndikim të rëndësishëm në mjedis për shkak të përdorimit të përditshëm të lavastoviljeve në miliona shtëpi anembanë botës.
Studiuesit zbuluan se një cikël i vetëm larjeje me enë plastike të zakonshme mund të çlirojë deri në 920,000 grimca mikroplastike dhe nanoplastike në ujin e shkarkuar. Në shkallë globale, kjo përkthehet në rreth 33 milionë grimca për çdo shtëpi në vit. Edhe pse masa e përgjithshme është e vogël, rreth 6 miligramë për person në vit (më pak se një çerek i peshës së një kokrre orizi), ndikimi kumulativ në mjedis nuk është për t’u nënvlerësuar.
Mikroplastikat janë grimca plastike të vogla, nga 5 milimetra deri në 1 nanometër, ndërsa nanoplastikat, që janë më të vogla se një mikrometër, janë veçanërisht shqetësuese pasi mund të depërtojnë në qeliza të gjalla. Studime të mëparshme kanë treguar se ato mund të dëmtojnë qelizat e mëlçisë dhe mushkërive te njerëzit.
Megjithëse impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura mund të largojnë mbi 90% të mikroplastikave, miliona grimca ende arrijnë të kalojnë filtrat dhe përfundojnë në mjedis, duke ndikuar negativisht në ekosistemet ujore.
Zgjidhjet për të ulur ndotjen nga lavastoviljet përfshijnë përdorimin e filtrave të brendshëm për të kapur mikroplastikën para se të hyjë në sistemin e ujërave të ndotura. Filtra të tillë tashmë përdoren për lavatriçet, të cilat lëshojnë mikrofibra nga rrobat sintetike. Aplikimi i tyre në lavastovilje do të ishte një hap i rëndësishëm përpara.
“Eliminimi i ndotësve para se të hyjnë në mjedis është më efektiv se sa përpjekjet e mëvonshme për pastrimin e tyre,” tha Elvis Okoffo, bashkautor i studimit nga Universiteti i Queensland-it. “Ndryshime të vogla, kur zbatohen nga miliona shtëpi, mund të kenë ndikim të madh në uljen e ndotjes globale nga plastika.” / Discover Magazine – Syri.net