Automjete të vjetra ushtarake dhe policore si “Hermelinë”, transportues të blinduar për trupa BTR dhe “Pinzgauerë” janë ripërshtatur për shuarje zjarresh dhe këto ditë do të vihen në funksion për sezonin veror të pritur me zjarre. Rreth 60 automjete janë pajisur me rezervuarë uji gjashtë-tonësh dhe do të veprojnë në terrene të paarritshme.
“Risi është që një pjesë e pajisjeve të vjetra dhe të magazinuara, si BTR 70–80, hermelinët e vjetër, Pinzgauerët dhe të ngjashme, që ndodheshin në depot e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Punëve të Brendshme, janë modernizuar, janë përpunuar, u janë instaluar rezervuarë të veçantë për ujë, janë blerë pompa që funksionojnë me presion të lartë dhe mund të hyjnë në terrene të paarritshme. Ajo që ishte shumë e rëndësishme për ne është që, gjatë natës, kur zjarri ‘fle’, siç thuhet profesionalisht, të mund të ndërhyjmë dhe ta shuajmë që të mos përhapet gjatë ditës”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Shtesë, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim ka në dispozicion operacional dy Air Tractor, dhe pritet të vijë edhe i treti. Plani është që të gjitha kapacitetet të vendosen në një sistem të koordinuar reagimi, me përfshirjen e ushtrisë, policisë dhe mbrojtjes civile. Mickoski thotë se automjetet do të operohen nga shoferë dhe persona nga Mbrojtja dhe MPB. Përshtatja për përdorim të ri nuk ka kushtuar shumë.
“Shumë pak dhe kjo është para së gjithash një punë e realizuar mbi bazë vullnetare dhe me kompani të përgjegjshme shoqërore. Buxhetit nuk i ka kushtuar fare”, shtoi Hristijan Mickoski – kryeministër.
Automjetet do të shpërndahen sipas rajoneve dhe do të jenë në dispozicion të njësive lokale kundër zjarreve. Aktualisht, në vend kemi më pak se 400 zjarrfikës në të gjitha njësitë për mbrojtje nga zjarri, ndërsa në 34 njësitë e zjarrfikësve në Maqedoni ka gjithsej 284 automjete, prej të cilave gjysma janë më të vjetra se 30 vjet, ndërsa më e vjetra është e vitit 1966. /TV21/