Nëse keni çfarë do lloj kompanie ose organizate që punon me para, me siguri e dini se gjithçka që bëni duhet ta raportoni në Drejtorinë e të Ardhurave Publike. Nëpërmjet atij institucioni kalon paga juaj çdo muaj, ju atje i paguani tatimet dhe një herë në vit në Regjistrin Qendror dorëzoni një llogari përfundimtare. Nëse nuk i bëni të gjitha këto, ka shumë gjasa që t’i nënshtroheni një inspektimi dhe t’ju duhet të paguani gjoba. Por, këto rregulla shtetërore nuk vlejnë për të gjithë, shkruan Prizma në bazë të të dhënave “Pronat fetare nën llupë“.
BIRN zbuloi shumë gjëra jologjike dhe “mbyllje të syve” nga autoritetet kompetente kur bëhet fjalë për bashkësitë më të mëdha fetare – Kishën Ortodokse të Maqedonisë-Kryepeshkopata e Ohrit dhe Bashkësinë Fetare Islame.
Ato funksionojnë shumë më lehtë – janë të liruara nga përgjegjësia fiskale, prej tyre askush nuk kërkon transparencë financiare, ndërsa për të gjitha këto ato gëzojnë tolerancë nga institucionet.
Ato nuk dorëzojnë llogari përfundimtare, nuk i paraqesin të ardhurat, ndërsa Drejtoria e të Ardhurave Publike dhe Regjistri Qendror u bëjnë lëshime. Dy institucionet shtetërore ia kalojnë njëra-tjetrës detyrimet e kontrollit dhe ndëshkimit.
Detyrime të lëna pas dore
Bashkësitë fetare janë të regjistruara sipas Ligjit për Komunitetet Fetare dhe Grupet Fetare, por kontabilitetin dhe detyrimet ndaj shtetit, siç thonë nga DAP-i, ato i përmbushin në të njëjtën mënyrë si organizatat joqeveritare, pra sipas Ligjit për Kontabilitetin e Organizatave Jofitimprurëse.
Kjo do të thotë se ata kanë obligim një herë në vit të dorëzojnë llogari përfundimtare vjetore. Ata nuk duhet ta respektojnë këtë detyrim vetëm nëse vlera e përgjithshme e pronës ose të ardhurave të tyre vjetore është më pak se 2.500 euro.
Hulumtimi disamujor i BIRN, i cili shthur procedura dhe rregullore komplekse administrative, zbulon se edhe pse i plotësojnë kushtet për dorëzimin e llogarive vjetore, dy komunitetet fetare me numrin më të madh të ndjekësve në vend, KOM-KO dhe BFI, në fakt për vite me radhë e kanë neglizhuar këtë detyrim ligjor.
Nga viti 2010 deri në vitin 2023 Kisha Ortodokse e Maqedonisë ka dorëzuar vetëm një llogari përfundimtare, në të cilën nuk ka paraqitur të ardhura. Nga ana tjetër, Bashkësia Fetare Islame nuk ka dorëzuar as edhe një.
Sinodi i KOM-KO-së, duke e shmangur një shpjegim të drejtpërdrejtë për mosdorëzimin e llogarive përfundimtare, për BIRN tha se i respekton “rregulloret në legjislacionin ekzistues në Maqedoni dhe vepron në pajtim me to, si dhe në pajtim me Kushtetutën e KOM-KO-së”. (Përgjigjet e plota nga KOM – KO lexoni këtu.)
Nga ana tjetër, nga BFI thonë se aktualisht “asnjë bashkësi fetare në Maqedoninë e Veriut nuk dorëzon llogari vjetore përfundimtare, sepse korniza legjislative nuk e parashikon këtë për institucionet fetare”. (Përgjigjet e plota nga BFI lexoni këtu.)
Por kjo thjesht nuk është e vërtetë. Kontrollet e BIRN nxorrën në pah se Kisha Katolike e ka përmbushur këtë detyrim ligjor çdo vit, përfshirë edhe këtë të fundit.
Shteti lejon një indiferencë të tillë nga ana e dy komuniteteve më të mëdha fetare. Përgjigja nga Regjistri Qendror sugjeron se gjithçka lihet në ndërgjegjen e tyre.
Nga atje thonë se nuk mund të supozojnë “nëse subjekti ka të ardhura vjetore prej më shumë se 2.500 eurosh që të mund të dorëzojnë një propozim procedurë për barazim/ procedurë kundërvajtëse për subjektin juridik“.
“Të dhënat mbi të ardhurat e realizuara mund t’i dijë vetë subjekti”, thonë nga Regjistri Qendror. (Përgjigjet e plota nga RQM lexoni këtu.)
Nëse ky institucion mbështetet tërësisht në përgjegjësinë dhe vendimet e bashkësive fetare, Drejtoria e të Ardhurave Publike është në një pozicion ndryshe. Ajo në çdo moment mund të vërtetojë se nëpër llogaritë e KOM – KO-së dhe BFI-së po qarkullojnë fonde të mëdha për kontribute.
Llogari të majme dhe prona të shumta
Sipas të dhënave të cilat BIRN i siguroi nga DAP-i, deri në dhjetor të vitit 2024 në KOM – KO ka pasur 99 të punësuar, ndërsa në BFI 179. Kjo do të thotë që KOM duhet të ketë të paktën 54.000 euro në muaj për t’i paguar punonjësit e saj, ndërsa BFI rreth 97.000 euro. Dhe kjo vlen nëse ata janë të punësuar për një pagë minimale.
Nga DAP thonë se në pesë vitet e fundit ata nuk kanë hyrë për të kryer inspektime në KOM – KO dhe BFI, ndërsa më parë kur kanë kryer “kontrolle të caktuara, nuk janë gjetur parregullsi”. (Përgjigjet e plota nga DAP lexoni këtu.)
Edhe sipas kushtit të dytë për dorëzimin e një llogarie përfundimtare, pra vlera e përgjithshme e pronës të jetë më pak se 2.500 euro, dy bashkësitë më të mëdha fetare bëjnë pjesë ato në ato organizata që janë të detyruara të dorëzojnë një të tillë.
Baza e të dhënave “Pronat fetare nën llupë”, në të cilën BIRN рunoi për më shumë se një vit, ilustron në detaje se bashkësitë fetare zotërojnë prona me një vlerë shumë më të madhe se pragu minimal, që i liron OJQ-të e vogla nga detyrimi për të dorëzuar llogari përfundimtare.
“Pronat fetare nën llupë“ për herë të parë zbulon se KOM – KO disponon me mbi 14.000 prona në mbarë vendin, ndërsa BFI me mbi 5.300 prona të regjistruara në Kadastër. Ndërtesa banimi, biznesi, komerciale – ndërsa disa prej tyre vlejnë më shumë se 2.500 euro për metër katror, siç janë apartamentet që KOM – KO i ka në kompleksin e ri “Grand” në qendër të Shkupit.
Sipas Ligjit për Tatimin e Pronës, bashkësitë fetare lirohen nga tatimi i pronës për objektet në të cilat kryhen rite fetare. Për apartamentet dhe lokalet afariste – ato duhet të paguajnë.
Nga KOM – KO thonë se u përmbahen këtyre rregullave.
Nga ana tjetër, nga BFI janë të mendimit se “çdo metër katror” ka rëndësi fetare, sepse të ardhurat shkojnë për ta mbështetur jetën fetare. Nga atje, për BIRN thonë se në disa komuna këshillat kanë vendosur që t’i lirojnë objektet e vakëfeve nga tatimet – si një akt “mirëkuptimi”.
Sa të ardhura kanë ato në të vërtetë?
Bashkësitë fetare fitojnë para në shumë mënyra. Fillimisht nga kryerja e riteve fetare, por ato marrin injeksione financiare shtesë si nga shteti ashtu edhe nga komunat.
Hulumtimi i bazës së Financave të hapura tregon se në periudhën nga viti 2010 deri në vitin e kaluar nga buxheti i shtetit për KOM – KO janë paguar mbi gjashtë milionë euro mbi baza të ndryshme, përfshirë këtu edhe për denacionalizim. Gjatë së njëjtës periudhë shteti i ka paguar BFI-së mbi 200 mijë euro.
Pesë vjet më parë Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit doli me një shifër shumë më të lartë. Bazuar në një dokument të siguruar nga Ministria e Financave, ata thanë se BFI-së i është paguar një fletobligacion shtetëror prej mbi nëntë milionë eurosh si kompensim për pronën që nuk iu kthye përmes denacionalizimit, dhe se pavarësisht të ardhurave të këtilla, kjo bashkësi fetare nuk ka dorëzuar një llogari vjetore. Të dy bashkësitë fetare marrin të ardhura edhe nga dhënia me qira e pronave të tyre, ndërsa ndonjëherë edhe përmes kompanive që ato i formojnë për të investuar në biznese të tjera, si në ndërtim, energjetikë ose turizëm.
Veprimtari të tjera ekonomike
KOM – KO shfaqet gjithashtu si themeluese e pesë kompanive, një fondacioni dhe një fakulteti. BFI, nga ana tjetër, ka themeluar dy kompani, dy shoqata dhe një fakultet. Për këto ata dorëzojnë llogari përfundimtare.
Megjithatë, kur nuk dorëzohen llogari përfundimtare, bilanci midis të ardhurave dhe shpenzimeve të bashkësive fetare që rezultojnë nga aktiviteti ekonomik është një mister dhe kjo situatë mund t’i amnistojë ato nga pagesa e tatimeve, nëse shifrat aktuale tejkalojnë një shumë të caktuar të ardhurash.
Ligji për Kontabilitet për Organizatat Jofitimprurëse parasheh edhe se nëse KOM – KO ose BFI në fund të vitit kanë të ardhura nga aktiviteti ekonomik që tejkalojnë një milion denarë, pra 16.000 euro, që është një skenar real pasi ata japin me qira pasuri të patundshme dhe janë të përfshira në biznese fitimprurëse, ligji parasheh edhe një detyrim tjetër për ta, ta paguajnë tatimin mbi fitimin, por vetëm një përqind të parave të fituara mbi atë shumë.
Edhe pse nuk i deklarojnë zyrtarisht të ardhurat e tyre, faktet në terren flasin për një pasqyrë tjetër. Për shembull, KOM – KO e jep me qira hotelin “Izgrev” në Strugë, ndërsa BFI menaxhon me dyqane në Tetovë, të cilat gjithashtu i jep me qira.
Vetë bashkësitë fetare për BIRN konfirmuan se po e shfrytëzojnë ekonomikisht pronën e tyre.
Ka shumë raporte mediatike rreth aktiviteteve të tilla ekonomike, por nga DAP thonë se sipas të dhënave të tyre ato “nuk gjenerojnë të ardhura nga aktivitete ekonomike, siç janë qiratë bazuar në marrëveshjet për dhënie me qira së pasurive të patundshme”.
Por, KOM – KO dhe BFI kanë edhe të ardhura që nuk kalojnë nëpër sistemet bankare dhe nuk janë të dukshme për institucionet.
Për shembull, për çdo rit fetar besimtarët i paguajnë priftërinjtë vendas, ndonjëherë një shumë të paracaktuar, ndonjëherë sipas parimit “paguaj sa të kesh”. Për ato para të mbledhura mbahen të dhëna të sakta. Por vetëm të brendshme, gjë që është e paraparë në kushtetutat e KOM – KO-së dhe BFI-së. Ato para nuk raportohen në sistemin tatimor, as nuk derdhen në llogaritë e bashkësive fetare.
Nga këto para jetojnë 709 priftërinj, aq sa janë të regjistruar sipas ligjit për vetëpunësim. Ata nuk janë të punësuar nga institucionet fetare, por paguajnë vetë një shumë të caktuar nga Drejtoria e të Ardhurave Publike që zakonisht sillet nga 200 deri në 400 euro në vit. Nga këta, rreth 600 janë priftërinj të KOM – KO-së, ndërsa pjesa tjetër janë kryesisht të Bashkësisë Fetare Islame.
Një subjekt i vetëm, më shumë numra amë – vetëm për KOM – KO-në
Duke i hulumtuar detyrimet fiskale të dy bashkësive më të mëdha fetare, BIRN zbuloi mospërputhje edhe në mënyrën se si institucionet e menaxhojnë administrativisht Kishën Ortodokse të Maqedonisë-Kryepeshkopatën e Ohrit.
Kështu, dioqezat në Regjistrin Qendror janë të regjistruara si degë të Kishës, por kanë një numër amë ndryshe nga personi juridik KOM – KO-ja, gjë që përfaqëson një lloj precedenti.
Sipas ligjit për sistemin me një sportel dhe për mirëmbajtjen e regjistrit tregtar dhe regjistrit të personave të tjerë juridikë, çdo person juridik duhet të ketë një numër unik amë që zbatohet edhe në të gjitha degët e tij, të cilat kanë një nën-numër shtesë.
Qëllimi i një zgjidhjeje të tillë ligjore është centralizimi i përgjegjësisë financiare. Kështu që, nëse një degë e një kompanie, për shembull nëse bëhet fjalë për një rrjet supermarketesh, nuk i paguan faturat e energjisë elektrike, atëherë do të preket e gjithë kompania, d.m.th. llogaria e tyre do të bllokohet dhe asnjë punonjës nuk mund të marrë pagë derisa të paguhet borxhi.
Por, ky parim nuk vlen për Kishën Ortodokse të Maqedonisë – Kryepeshkopata e Ohrit. Edhe pse vepron si një subjekt i vetëm juridik, dioqezat e saj janë të regjistruara me numra të ndryshëm amë.
Kjo zgjidhje i mundëson KOM – KO-së të gëzojë njëkohësisht të drejtën për t’i kontrolluar tempujt individualë dhe vendimet e tyre afariste, ndërsa nga ana tjetër, të mos vuajë pasojat e punës jokorrekte financiare të secilës kishë ose manastir individual.
Institucionet nuk kanë një përgjigje konkrete se si ka ardhur deri te kjo. Nga Regjistri Qendror, i cili në fakt e jep numrin amë, thotë se ky ka qenë rast që nga shkurti i vitit 2014, por ata përgjegjësinë ia kalojnë gjykatës, nga e cila kanë marrë një njoftim për regjistrim që është dorëzuar me kërkesë të KOM – KO-së.