Opinioni dhe opozita nuk e mirëpritën deklaratën e Komisioneres për zgjerim të Bashkimit Evropian për traditën dhe identitetin maqedonas, duke përmendur ushqimet tradicionale vendore. Nga LSDM-ja apelojnë për kujdes gjatë deklaratave të tilla.
“Ne prisnim që Komisioneri Kos të theksonte atë që vetë BE-ja e ka konfirmuar në të gjitha dokumentet dhe të gjitha marrëveshjet, që gjuha dhe identitetet maqedonase njihen plotësisht nga Unioni. Si gjuha ashtu edhe identiteti janë konfirmuar qartë në të gjitha marrëveshjet e nënshkruara tashmë me BE-në. Nuk besojmë se Komisionerja kishte qëllime të këqija, por apelojmë që kur flitet për çështje dhe tema të ndjeshme, që për fat të keq hapen pa nevojë edhe pse janë qartësisht të mbyllura, të bëhet kujdes me deklaratat”, thonë nga LSDM.
E Majta e quan relativizim dhe zhvlerësim të identitetit.
“Deklaratën e Komisioneres Evropiane Marta Kos… e vlerësojmë si relativizim dhe zhvlerësim të identitetit kombëtar të popullit maqedonas. Duke i dhënë një karakteristikë folklorike identitetit kombëtar, përfaqësuesja e BE-së u përpoq ta përshtaste identitetin nga karakteristikat e tij historike, kombëtare, politike dhe shtetformuese, domethënë nga karakteristikat elementare të identitetit, të cilat janë objekt kontesti dhe për shkak të të cilave Bullgaria nuk i lejon Maqedonisë të vazhdojë me proceset eurointegruese”, thonë nga E Majta.
Kryeministri tha se mendimin e tij për këtë deklaratë e dha dje dhe se ja len opinionit ta komentojë. Ai, duke folur për kritikat e opozitës sa i takon ngecjes së eurointegrimit dhe çështjes së identitetit tha se po dëshmohet se problemi nuk ka qenë aq sipërfaqësor, vetëm për ndryshimet kushtetuese.
“Ajo që po bën kjo qeveri dhe diplomacia maqedonase është që t’i kthejë pozitat e humbura pore dhe t’i tregojë botës se çfarë fshihet pas asaj që na thuhej më herët se është çështje e thjeshtë, vetëm të ndryshohet Kushtetuta dhe gjithçka ka përfunduar, nëpër rrugë do të fillojë të rrjedhë mjaltë dhe qumësht, zogjtë do të këndojnë, lulet do të rriten dhe gjithçka do të jetë e përkryer. Kurse në realitet nuk është ashtu, në realitet problemi është më i thellë. Ne vetëm pak gërryem dhe gjithçka doli në sipërfaqe. Mund ta shohin edhe bota edhe qytetarët maqedonas se për çfarë bëhet fjalë”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Deklarata e Kos një ditë më parë gjatë qëndrimit në Shkup zemëroi një pjesë të përdoruesve të rrjeteve sociale. Asaj ju kërkua të komentojë amendamentet në Parlamentin Evropian për shtimin e fjalës “modern” kur flitet për gjuhën dhe identitetin maqedonas.
“Identiteti, në opinionin tim, asnjëherë s’mund të jetë çështje vendimesh politike. Identiteti është diçka që mbajmë në shpirt dhe në zemër, identiteti është si ndihemi për vendin tonë, identiteti është si kujdesemi për traditat tona si manastiret, si “pogaça”, “tafçe grafçe”, “pinxhur” ose “speca të mbushur”, është se si i shikojmë veshtjet tradicionale, çfarë sjellje kemi ndaj më të moshuarve, çfarë këndvështrimi kemi ndaj gjuhës tonë dhe kjo është diçka që askush s’mundet t’ua marrë maqedonasve”, tha Marta Kos, Komisionere e BE-së për zgjerim. /Alsat/