Çfarë mund të pritet nga bisedimet për Ukrainën në Abu Dabi?

    Negociatorët e Rusisë dhe Ukrainës kanë nisur në Abu Dabi bisedimet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja. Çfarë synojnë dy palët ndërluftuese? Çfarë roli luajnë SHBA-ja dhe Evropa? Dhe çfarë mund të pritet nga negociatat?

    Për herë të parë pas tetë muajsh, Ukrainadhe Rusia po negociojnë sërish drejtpërdrejt për përfundimin e luftës. Në Abu Dabi, në Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë filluar bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës me ndërmjetësimin e SHBA-së. Ato pritet të zgjasin dy ditë. Presidenti i SHBA-së Donald Trumpka ngjallur pritshmëri për një përparim të afërt, me deklaratat e tij për një “marrëveshje të madhe dhe të bukur” që mund të arrihej së shpejti. Megjithatë, vëzhguesit nuk presin një zhvillim të tillë. Por të paktën palët po bisedojnë sërish me njëra-tjetrën.

    Kush merr pjesë në takim?

    Ukraina përfaqësohet nga kryenegociatori Rustem Umerov, ndërsa Rusia nga i dërguari i presidentit Vladimir Putin, Vladimir Medinski. Nga pala amerikane pritet të marrin pjesë i dërguari i posaçëm i Trumpit, Steve Witkoff, dhe dhëndri i Trumpit, Jared Kushner.

    Në Abu Dabi ndodhen gjithashtu përfaqësues të vendeve evropiane, përfshirë Gjermaninë, si dhe të BE-së dhe NATO-s. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ata do të bisedojnë vetëm me delegacionin ukrainas apo do të marrin pjesë drejtpërdrejt në bisedimet mes Kievit, Moskës dhe Uashingtonit. Sipas Kushnerit, “partnerët evropianë” do të informohen vetëm në kuadër të takimeve anësore, ndërsa një format më i gjerë me pjesëmarrjen e Evropës parashikohet vetëm nëse arrihet “përparim”.

    Pse po zhvillohen pikërisht tani negociatat?

    Fillimisht, negociatat duhej të vazhdonin që në muajin mars. Por lufta kundër Iranit, e nisur nga Trumpi, tërhoqi vëmendjen e Uashingtonit, ndërsa Witkoff dhe Kushner zhvillonin bisedime me Teheranin.

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyj kishte dashur që takimi në Abu Dabi të zhvillohej më herët. Kohët e fundit është shtuar presioni ndaj vendit të tij për të negociuar: nga njëra anë për shkak të rënies së eksporteve të drithërave, si pasojë e bllokimit të porteve detare nga Rusia, dhe nga ana tjetër, mbi të gjitha, për shkak të sulmeve shkatërrimtare ruse ndaj infrastrukturës energjetike.

    Çfarë synon të arrijë Ukraina?

    Negociatori Umerov tha se synimi është arritja e një paqeje të qëndrueshme. Fillimisht pritet të diskutohet për garancitë e sigurisë, një armëpushim në Detin e Zi dhe, mbi të gjitha, për ndalimin e sulmeve ndaj furnizimit me energji elektrike, ujë dhe ngrohje në vend. Pas sulmeve masive ajrore ruse, miliona ukrainas po jetojnë aktualisht në temperatura rreth zeros, ndërkohë që dimri sapo ka filluar.

    Kievi dëshiron gjithashtu të trajtojë kthimin e fëmijëve të deportuar nga territoret e pushtuara dhe shkëmbime të tjera të të burgosurve, të cilat janë zhvilluar disa herë edhe në të kaluarën.

    Bisedimet synojnë gjithashtu të ndihmojnë në përgatitjen e një samiti me Putinin, të cilin e kërkon presidenti Zelenskyj. Por, nga këndvështrimi i Kievit, për këtë është i nevojshëm fillimisht një armëpushim. Vetëm më pas mund të diskutohen çështjet territoriale, të cilat kanë rëndësi të veçantë për Moskën.

    Çfarë pret Rusia nga bisedimet?

    Negociatori rus Medinski deklaroi se lufta duhet të marrë fund në interes të popullit ukrainas dhe atij rus. Ministri i Jashtëm Sergej Lavrov tha në Moskë, se bëhet fjalë për përcaktimin e pikave kryesore të një strukture rajonale të sigurisë. Këto garanci sigurie për Ukrainën dhe Rusinë do të hynin në fuqi pas një “zgjidhjeje të plotë dhe gjithëpërfshirëse” të konfliktit.

    Megjithatë, Moska vazhdon t’u përmbahet kërkesave të saj maksimale, të cilat do të çonin në nënshtrimin e Ukrainës. Putini ka hedhur poshtë çdo përpjekje për t’i dhënë fund luftës kundër Ukrainës që devijon nga këto kërkesa. Deri tani, Kremlini nuk ka treguar interes për një zgjidhje diplomatike.

    Rusia vazhdon të kërkojë jo vetëm dorëzimin e territoreve ukrainase që aktualisht i mban të pushtuara, por edhe të atyre territoreve që i ka aneksuar në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, megjithëse nuk i kontrollon. Një përfaqësues i qeverisë amerikane deklaroi se Rusia dhe Ukraina po tregojnë në prapaskenë njëfarë fleksibiliteti lidhur me pretendimet territoriale. Megjithatë, deklarata të tilla nga qarqet amerikane dëgjohen prej kohësh.

    Përveç kësaj, Rusia kërkon një Ukrainë të mbetur kryesisht të çmilitarizuar dhe, rrjedhimisht, të pambrojtur; heqjen dorë nga anëtarësimi në NATO, si dhe “denazifikimin” e vendit, me çka me gjasë nënkuptohet zëvendësimi i qeverisë aktuale në Kiev me një qeveri kukull të pranueshme për Rusinë. Nga këndvështrimi rus, një armëpushim është i mundur vetëm pasi këto pika të jenë zgjidhur në mënyrë të kënaqshme për Rusinë.

    Çfarë interesi kanë ShBA-ja?

    Presidenti Trump vazhdon të jetë nën trysninë e premtimit të tij elektoral për t’i dhënë fund luftës brenda 24 orësh. Megjithë përpjekjet ndërmjetësuese, deri tani nuk është arritur ndonjë përparim vendimtar.

    Para fillimit të negociatave, Trump foli për një marrëveshje që, sipas tij, ishte thuajse gati për t’u nënshkruar dhe që mund “të prekte gjithë Evropën”. Ai pretendoi se të dyja palët janë lodhur nga luftimet. “Shohim gjithashtu një gatishmëri shumë të madhe për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.”

    Një tjetër synim i Uashingtonit është të pengojë që Rusia të hyjë edhe më shumë në sferën e ndikimit të Kinës. Përmes rivendosjes së marrëdhënieve ekonomike, Moska synohet të nxitet që të jetë më e gatshme për kompromis.

    Çfarë roli luajnë evropianët?

    Rusia dhe SHBA-ja do të preferonin të negocionin të vetme për Ukrainën. Pas njoftimit të Trumpit për një marrëveshje që mund “të prekte gjithë Evropën”, në Evropë u ndezën sinjalet e alarmit. Ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot tha, se nuk mund të ketë bisedime me Rusinë për sigurinë e Evropës përpara se të arrihet një armëpushim dhe të vendoset paqja. Edhe ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul deklaroi, se nuk është e mundur të gjendet një zgjidhje për luftën pa përfshirjen e Evropës.

    Para negociatave në Abu Dabi u rikthye edhe debati se kush duhet të jetë negociatori zyrtar i Evropës. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni kishte kërkuar që për këtë çështje të merrej “një herë e përgjithmonë” një vendim i detyrueshëm. Në të kundërt, Evropa rrezikon të mbetet pa peshë në procesin e negociatave.

    Çfarë mund të pritet nga bisedimet?

    Shefi i administratës presidenciale të Zelenskyjt, Kyrylo Budanov, shprehu “optimizëm të përmbajtur”, por nuk pret ndonjë përparim vendimtar.

    Më realist duket arritja e një armëpushimi të pjesshëm për sulmet në det, të cilin prej muajsh nuk e kërkon vetëm Turqia, pasi Deti i Zi është shndërruar ndërkohë në një nga rajonet detare më të rrezikshme në botë. Si Ukraina, ashtu edhe Rusia kanë interes për një marrëveshje të tillë, me qëllim rifillimin e eksporteve të drithërave.

    Situata është më e paqartë sa i përket çështjes së rëndësishme të një armëpushimi rreth objekteve energjetike ukrainase. Moska i përdor sulmet si mjet presioni gjatë dimrit, ndërsa Kievi mbështetet te sulmet me dronë ndaj rafinerive ruse, për të shkaktuar mungesa karburanti dhe për t’i ndërprerë të ardhurat makinerisë ruse të luftës.

    Në fund, si një gjest vullneti të mirë, bisedimet mund të përfundojnë edhe vetëm me një marrëveshje për një tjetër shkëmbim të burgosurish. DW

    ard/dpa

    Lajmi Paraprak

    Kontrata për punë apo për vota?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë