Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka nominuar Mikhail Bogachekun për ambasador të ri amerikan në Kosovë.
Nominimi i tij është dërguar në Senatin amerikan më 10 nëntor, sipas një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, ndërsa për të marrë detyrën, ai duhet të konfirmohet nga Senati.
Ambasada amerikane në Prishtinë aktualisht udhëhiqet nga e ngarkuara me punë, Anu Prattipati, pasi ambasadori paraprak, Jeff Hovenier, përfundoi mandatin e tij trevjeçar në fund të dhjetorit të vitit 2024.
Kush është Mikhail Bogachek?
Michael Bogachek aktualisht mban pozitën e drejtorit ekzekutiv në Organizatën e Shteteve Amerikane (OAS), ku mbikëqyr operacionet administrative, financat, prokurimin, burimet njerëzore dhe teknologjinë informative, sipas një biografie të publikuar në faqen e organizatës.
OAS-i, i themeluar në vitin 1948, përfshin 35 shtete të kontinentit amerikan dhe ka për qëllim forcimin e demokracisë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sigurinë dhe zhvillimin.
Sipas biografisë së tij, Bogachek ka mbi 25 vjet përvojë në sektorët e shëndetësisë, teknologjisë dhe menaxhimit institucional.
Më herët, Bogachek ka qenë drejtor operativ në kompaninë VativoRx, e cila merret me administrimin e përfitimeve farmaceutike në SHBA.
Ai ka themeluar edhe kompaninë Cooperton, e specializuar në sigurinë kibernetike dhe menaxhimin e krizave, si dhe kompaninë PharmaLife, që merret me teknologjinë në sektorin farmaceutik.
Bogachek ka diplomuar në Inxhinieri Industriale dhe të Sistemeve në Institutin e Teknologjisë të Xhorxhias dhe ka doktoraturë në Bioinxhinieri. Ai ka përfunduar gjithashtu një program për drejtues biznesesh në Harvard Business School.
Nominimi për ambasador në Kosovë është pjesë e një liste më të gjerë emërimesh të dërguara nga administrata Trump në Senat më 10 nëntor.
Nominimi i Bogachekut vjen në një periudhë kur marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë përballur me sfida, përfshirë pezullimin e Dialogut Strategjik nga Uashingtoni në vitin 2025.
SHBA-ja e pezulloi Dialogun Strategjik me Kosovën më 12 shtator 2025. Në atë kohë, Uashingtoni shprehu shqetësime për veprimet e Qeverisë së atëhershme në detyrë ndaj institucioneve serbe në Kosovë dhe kritikat e saj ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se ato kishin rritur tensionet dhe kishin kufizuar mundësinë për bashkëpunim në prioritetet e përbashkëta.
Në korrik të këtij viti, Departamenti amerikan i Shtetit i tha REL-it se rifillimi i dialogut varet nga krijimi i kushteve të nevojshme, përfshirë përmbushjen e zotimeve të Kosovës ndaj serbëve.
Më herët gjatë këtij viti, administrata Trump ka nominuar ambasadorë edhe për Shqipërinë, Serbinë, Bosnje e Hercegovinën dhe Malin e Zi. Senati amerikan ka konfirmuar Eric Wendtin si ambasador në Shqipëri më 7 gusht, ndërsa kandidatët për tri vendet e tjera ende janë në pritje të konfirmimit. REL




